Katarsis por jo vetmallkim

Opinione

Katarsis por jo vetmallkim

Nga: Kolec TRABOINI Më: 6 korrik 2015 Në ora: 12:39

Ka një reflektim e vrasje ndërgjegjeje kombëtare për krimin që ndodhi në të dalë të Prekalit në fshatin Mes, për tragjedinë e çiftit të dashuruar çek. Ky reflektim është një katarsis, një dritëz në këtë errësirë emocionale të pllakosur anë e mbanë ku ka shqiptarë. Por nuk duhet me tepri sepse bën efektin e kundërt, na bën të urrejmë vetveten. Kjo nuk duhet të ndodhë.Por gjithashtu duhet të marrin fund disa fetishe duke e quajtur veten më të mirët e botës, të besës, bujarisë, e ca mite historike që koha i ka lënë pas e të duken si përralla të treguara nëpër guidat idiote turistike. Nuk besoj se bie përmbys duke mallkuar veten i gjithë populli amerikan kur një i çmendur ekzekuton 11 fëmijë në Kolorado. Ne e kemi dramë kolektive shfaqjen e mungesës së besës se jemi ushqyer me të tillë demagogji si popull i besës. Përralla. Nuk ka popuj të besës e të mosbesës. Çdo individ vepron në veçanti e nuk ndjek një linjë si miliona të tjerë, sepse njerëzit nuk janë prodhime mekanike me të njëjtin dimension e funksion. Fqinj me Bethovenin mund të ketë qenë edhe një kriminel me damkë, por nuk e përfaqësonte ai kriminel popullin gjerman. Po kështu duhet të ndodhë edhe me shqiptarët. Si shqiptar krenohem për qenien i tillë, krenohem për atin e fisin tim, krenohem me burrat e kombit tim, për Gjergj Kastriotin, por nuk kam shkak të marr përsipër krimet e kriminelët që janë mish i huaj i Atdheut. Jam krenar që jam shqiptar, jo për t’u mburrur, por për të medituar se çfarë më mirë e më bukur mund të bëhet për kombin tim. Çdo obsion tjetër e quaj një traumë emocionale e çastit, dhe e di mirëfilli se po këta që sot vetëmallkohen, do t’i dëgjosh nesër të këndojnë këngën glorifikuese, madje edhe sarkastike kur e mendon gjendjen ekonomike e zhvillimin e vonuar të vendit: "Oh sa mirë me qenë shqiptar!". Dhe bash në atë kohë kur po marrim nga sytë këmbët të dërrmuar nga dëshpërimi se punët në atdhe shkojnë keq e më keq. Të jesh shqiptar nuk është as mirë e as keq, sepse nuk të garanton kombësia që ke lavdinë e dinjitetin, nëse ti si individ nuk punon për dinjitetin e personalitetin tënd, nuk punon për ta nderuar, por për ta turpëruar kombin. Por kombi nuk mund të marrë mbi supe marrëzitë e çdokujt, ndaj do të zgjidhja shprehjen: "Oh sa mirë të jesh njeri..."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat