Greqia dhe paratë e shqiptarëve

Opinione

Greqia dhe paratë e shqiptarëve

Nga: Uk Lushi Më: 7 korrik 2015 Në ora: 09:59

Gati çdokush ndër shqiptarë është bërë ekspert i gjendjes ekonomiko-financiaro-politike të Greqisë së sotme, kurse gati askush nuk po merret me problemet që mund të na godasin ne shqiptarëve si rezultat i problemeve të Greqisë.
Republika e Shqipërisë ka një emigracion prej rreth 16% të popullatës së saj në Greqi. Kapitali i sistemit bankar të saj është afërsisht 50% grek ose në banka greke.
Çka nëse 5%, 7% apo 10% e emigrantëve shqiptarë duhet të ikin nga Greqia dhe të kthehen në atdhe? Si do ta absorbojë ekonomia e Republikës së Shqipërisë një fluks të tillë?
Qeveria shqiptare duhet të ketë plan për integrimin dhe shfrytëzimin e përparësive krahasuese të të kthyerve dhe bile të tërheqë ata që kanë kapital themeltar apo aftësi të duhura me incentiva taksore dhe biznesore.
Qeveria e Tiranës duhet të jetë e gatshme edhe për falimentimin e mundshëm të bankave greke në Republikën e Shqipërisë dhe nëse paraqitet nevoja t'i ristrukturojë ato shpejt dhe t'i hedh në ankand privatizimi ose t'i shtetëzojë. Depozitat shqiptare nuk guxojnë të riatdhesohen (repatriohen) në Greqi.
Republika e Shqipërisë e ka një lloj fati që ka lekun për monedhë, por këtë fat momental nuk e ka Republika e Kosovës sepse ajo ka adaptuar euron si monedhë vullnetarisht dhe pa qenë pjesë e Euro-Zonës.
Republika e Kosovës ka borxh të ulët dhe nivele të menaxhueshme të deficitit buxhetor dhe një sektor bankar të kapitalizuar mirë dhe likuid. Shteti i Kosovës i ka vetëm diku rreth 700 milionë euro në rezerva valutore dhe nëse më e keqja ndodh me Greqinë dhe euron, Republika e Kosovës nuk mund t'i drejtohet Bankës Qendrore Europiane (ECB) për arsye se nuk ka lidhje formale me të.
Çka nëse depozitorët, të frikësuar nga rënia e vlerës së euros, vrapojnë drejt bankomateve dhe dyerve të bankave? Çka nëse vendosin të ndërrojnë eurot p.sh. me dollarë amerikanë apo franga zvicerane?
Republika e Kosovës mund të varet nga vullneti i bankave të huaja si Raifeissen apo ProCredit të injektojnë kapital nga bankat mëma në Austri dhe Gjermani në ato në Prishtinë. Por, edhe bankat europiane si platformë të fundit do ta kenë vetëm një monedhë euron dhe një bankë- Bankën Qendrore Europiane.
Rënia e mundshme e vlerës së euros do të ndikonte edhe në kapitalin cash që gjendet jashtë sistemit bankar dhe i cili llogaritet të jetë gati sa gjysma e GDP-së së Republikës së Kosovës.
Nëse ne nuk përgatitemi dhe nuk kemi plane se si të reagojmë si shqiptarë, është e mundshme që në xhepat dhe kontot tona të na mbesin vetëm kartëmonedha letre të cilat nuk e kanë asnjë vlerë.
Duhet të mendojmë dhe përgatitim opsione reagimi për vetveten më shumë se sa merremi me Greqinë dhe Europën.
Në këtë botë gjithçka është e mundshme dhe nuk thonë kot: koha më e mirë ta blesh ombrellën është kur ende nuk ka filluar shiu!
A jemi NE gati për çdo mundësi? Kjo është pyetja që më mundon më së shumti dhe të qenit gati do të jetë ndihma më e madhe që mund t'u japim grekëve, Europës dhe natyrisht vetvetes!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat