Ismail Qemali në Prishtinë

Opinione

Ismail Qemali në Prishtinë

Nga: Flamur Shala Më: 24 maj 2015 Në ora: 20:01

Aromë labe vlonjate po ndjeje në Prishtinë, teksa qëndroje në cilin do vend të manifestimit me rastin e përurimit të shtatores së Ismail Qemalit. Prishtina e priti me këngë të zemrës shqiptare, me zemrën e qytetarisë kombëtare, ashtu siç pritet djali, burri i Shqipërisë. Shpirti i tij fluturon gjatë kohë mbi qiell, mbi qiellin shqiptar, kosovar, në kohë, shtëpi më shtëpi, për të zbritur një ditë në vendin e dëshiruar, në një “pëllëmbë” toke, të Kosovës së lirë. Shtati i tij i shkrirë në bronx erdhi mu në mes të Prishtinës, për të qenë mes nesh deri në përjetësi. Tani po pushon mes nesh, e shpirti i tij po vazhdon t’i shohë të gjithë ata që e panë, e deshën, e ruajtën emrin e tij bashkë me flamurin e Shqipërisë së mëvetësishme, të mosvarme.
Ata që jetuan me emrin e tij janë shumë: i madh e vogël, një komb i tërë, kombi shqiptar.
Sot në Prishtinë, Ismail Qemali na e kujton atë që tha shumë vjet më parë:
"Ne duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne. E ardhmja e shqiptarëve, të cilët në gjak kanë mbetur gjithmonë europianë, sigurohet vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian”.
Këto fjalë i kishte thënë Ismail Qemali, njeriu që me mendjen e tij, me punën dhe veprën e tij, me vizionin për Shqipërinë dhe shqiptarët, një shekull e më shumë më parë, me largpamësinë shekullore, duke mbrojtur bashkimin e trojeve, që po cënohej nga fqinjtë, po bënte thirrje për unitetin “e racës”, për unitetin si një nga parimet bazë të zhvillimit dhe përparimit të kombit. Kjo thirrje iu drejtua bartësve të qytertërimit mbarë, kombëtar dhe evropian për përbashkimin e rrugëve me kombet e zhvilluara drejt qytetërimit universal. Iu drejtua atëherë kancelarive të Evropës, iu drejtua të gjithë atyre që e deshën përparimin, të gjithë bashkëkombasve të tij aq shumë të penguar, aq shumë të ndaluar, vite e shekuj me radhë.
Sot në Prishtinë, Ismail Qemali na i kujton të gjitha përpjekjet e shqiptarëve në rrugën e tyre të gjatë për liri. Na e kujton flamurin e Skënderbeut, flamurin që u bart brez pas brezi deri në dorën e tij. Sot, në Prishtinën e përparuar si kurrë më parë, në të tillën, siç e donte të gjithë Shqipërinë, erdhi me flamur në dorë, i urtë dhe me shpirt intelektuali siç ishte, burrë shqiptar dhe evropian siç ishte, i përparuar e me shpirt qytetarie siç ishte, të na e kujtojë edhe një herë se përparimi është më i lehtë me bashkim dhe unitet, se vetëm kështu kombi është më i fortë.
Sot e gjithë jetën tonë qytetare, shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë, përveçse simbolizon mëvetësinë e shqiptarëve, ajo bart më vete porosinë e madhe rilindase atdhetare, të kolosëve të pavarësisë, të të gjithë atdhetarëve, se duhet vazhduar përpjekjet për drejtësinë, për zhvillimin, për përparimin e kombit shqiptar. Kjo shtatore mbetet simboli i lirisë! Vetëm duke qenë kështu, simbol lirie, përmbushja e kërkesave të kahmotshme nga vetë shqiptarët do të bëjë që ata që deshën të “përpijnë” këtë vend, të zbrapsen deri në pikën zero të aspiratave hegjemoniste e të fillojnë zbatimin e përbashkët të vlerave qytetëruese universale, kombëtare dhe evropiane!
Ashtu siç u bë e mundur që sot, pas shumë rrugëve të kaluara, të vështira, të përpjekjeve për të ndalur rrugëtimin e shqiptarëve, me dëshmi të mëdha lirie, me dëshmi heronjsh e dëshmorësh, që tani të kemi mes nesh shtatore lirie, të njeriut të paqes, simbolit të dashurisë për kombin e vet, po ashtu mund të bëhet që të gjithë, sot e gjithë jetën tonë qytetare, kombe të rajonit, fqinj, të vegjël e të mëdhenj, të tfillojnë tutje rrugën e paqes, të barazisë, të zhvillimit e të përparimit. Është ky mesazhi evropian, është kjo porosia e Ismail Qemalit, është ky lajtmotivi i lirisë së përjetshme të kombit shqiptar.
E ardhmja evropiane e shqiptarëve, “të cilët në gjak kanë mbetur gjithmonë
drejtësinë, për paqen dhe lirinë, për bashkimin kombëtar. Ky është njëkohësisht themeli i shembullit për të tjerët se vetëm si kombe të barabarta, duke kërkuar për të tjerët atë që kërkon e dëshiron për veten, se vetëm kështu mund të ecet në rrugën e trasuar evropiane, në rrugën e lirisë, të zhvillimit e të përparimit të të gjithëve.
Ismail Qemali erdhi në Prishtinë me shtatin e tij në bronx me shpirtin e tij, flamur të qytetërimit kombëtar.
I falemi jetës dhe veprës së tij!
23.05.2015

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat