Qeveria ta ndryshojë ligjin për veteranët

Opinione

Qeveria ta ndryshojë ligjin për veteranët

Nga: Shkruan: Major Nazif Ramabaja Më: 6 korrik 2015 Në ora: 11:21

Zvarritja dhe vonesa që është bërë në publikimin e listave paraprake e posaçërisht numri dhe përfaqësimi jo adekuat më ka shty që të bëj këtë reagim dhe ti drejtohem opinionit në mënyrë që të dëgjojnë edhe zërin dhe mendimin tim në lidhje me këtë temë, e cila kohëve të fundit është më se aktuale pas zhgënjimit të shumë bashkëluftëtarëve për mos përfshirjen e tyre edhe pse kanë qenë akter të luftës së fundit për çlirimin e vendit dhe kanë dhënë kontributin e tyre në mobilizimin, përfaqësimin dhe angazhimin e drejtëpërsëdrejti në çlirimin e vendit.

Në bazë të ligjit: Ligji Nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që ky ligj është kontestuar dhe kritikuar nga shumë akterë, individë subjekte politike ende pa u zbatuar dhe si i tillë qysh në momentin e aprovimit ka qen i mangët dhe ka lënë të kuptojë se do të ketë pakënaqësi, kundërshtime dhe kundërshtar, të cilët në tërësi apo pjesërisht do të kenë mospajtime, dhe i cili ligj do të sjellë më shumë huti se sa zgjidhë çështjen e veteranëve, invalidëve, dëshmorëve, martirëve dhe pjesëtarit të luftës.

Duke marrë për bazë kundërshtimet dhe mos pajtimet me aprovimin e këtij ligji, klasa politike e legjislaturës së kaluar domosdoshmërisht bëri shkeljen dhe ndarjen e veteranëve në ata të përshtatshëm dhe më pak të përshtatshëm apo fare të pa përshtatshëm sikurse lufta e fundit ishte monopol i tyre dhe sipas logjikës kush s´është me ne është kundër neve, dhe në këtë mënyrë bën ndarjen, politizimin dhe shton hendekun në vend që nëpërmjet këtij ligji ta shfrytëzojnë rastin për një zgjatje dore, pajtim dhe mënjanimin e të gjitha paqartësive, mosmarrëveshjeve dhe zënkave, të cilat u shfaqen më herët, por që kulmuan në fillimin e vitit 1998 dhe që po vazhdojnë me inate të tilla siç thotë një proverbë popullore: "për inati të resë më dekt djali", deri në ditët e sotme.

Duke marrë për bazë se lufta e një populli nuk është pronë e individit apo organizatës e aq më pak e atyre, të cilët kamufluan, denigruan, uzurpuan dhe morën për veti të gjitha ato merita të cilat populli ynë më shumë se një shekull ka bërë sakrifica të mëdha dhe më shumë se kurrë ka qenë paqedashës dhe liridashës, por që është organizuar në mënyra dhe forma të ndryshme për t’ju bë ballë sunduesve, okupuesve të lloj-llojshëm për të jetuar të lirë dhe për tu bërë pjesë e kombeve të lira dhe demokratike.

Mos marrja në konsideratë e faktit se në qindvjeçarin e fundit secili nga ne po edhe ata që s´janë më në mesin tonë fizikisht ka njëlloj hiseje dhe ka dhënë një pjesë të ndihmës dhe kontributit për të ardhur deri këtu ku jemi sot, prandaj duhet të jem syçelë dhe të shohim pas bregut e jo ti mbyllim sytë e mos të shohim më larg se hunda sepse kjo do të jetë e kushtueshme dhe pasojat e konsekuencat herdokurdo dikush do ti mbajë mbi supet e tyre, por që do të ketë një çmim dhe kosto edhe më të lartë për shoqërinë tonë të pa konsoliduar edhe 16 vjet pas përfundimit të luftës.

Në fakt këto lista është duhur të jenë të kompletuara dhe të gatshme menjëherë pas përfundimit të luftës, por që në atë kohë nga rrahagjoksit dhe profiterët e luftës e komandosët e vetëshpallur s’kanë pas kohë që ti shënojnë dhe bëjnë regjistra se kënd kanë nën komandë dhe për kënd është përgjegjës, por sot deklarohen: "se ne kem pas disa lista dhe i kem shfrytëzuar ato për ti kompletuar dhe bërë listën finale".

Kur flasim për përgjegjësit e zonave, komandantët, duke filluar nga skuadra, togu, kompania, batalioni e deri te brigadat në ditët e para të luftës e deri te hyrja e brigadave 131, 133 dhe 134 të njësive Operative të Ministrisë së Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës me betimin e tyre më 21 qershor 1998 në Papaj të Tropojës, formacione të tilla ushtarake brenda për brenda Kosovës s´ka pas, por që kanë ekzistuar grupe guerile si p.sh. treshi, pesëshi, dhjetëshi e kështu me radhe dhe pas hyrjes së njësive operative është bërë një strukturim është dhënë një leksion dhe mësim se si duhet organizuar strukturat dhe njësit taktike, operative dhe strategjia e zhvillimit të luftës deri te operatika për çlirimin përfundimtar të vendit.

Nëse këto lista përfundimtare s’kanë ekzistuar në mbarimin e luftës s´është çudi që tani pas 16 viteve të bëhet fryrja e tyre, ridizajnimi plotësimi të futen në ato lista persona të cilët se kanë pa luftën me sy, por vetëm përmes televizorit, mediave të shkruara dhe elektronike, të blihet hyrja në listë, të regjistrohen persona të cilët në kohë lufte kanë qenë të mitur nën dhjetë vjeç dhe tu hyhet në hak atyre që janë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe kontributdhënës deri në ditën e fundit, kjo është për tu habitur dhe është veprim, i cili në kushte dhe rrethana të ekzistimit të shtetit ligjor duhet të sanksionohet me ligj, po të kishim një gjyqësor të pavarur dhe po i njëjti të ish i ndarë nga implikimet politike ditore të individëve, strukturave dhe institucioneve përkatëse legjislativit, ekzekutivit dhe presidencës.

Të gjithë ata të cilët në të shumtën e rasteve e përdorin termin duhet pranuar realitetin e ri dhe me këtë konstatim deri diku edhe mund të pajtohem po qe se të njëjtit duhet ta kthejnë kokën mbrapa dhe të pranojnë se deri tek ky realitet kem arritur duke lënë pas vetes veprimet dhe shumë realitete tjera që nga Lidhja e Prizrenit, e deri te demonstratat e 1968-shit për flamurin kombëtar, hapja e Universitetit të Prishtinës në v.1970, amendamentet dhe kushtetuta e 1974-shit ku Kosova ishte pjesë konstituive e Federatës Jugosllave, dhe e kishte të drejtën e vetos, atyre të 1981-shit për Kosovën Republikë, pastaj deklarata kushtetuese e 2 korrikut v.1990 dhe Kushtetuta e 7 shtatorit po të njëjtin vit e njohur si kushtetuta e Kaçanikut, Qeverinë e Kosovës, marrëveshjen e dërgimit të grupeve të para për stërvitje në shtetin amë të v.1991-të në mes përfaqësuesve legjitim dhe dërgimi i tyre si Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë nga lëvizja masive e shqiptarëve e quajtur LDK e udhëhequr nga ideologu Dr. Ibrahim Rugova, Ministria e Mbrojtjes, Referendumi i vitit 1991, zgjedhjet nacionale 1992 ku FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS ishin kategori kushtetuese dhe se planifikohej formimi i tyre, shtrohet pyetja a mund të mos shihet dhe vërehen këto fakte, të cilat determinuan dhe ishin një nga substancat dhe veprimet kyçe të realitetit të ri në të cilin gjendemi sot.

T´ju kthehemi listave për veteranë në kushte dhe rrethana nëpër të cilat kalon sot Kosova, komisioni qeveritar dhe "komisionarët" do të ishte shumë më mirë po ti kishin marrë për bazë përvojat e shteteve të cilat e kanë rregulluar këtë kategori në mënyrë të kënaqshme, ndër to mund ta veçoj Kroacinë në luftën e të cilës përveç njësive të ushtarake dhe Mbrojtjes territoriale, Mup-it edhe shumë të tjera siç janë njësitë e Paragës, kmishat e zeza e kështu me radhë dhe ndaj askujt s’kanë qenë përjashtues, por në mënyrë të drejtë e kanë bërë rregullimin e statusit të pjesëtarëve të tyre, këtë më së miri e di edhe kryetari i komisionit Qeveritar, i cili dha këtë listë të Ministrisë së Mbrojtjes, e i cili është i zhytur thellë në interferimet politike dhe kanë politizuar veteranët në tejmasë.

Krejt në fund jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe karakterin e marrjes së statusit të veteranit të luftës çlirimtare për këtë apeloj që mangësitë, gabimet dhe përjashtimet të mos kenë vend në fazën e ankimimeve, po qe se ky apel nuk merret parasysh dhe shumë veteranë, të cilët pretendojnë se ju ka bë e padrejtë dhe u është hy në hak, nuk figurojnë në lista Qeveria duhet të inicioj amendamentimin e ligjit në mënyrë që të gjitha kategoritë pjesëmarrëse në luftën çlirimtare t´ju njihet e drejta dhe të jenë të barabartë si në fazën e aplikimit ashtu edhe të vlerësimit, pa marrë parasysh strukturat komanduese apo nga kush ka marrë urdhra, të gjithë të jenë të barabartë para një ligji, i cili duhet t´ua njeh këtë të drejtë.

Unë do të jem i ndërgjegjshëm dhe i sinqertë siç kam qenë deri më tash dhe shumë i vendosur që listën të cilën e kam dorëzuar në komisionin Qeveritar me 559 ushtarë dhe eprorë, të cilët kanë qenë nën komandën time në kuadër të njësive Operative në Lugun e Baranit dhe Qendrën stërvitore të repartit ushtarak në Kolsh, që të gjithë duhet të figurojnë në lista sipas kohëzgjatjes dhe veprimtarisë ushtarake dhe luftarake, sepse këto lista s’janë të hartuara tani, por menjëherë pas përfundimit të luftës dhe kur është kërkuar dorëzimi i tyre për ta dokumentuar, cili ka qenë numri i ushtarëve dhe eprorëve të cilët kanë kaluar nëpër duar të mia dhe kanë qenë nën komandën time, e kam bë me kohë dhe afat të caktuar, dhe assesi s´do të pranoj të jem në një listë derisa mos të gjej vend edhe ushtari i fundit, pra 559 pa përjashtime dhe të respektohet kontributi i secilit për çlirimin e vendit pa marrë parasysh se nën komandën e kujt ka vepruar.

Padrejtësia që i është bërë listës së Ministrisë së Mbrojtjes me figurimin e vetëm 89 emrave si veteranë është për keqardhje, poshtëruese, denigruese dhe fyese për mua dhe njësitet të cilat kam komanduar dhe zhvilluar veprimtarinë luftarake. Posaçërisht duhet të shqyrtohet me vëmendje lista e qendrës stërvitore të repartit në Kolsh dhe Brigadës “Mërgimi”, ku ka shumë laramani dhe padrejtësi sepse ka epror dhe ushtarë, të cilët nuk figurojnë në listën e veteranëve edhe pse dihet se ishin aktiv deri në përfundimin e luftës çlirimtare si psh: Naser Koliqi, Burhan Jahiu, Abedin Rrustemaj, Arben Durmishi, Haxhi Krasniqi, Rrahim Beka, Besnik Puka, Afrim Osmani, Zymer Sefaj, Shemsije Shala, Nikë Krasniqi..... dhe shumë e shumë të tjerë. Kërkoj nga komisioni Qeveritar që të jenë në nivel të kryerjes së detyrës së pranuar, ti denoncojnë presionet dhe interferimet politike, ti publikojnë ato dhe të largohen nga ky komision për shkak të mos lejimit të kryerjes së punës në mënyrë të drejtë dhe profesionale, do të ishte akt moral dhe profesional një dorëheqje e tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat