Në një shoqëri normale, me qytetari aktive, Ragip Begaj nga e hëna nuk do të ulej më në karrigen e të parit të Malishevës

Opinione

Në një shoqëri normale, me qytetari aktive, Ragip Begaj nga e hëna nuk do të ulej më në karrigen e të parit të Malishevës

Nga: Shkruan: Afërdita Morina-Biffar Më: 5 korrik 2015 Në ora: 09:31

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, u deklarua hapur se një invalid, i cili ecë me karrocë, s’mund të jetë Nënkryetar komune. Ky kryetar diskriminues ndaj një kategorie të qytetarëve të Kosoves, po të ishte në një vend normal, pas një deklarate të tillë, do ta përjetonte vdekjen politike. Në një vend ku vlerat njerëzore çmohen më shumë se sa ato politike, qytetarët pa dallim ngjyrimi partiak-politik do të ia kërkonin pa hezitim dhe me urgjencë, dorëheqjen një "monstrumi" të tillë në udhëheqje. Pasi për shumë çka po japim prova se nuk jemi edhe bash vend normal atëherë nuk do të çuditesha që z. Begaj me njerëzit përreth zgërdhinë dhëmbët e qeshet me secilin reagim njerëzor publik e të drejtëperdrejtë që do të ngritet në lidhje me deklaratën e tij të pa matur.

Duket sikur z. Begaj nuk e ka lexuar kurrë në jetën e tij se cka shkruhet në Konventat ndërkombëtare rreth të Drejtave të Personave me Aftësi te Kufizuara, prandaj po i sjell vetëm disa pjesë të Konventës së Kombeve të Bashkuara që përcaktojnë të drejtat e kësaj kategorie për punë dhe angazhim në komunitet;

Konventa e KB mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

New Jork, dhjetor 2006
Neni 27 Puna dhe punësimi

(a) të ndalojnë diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar në të gjitha çështjet lidhur me punësimin, përfshirë kushtet e pajtimit në punë, punësimit, vazhdimësisë së punësimit, ecjes në karrierë dhe ofrimin e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës;

(b) mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, njësoj si gjithë të tjerët, duke përfshirë garantimin e mundësive të barabarta dhe pagesës të barabartë për punën me vlerë, siguri dhe kushte pune të shëndetshme të barabarta, duke përfshirë dhe mbrojtjen nga ngacmimet dhe zgjidhjen e ankesave;

(c) Për të garantuar që personat me aftësi të kufizuar të jenë në gjendje të ushtrojne të drejtat e punës dhe te drejtat sindikaliste njësoj si gjithë të tjerët;

(e) nxitjen e mundësive për punësim dhe karrierë për personat me aftësi të kufizuar në tregun e punës, si edhe ofrimin e asistencës për gjetjen, fitimin, mbajtjen dhe kthimin në punë;
23

(g) punësimin e personave me aftësi të kufizuar në sektorin publik;

(i) Për të garantuar që personave me aftësi të kufizuar u sigurohet një akomodim i arsyeshëm në ambjentin e punës;..

I’a kujtoj këtij zotëriu se; të Drejtat e Personave me Aftësi te Kufizuara te parapara me këtë Konventë dhe në Kartën e të Drejtave Themelore të Unionit Evropian, janë përfshi edhe në ; STRATEGJINË NACIONALE PËR TË DREJTAT E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS 2013-2023.

Personalitete dhe karaktere të tipit të Kryetarit Begaj, duket sikur janë pasur parasysh, kur njerëz vendimarrës-vullnetmirë janë ulur dhe kanë përpiluar këtë Konventë, qëllimi i së cilës është të nxisë, mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.

Begaj me deklaraten e tij ka shkelur dhe nëpërkëmbur jo vetem dinjitetin e z.Rudit por edhe të sa e sa personave të tjerë të kësaj kategorie, që vërtetë përballen çdo ditë me trajtim jo të dinjitetshëm, pikërisht për shkak të një mendësie të tillë të mjerë nga individë edhe në nivele vendimarrëse.

Si mundet një udhëheqës komune të shprehet kundër të drejtave legjitime të një personi. Cili është mesazhi që një udhëheqës komune përqon tek një shtresë e shoqërisë që ka aq shumë nevojë për integrim e realizim të të drejtave dhe ëndërrave për jetë dhe shance të barabarta në shoqëri ?!!! Duhet të jesh i sëmurë psiqik për të shkuar aq larg sa të fyesh dhe të prekësh në dinjitetin e njeriut, të cilit me ligj i garantohet e drejta për punë dhe çdo aktivitet publik, njëjtë sikur çdo qytetari tjetër të Kosovës.

Turpi bëhet edhe më i madh kur kihet parasysh se bëhet fjalë për një personalitet si z. Rudi, i cili i ka mbijetuar atentatit dhe përpjekjes për ta eliminuar, ashtu siç u eliminuan shumë bashkëpartiakë të tij në periudhën e pasluftës.

Kryetari i Malishevës do të duhej që jo vetëm të ndjehet i nderuar të ketë z. Fetah Rudin përkrah tij por që duke e pasur përkrah të insistoj në çdo rast e çdo instancë, që të zbardhet rasti i tij dhe që urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e këtij atentati të vehen para drejtësisë.

Dua të ja kujtoj z. Begajt se është mirë që edhe publikisht ka shpërfaqur prirjen e tij për diskriminim ndaj një personi që po i vuan pasojat e çmendurisë së pasluftës të krahut politik, prej nga ky zotëri vjen, sepse kjo flet çartë dhe hapur se deri ku shkon ndjeshmëria dhe interesimi i kësaj kaste politike për respektim elementar të të drejtave të njeriut.

Një kryetar që diskriminon në nivele politike do të duhej t’u fuste frikën qytetarëve të Malishevës sepse me këtë veprim ai u tregon hapur se si nga pozita e të parit të Komunës nuk angazhohet për realizimin e të drejtave të personave të kësaj kategorie e të grupeve shoqërore me nevoja pak më specifike.

Kryetar "monstër", i qofsh fal mos ndërgjegjësimit dhe vetëdijës jo aktive të shoqërisë në Kosovë, në luftimin e diskriminimit dhe përpjekjen e realizimit të të drejtave të tyre, sepse në një shoqëri normale, të zhvilluar dhe me qytetari aktive, Ju nga e hëna nuk do të uleshit më në karrigen e të parit të Malishevës.

Institucionet qëndrore të Kosovës nuk duhet të tregohen të shurdhëra ndaj ofendimit dhe nënçmimit që kryetari i Malishevës ia bëri z. Fetah Rudit dhe jo vetëm atij por një kategorie të tërë të shoqërisë, të cilës qeveria është e obliguar të i krijojë ambient që të ndihet e barabartë dhe e realizuar.

Fetah Rudit iu bë edhe një atentat. Këtë herë kryetari i Malishevës e vrau në shpirt, dhe nëse qeveria e heshtë këtë rast, do të jetë bashkëpjesëmarrëse në vrasjen e shpirtit dhe besimit të kësaj kategorie të shoqërisë së një ditë do të jenë të barabartë me të gjithë të tjerët.

Zot, na mbro nga të papërgjegjshmit, injorantët e të pafytyrët e tillë në politikë e vendimarrje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat