Përkulemi para trupit dhe shpirtit të këtyre djemve të lirisë

Opinione

Përkulemi para trupit dhe shpirtit të këtyre djemve të lirisë

Nga: SHVL UÇK - Daim HISENI Më: 29 maj 2015 Në ora: 17:18

Të nderuar bashkëkombës nga gjitha trevat shqiptare,

Të dashur familjarë, të respektuara nëna dhe baballarë të këtij populli të lashtë dhe të një historie plot plagë e dhimbje.

Të ndash dhimbjen për humbjen e krenarisë dhe shëmbëlltyrës të asaj që quhet Ushtria Çlirimtare Kombëtare është mortë e gjallë për çdonjërin nga ne. Ne të cilët qoftë edhe për një ditë të kemi pas veshur uniformën e luftës dhe shkabën dykrenore në krah.

Sot jemi dëshmitar, kur para nesh kemi djemat e krenarisë kombëtare.

Këto janë djemat me zemër luani dhe besë shqiptari.

Nëse doni të dini, se si duket një njeri shpirt shitur? Atëherë shikoni moralin e ulur dhe botën materiale në xhepin e tij.

E nëse dëshironi të dini dhe të shihni vazhdimësinë e epopesë së lavdishme të Prekazit heroik, nëse dëshironi të dini dhe të shihni me sytë e juaj se si duket njeriu shpirt ngritur përplot vlera dhe merita kombëtare, trim dhe guximtar, besnik dhe luftëtar, ai është shpirti fisnik i djemve që sot në pranin tuaj po nderohen dhe respektohen nga qindra familje të dëshmorëve të kombit dhe lirisë, nga bashkëluftëtarët e tyre të rreshtuar në radhët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Preveshës, Medvegjës dhe Bujanocit, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si dhe nga forcat e armatosura të Kosovës të cilat forca ekzistojnë falë veprës heroike dhe gjakut të këtyre trimave.

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes të një kombi,

Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

Është e drejtë individuale e secilit nga ne që të duam lirinë dhe bashkimin e këtij kombi të ndarë.

Është obligim i shtetit, detyrim dhe patjetërsim i organeve, institucioneve dhe subjekteve që na përfaqësojnë që këtë amanet të shkruar me ngjyrë gjaku ta jetësojnë dhe jo ta pengojnë.

Vërtet, një nënë nuk na ka bërë, por një atdhe kemi të tërë.

Askush nuk e dëshiron luftën, sepse lufta ka pasoja.

Por të mjerë ata që nuk e duan dhe nuk e ndihmojnë lirinë e plot të popullit të vet.

Betimi PËR ZOT E ATDHE, që bënë ushtari i lirisë mbi flamur, ka peshën, vlerën, përgjegjësinë dhe pasojat e tij.
Këta djema ishin betuar dhe zotuar mes vete, me ne ose pa ne, të gjallë ose të rënë në altarin e lirisë, aty ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë të jetë tokë shqiptare me liri dhe barazi të plotë.

Pushka e tyre mori jehonë ndërkombëtare.

Pushka e tyre po nxjerr në sipërfaqe tradhtinë e disa pushtetarëve që vazhdojnë të bashkëpunojnë me armikun kundër interesave të kombit.

Pushka e tyre e goditi fort Beogradin dhe Moskën, që sot në vazhdimësi po mësojmë për planet dhe skenarët e errëta të tyre në dëm të trojeve shqiptare.

Pushka e tyre nuk tronditi vetëm Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, por ajo i dha jehonë edhe qendrave vendimmarrëse duke dëshmuar se ndër popullin e një trungu shqiptarë, po ushtrohet padrejtësi, diskriminim dhe po sundohen nga një regjim i cili e shpreh qartë shovinizmin e tij sllav. Shqiptari asnjëherë nuk është faktor destabilizues në vend.

Por nuk është as nga ata që e duron robërinë dhe padrejtësinë që i bëhet popullit të tij, mvarësisht ku jeton dhe vepron.

Nëse liria nuk dhurohet, nëse liria me gjak fitohet, atëherë bëhuni krenar dhe të mburreni gjithmonë me djemtë e kombit, duke e ndihmuar bashkimin e një shpirti që kemi, një dëshire të përbashkët, një liri të plotë e cila do ju kujton emrat autokton si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ukshin Hoti, Harun Aliu, Tahir Sinani, Fadil Nimani dhe emrat HERO që kësaj plejade iu bashkangjiten me atdhedashrinë e tyre si: dëshmori Hysen Latif Rushiti, dëshmori Arben Qerim Rexhaj, dëshmori Xhafer Hysen Zymeraj, dëshmori Samid Bajram Kastrioti, dëshmori Nusret Kaloshi, dëshmori Beg Miftar Rizaj, dëshmori Turgaj Mehmet Gashi, dëshmori Mirsad Miftar Ndrecaj, dëshmori Fatlum Kadri Vishesella dhe dëshmori Valon Selim Kabashi.

Në emër të veteranëve, oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në shenjë nderimi, përkulem para trupit dhe shpirtit të këtyre emrave.

Njëherit, në emër të gjithë anëtarëve dhe bashkëluftëtarëve nga Shoqata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me respekt të veçantë, me dhimbje të përbashkët, me borxh ndaj juve, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta:

Ngushëllime Ju, familjar të djemave hero,

Ngushëllime bashkëluftëtarëve të tyre,

Ngushëllime ju shok, miq dhe i mbarë kombit.

Gjithmonë e jetë në kujtesën e çdo gjenerate,

I përhershëm kujtimi për veprën dhe atdhedashurinë tuaj

L A V D I


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat