Në Kuvendin e LDK-së të fitojë demokracia!

Opinione

Në Kuvendin e LDK-së të fitojë demokracia!

Nga: Afërdita Morina - Biffar Më: 29 maj 2015 Në ora: 15:13

Ashtu siç e kam thënë shumë shpesh, nuk do të rreshti kurrë ta them se ne, Lidhja Demokratike e Kosovës jemi parti e Lirisë dhe e Demokracisë së brendshme. Ne jemi parti e vetme që tash e sa vite mbajmë zgjedhje të brendshme , jo sa për sy e faqe, por mirëfilli, duke dhënë mundësi për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur, dhe në të njëjtën kohë duke dhënë dëshminë e një akademie kosovare të demokracisë për partitë tjera në vend!

Pyetja që me të drejtë shtrohet sot, jo vetëm të anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, por te të gjithë qytetarët e vendit është. Kush do ta udhëheq LDK-në?! Kjo pyetje është jetike për Kosovën, sepse zhvillimet në LDK, janë të rëndësishme për zhvillimet në vend. Përgjigja është në vullnetin e delegatëve.

Në vullnetin e të deleguarve të anëtarësisë së LDK-së mbetet se kush do ta drejtojë partinë tonë në katër vitet e ardhshme. LDK-ja është dhe vazhdon të jetë partia e vetme në Kosove, që megjithëse jo ndoshta në mënyrë të përkryer, sepse e mira nuk ka fund, kultivon demokracinë e brendshme, duke mbajtur zgjedhje dhe duke dhënë mundësi për të gjithë të zgjedhin dhe të zgjidhen, ndryshe nga partitë e tjera në Kosovë që përballë “Shefit-Bosit”, nuk guxon kush as të mendoj ta sfidoj !

Por, siç njihet edhe në shkenca politike; sa më e shprehur të jetë demokracia e brendshme në një subjekt aq më të mundshme janë mundësitë e fraksionizmit brenda partisë ! Ky rrezik që është provuar njëherë në kurrizin e LDK-së, pas të ashtuquajturit ’Kuvend i karrigeve ‘ ku partia u nda dhe për rezultat na nxori humbës të gjithëve,e solli në pushtet ata qe Kosovën e kthyen ne oazë të krimit, korrupsionit,haraçit, nëntokës e mafisë, nuk e zmbrapsi LDK të ecë tutje dhe të kultivoj demokracinë e brendshme, sepse pa demokratizimin e brendshëm të partive politike nuk do te kemi kurrë demokratizim të shoqërisë.

Shpresoj fort dhe uroj që kësaj radhe nuk do te shkohet aq larg…nuk do ti mbyllim veshët e as sytë , para një të vërtete te madhe qe e kemi përjetuar në lëkuren tone. Po nuk arritëm të ftohim gjakrat e të sillemi të përgjegjshëm karshi çdo rezultati që do te prodhoj kuvendi zgjedhor, jo vetëm që do të fundosemi të gjithë ne si LDK, por do ta rrezikojmë edhe Kosovën, e do të na mallkojnë brezat e ardhshëm për shkatërrimin e partisë se vetme ne Kosove qe kultivon vlera demokratike evropiane.

Ne jemi të lirë sepse jemi të përgjegjshëm, ne jemi të përgjegjshëm sepse jemi të lirë. Parimi i përgjegjësisë na ka mbledhur e duhet te na mban të bashkuar në rrugën e trasuar nga lideri ynë historik dr. Ibrahim Rugova, para veprës së të cilit jemi përgjegjës të gjithë ne si trashëgimtarë. Mos të lejojmë që të na ndodhë ajo qe do ti bëjë rivalët tanë politik të zgërdhijnë dhëmbët e të mprehin shpatat, të gëzuar duke pritur fundin tonë.

Mos të harrojmë që të tjerët presin me padurim që të shembet fortesa jonë.! Ne, LDK-ja duhet te marrim përgjegjësi para gjithë atyre veprimtarëve, aktivistëve, anëtarëve dhe qytetarëve qe besojnë në demokracinë e vërtetë dhe t’i nënshtrohemi mirëfilli procesit zgjedhor demokratik të brendshëm, sepse vetëm kështu mund të marrim pastaj përgjegjësi para qytetarëve.

Marrim përgjegjësi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit në vend. Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë ! Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së fuqishme të Lidhjes Demokratike. Por duhet te marrim edhe përgjegjësinë para elektoratit tonë besnik për të mos ia thyer ëndrrat dhe shpresat se në Kosovë ka nje alternativë politike për të cilën i‘a vlen të dilet në votime, një parti që jep shprese se demokracia perëndimore është vlerë e kultivuar edhe në politikbërje nga subjekti ynë.

Prandaj, te dashur delegat dhe Ju të gjithë që po pretendoni postin e të parit të partisë, para interesave tuaja personale, bajraktarizmit dhe shtyrjes me bërryla qe historikisht vendin tone e kane lënë pas në çdo proces, thirrini mendjes , urtësisë e arsyes dhe vejeni interesin e vendit para çdo interesi e inati tjetër. Fati i Kosovës tash e çerek shekulli ka qene i lidhur ngushtë me fatin e LDK-se.

Mjaft na kanë dëmtuar e shkatërruar të tjerët përreth duke na shkaktuar neve, aktivistëve dhe elektoratit dhimbje e lëndime nga më të tmerrshmet deri në eliminim fizik te figurave markante qe krijuan bërthamën e subjektit tone politik. Mos ia jepni LDK-se, shtëpisë-shkollë të demokracisë, një goditje tjetër që nuk e meriton.

Mos e lëndoni më shumë popullin e mire të Kosovës, qe tash e sa vite pret ta sheh një klasë politike të përgjegjshme në skenën kosovare. Ju lutem bëhuni bashkë, bashkojini mendjet e zemrat. Votojeni me të mirin sipas bindjes suaj të lirë, sepse secili nga kandidatet janë njerëz dhe anëtar të familjes tonë të madhe. Duartrokiteni fituesin në fund, cilido që të jetë Ai.

Përqafohuni vëllazërisht e miqësisht sepse në demokraci edhe humbja edhe fitorja duhet të shndërrohen në festë për të mirën e përgjithshme. E mira e Kosovës dhe e gjithë njerëzve që besojnë në filozofinë e LDK-se, është të ju sheh te bashkuar tok pas Kuvendit dhe te motivuar e te gatshëm, për t’i quar proceset politike përpara, për ta bërë Kosovën shtet normal, që meriton respekt në familjen e madhe të shteteve evropiane.

Anëtarët e LDK-së, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët e vendit, demokracinë brenda LDK-së, le ta kuptojnë si mesazh, se mendimi ndryshe brenda një subjekti politikë është pasuri, e ky mesazh do të shkojë te qytetari nëse me fituesin jemi të gjithë, dhe në çastin e fitores do t’i betohemi se jemi ushtarët e tij. Mos na zhgënjeni por na gëzoni duke e shndërruar në festë fundin e Kuvendit, ku fitues nuk do të jetë ai që e fiton postin e të parit të LDK-së, por të gjithë ne bashkë dhe demokracia e nga aty të fitojë vendi ynë!!! Urime dhe suksese. Me guxim, vullnet dhe arsye u priftë e mbara.

Afërdita Morina-Biffar Anëtare e kryesisë së LDK-së-Prizre

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat