Ëndrrat miope të të rinjve

Opinione

Ëndrrat miope të të rinjve

Nga: Timi Shkupi Më: 30 qershor 2015 Në ora: 17:53

Këta djem kanë entuziazëm, kanë dëshirë, duan diçka në Maqedoni. Nuk e pranojnë këtë gjendje të mjerimit ndër shqiptarë, nuk e pranojnë këtë nënçmim që u bëhet interesave të tyre si shqiptarë. Janë të rinjë, të pa provuar në zgjedhje dhe në shtetin dhe sistemin unitar. Janë në një udhëkryq dhe nuk kanë strategji si zgjidhet kriza politike në Maqedoni, jo me fajin e tyre, por me fajin e honxhobonxhove që bëhen përfaqësues të tyre, që deri dje u kanë shërbyer klaneve, grupeve, individëve, që kanë qenë puthadoret, poltronët më të rrezikshëm të shoqërisë sonë, që kanë rritur kultin e Ali Ahmeti, Musa Xhaferit, Fatmir Besimit, Izet Mexhitit, Abdul Aqim Ademit, e të tjerëve prej këtyre politikanëve pa asnjë gramë dhe fije të dinjitetit të shqiptarëve.
Ti fusish në një kanal më të këqijat e Ali Ahmetit dhe klanit të tij kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi me 7 deputetë të zgjedhur në Parlament, në kohën kur honxhobonxhot e tyre, që sot rrijnë në lozhë, që në zgjedhjet e fundit të vitit 2014 janë identifikuar me 20 gipsat e Ali Ahmetit (që shihte përtej maleve duke e treguar mashtrimin e tij prej profeti) për ta zhdukur nga skena politike të Djathtën Shqiptare, në këtë rast PDSH-në, Menduh Thaçin, kur thoshin se PDSH-ja nuk do të jetë as parti parlamentare, është vetëvrasje politike, është me ua prishur ëndrrat këtyre djemve të rinjë dhe për ta shfajësuar për të gjitha të këqijat Ali Ahmetin dhe klanin e tij, por edhe për të ripozicionuar poltronistët e deridjeshëm të tij dhe për t'iu dhënë resurse njerëzore prej shqiptarëve të rinjë për mbijetesë politike, por edhe duke e legjitimuar pavetëdije shtetin dhe sistemin unitar, i cili është para kolapsit dhe federalizimit të Maqedonisë.
Nëse këta në pankarta e kanë emrin e Ali Ahmeti si emër të parë, portali Almakos dhe Lajmpress, që janë fund e krye zorrë e LSDM-së, e klaneve atje dhe të Zoran Zaevit, në titull e japin emrin e Menduh Thaçit si emër i parë i të gjitha të këqijave. Kjo nuk do koment! Pavarësisht gabimeve strategjike të PDSH-së në organizim dhe oligarkisë së keqe partiake që disa elemente më shumë i besojnë dhe bashkëpunojnë me strukturat kriminele të shtetit sesa e dëgjojnë kryetarin e PDSH-së, apo e ndjekin platformën e saj politike në terren.
As politika amerikane si një superfuqi botërore nuk hap konflikte kundër të gjithëve, as nuk preferon në ndonjë konflikt të ketë edhe ndonjë konflikt tjetër, këta honxhobonxho të Besës që rrinë me kravate dhe fotografohen me elita të korruptuara, i nxjerrin këta djem të rinjë në një paradë që nuk ka kurrfarë efekti në shoqërinë shqiptare, përveç se për t'i ndihmuar përçarjes edhe më të madhe të unitaristëve shqiptarë në politikë, që e duan kolltukun me çdo kusht të Zaevit, të Gruevskit dhe nuk kanë guximin as minimal as për ta përmbysur regjimin me revolucion, as nuk e preferojnë të mbrojnë rezistencën heroike të djemve të UÇK-së të tradhtuar dhe sulmuar me arsenale ushtarake dhe policore në Kumanovë.
Këta të BESËS nuk e kanë as guximin të kërkojnë dorëheqjen e Musa Xhaferit, jo nga partia e DUI-t, por nga posti i zëvendës Kryeministrit, që është e drejtë legjitime e të gjithë neve, por honxhobonxhot e BESËS që rrinë në lozhë, në iftare, pjesa dërmuese kanë qenë në listën e të paguarve nga Musa Xhaferi.
Unë jam shqiptar, jam shkupjan, nuk e pranoj dhe refuzoj sistemin unitar, regjimin, kodin zgjedhor, kur ne Maqedoni u instalua diktatura e kryetareve te partive, por në këto negociata të katër partive më të mëdha, si opozitar, me plotë të drejtë i vetmi që mund të përfaqëson diçka shqiptare, s'ka dyshim se është Menduh Thaçi, PDSH-ja, ku duhet të renditemi të gjithë, të gjithë opozitarët pas saj dhe ta çojmë Ali Ahmetin me kriminelët e tij pas grilave.
Lufta kundër Ali Ahmetit dhe kur futet në paket edhe Menduh Thaçi nënkupton revolucion ose lufte, por edhe kjo nuk mjafton, sepse në Maqedoni jetojnë edhe maqedonasit dhe shteti është multietnik. Prandaj, ju si të rinjtë, pyetni përfaqësuesit e juaj: A janë për të përmbysur sistemin unitar me revolucion dhe me luftë? Ndryshe në sistemet pluraliste, në demokracitë e brishtë, do të jetë shumë vështirë të shitet ky mashtrim i përfaqësuesve të juaj, dhe të atyre që kanë formuar parti në çdo mëhallë dhe kane dalur si kërpudha pas shiut!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat