Na falni!

Opinione

Na falni!

Nga: Nga Bledi Lumani Më: 4 korrik 2015 Në ora: 16:53

Nëse ka gjë që i karakterizon shqiptarët, ajo është mikëpritja.

Kjo është gjëja e parë që të huajt evidentojnë kur vijnë në Shqipëri.

“Është e mahnitshme se sa miqësor janë njerëzit këtu, në Amerikë nuk te flet me gojë as fqinji”, më thoshte një miku im amerikan, që ndodhet në Shqipëri prej tre muajsh.

Ai ka lënë biznesin e tij në Amerikë për të ardhur në Shqipëri dhe është i joshur nga ideja për të jetuar këtu.

Kjo gjë më ka ndodhur edhe me të huaj të tjerë që vijnë kalimthi në Shqipëri.

Ata i entuziasmon fakti se të gjallë dhe miqësor jemi si komb, edhe pse të varfër.

Por, mikëpritja shqiptare ka marrë një goditje të rëndë në Dukagjinin e largët.

Dy të rinj çekë, të dashuruar me aventurat dhe Shqipërinë, janë vrarë pabesisht.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar tronditje kolektive.

“Ne s’do bëhemi kurrë njerëz”.

“Jemi kafshë”.

“Nuk kemi lidhje me qytetërimin, këto vetëm në Afganistan mund të ndodhin”.

Kështu shprehen disa nga qindra komentues të revoltuar.

Por, s’duhet të kalojmë në fatalitete.

Ngjarje të tilla ndodhin kudo, duke nisur nga SHBA e çdo vend tjetër perëndimor.

Pak vite më parë, kur ndodhesha në Stamboll, mbaj mend që një turist gjerman e grabitën dhe e vranë në mes të ditës, në parkun më të madh të Stambollit.

Ndaj, ne sot thjesht duhet t’iu kërkojmë falje atyre dy të rinjve, që u vranë barbarisht për pesë aspra.

Duhet të lutemi për shpirtrat e tyre.

Vetëm kaq!

Ne nuk jemi ata egërsirat që kryen krimin e kobshëm në Dukagjin.

Ne jemi ata njerëzit e qeshur, që edhe pse në varfërinë tonë, dime të mirëpresim çdokënd.

Kështu kemi qenë dhe kështu do jemi gjithmonë!/marrë nga Tema

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat