2 korrik 1990 ishte gurthemeli i pavarësisë së Kosovës

Opinione

2 korrik 1990 ishte gurthemeli i pavarësisë së Kosovës

Nga: Shkruan: Ing. Nazmi PECI* Më: 1 korrik 2015 Në ora: 09:31

Sivjet mbushet plot një çerek shekulli kur më 2 Korrik 1990, filozofisë dhe vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës për liri dhe pavarësi të Kosovës, si dhe me përkrahjen e parezervë të elitës politike siç ishin prof. dr. Fehmi Agani, dr. Gazmend Zajmi dhe intelektual të tjerë, u vu gurthemeli i pavarësisë së Kosovës të cilën sot NE po e gezojmë.
Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e bënë miratimin e Deklaratës Kushtetuese për pavarësimin e Kosovës nga Sërbia duke e shpallur Kosovën Republikë në kuadër të ish Federates Jugosllave, me mundësi për tu shkëputur nga ajo, nëse shpërbëhej Jugosllavia.
Ky akt politiko-juridik përveç që ishte shprehje e aspiratave të kahmotëshme të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, ishte edhe fillimi i realizimit konkret të programit politik të LDK-së dhe vizionit të të madhit Dr. Ibrahim Rugova, për bërjen e shtetit të Kosovës, kur në horizont shihej se shpërbërja e ish Jugosllavisë ishte e pashmangshme.
Deklarata Kushtetuese e aprovuar në formë të hapur dhe publike ishte beteja e parë politike në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilën Kosova e fitoi me sukses të plotë. Ishte regjimi serb ai që dënoi me qindra të rinjë shqipetarë vetëm pse diku në borë, pluhur apo në ndonjë fletore kishin shkruar shkronjat KR, ndërsa tani e kishin si dokument të aprovuar e nënshkruar nga delegatet e Kuvendit të Kosovës, që në njëfarë mënyre edhe vetë kishte gisht në përzgjedhjen e tyre.
Pas aprovimit të Deklaratës Kushtetuese, Serbia shpalli gjendjen e luftës në Kosovë, i suprimoi të gjitha institucionet legjitime të Kosovës: kuvendin, qeverinë, pastaj të gjitha institucionet shkencore, arsimore e kulturore, u suprimuan mjetet e informimit e të tjera masa ndëshkuese. Sërbia nuk hezitoi as kësaj here të përdorë edhe plumbat e edhe burgosjet për të frikësuar popullin shqipetarë, por pa sukses, sepse vizioni për pavarësi ishte i qartë dhe origjinal, autokton e kombëtar dhe i pa përlyar me ideologjizma të ndryshem.
Deklarata Kushtetuese në aspektin e brendshëm i parapriu aktit më madhor të një shteti, shpalljes dhe aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 07 Shtator po të të njëjtit vit, akte këto që tek faktori i jashtëm patën ndikim pozitiv për çështjen tonë shumë të madhe. Izolimin që kishte vendosur Sërbia për Kosovën me aprovimin e këtyre dy dokumenteve me rëndësi, filloi të pësoi të çarat e para dhe nuk ishin të pakta shtetet që donin të dinin të vërtetën për Kosovën. Në aspektin diplomatik kjo ishte edhe një fitore e madhe sepse gënjeshtrave të Sërbisë për Kosovën dhe shqiptarët më nuk iu besonte pothuaj askush nga bota demokratike.
Për të gjitha këto punë duhej të kishte një plan i përpunuar mirë, duhej të bëhej një projekt për pavarësinë e Kosovës të cilin LDK-ja nën udhëheqjen e Dr. Rugovës me bashkëpunëtor e kishte bërë me kohë pa lejuar futjen në aventura të panjohura e të rrezikshme.
Kjo ishte bazë e veprimit në atë kohë por që edhe në ditët e sotme pas shtatë vjetësh të Kosovës së pranuar si shtet i pavarur, veprimi politik i asaj kohe i matur dhe i kjartë me porosi të qarta shtetëformuese, duhet t‘i shërbej klasës politike të tanishme e cila e kapluar nga interesat meskine individuale, klanore e ideologjike kanë harruar të kaluarën dhe dëshirojnë ta shkatërrojnë dhe humbin edhe të tashmën.
Ngjarjet e fundit të zhvilluara në parlamentin e Kosovës janë alarmuese për secilin nga ne, për miqtë tanë që me shumë mund i bëmë. Për shumicën absolute të popullit të Kosovës këto ngjarje janë të papranueshme dhe të dëmshme dhe si të tilla këto veprime do të kenë jetë të shkurtër.
Në tërësi në Kosovë, por edhe në LDK në veçanti, ka mjaftë kuadra të afta që dinë dhe dojnë ta ndërtojnë shtetein e së drejtës, shtetin demokratik dhe të zhvilluar ekonomikisht. Këso kuadrash të gatshme për një sakrificë të tillë me vizione të qarta për ndëtrimin dhe zhvillimin e shtetit me miq të shumtë siç thoshte i madhi Dr. Rugova, e jo të izoluar siç po pretendojnë tani të vetëquajturit lider të Kosovës, pati në të gjitha periudhat e kaluara, fatkeqësisht ka edhe tani por që u penguan dhe pengohen nga grabitëqarët e pushtetit dhe të mirave materile të Kosovës, duke e lënë popullësinë në gjendje të mjerueshme. Të shpresojmë se me një punë dhe angazhim më të madh të të gjithëve do u vjen fundi këtyre forcave të errëta që e kanë ngulfatur tërë Kosovën?!...
*Autori është njëri nga themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër, si dhe njëri nga 215 intelektualët e izoluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat