Eutrofizimi politik dhe përafrimi i legjendës…dy parabola të bashkuara në një

Opinione

Eutrofizimi politik dhe përafrimi i legjendës…dy parabola të bashkuara në një

Nga: Nga Atjon ZHITI Më: 23 maj 2015 Në ora: 10:25

Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojme "personazhet publikë" të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.
Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet.

Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.

Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja.

Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.

Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.

Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant.
Në një pikë të "udhëtimit" dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.
Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.
Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e "politikëbërsave".
Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.
Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi "ç'do bej", por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.

A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit? Shtetari pa shtetasin është një hiç.

Kush nuk ështe gati të vuajë, vuajtje le të presi. Imoral, por me principe. Njeriu gjen stabilitet in the perennial movement,waiting and doing his future. (Anglisht në original: në lëvizjen shumëvjeçare, duke pritur dhe duke bërë të ardhmen e tij).

Fatkeqësisht e fatmirësisht ne nuk kemi fuqinë për të dëmtuar memorien tonë e atë të përbashkët, mundet vetëm t’i mbështjellim midis ndjenjave, por kurrë t’i ndryshojmë ato.
Il potere della memoria sorge nella mia coscienza e risveglia le lezioni della vita profondamente radicate nel mio essere. Per l’energia di questo nome il mio modo di ricordare migliora: si valorizzano le memorie che mi rendono piu consaevole.

(Italisht në original: Fuqia e kujtesës buron në ndërgjegjen time dhe rizgjon mësimet e jetës të rrënjosur thellë në qenien time. Në sajë të kësaj energjie, mënyra ime për të kujtuar përmirësohet: të vlerësojmë kujtimet që më bëjnë më të vetëdijshëm.

KAPËRCIM I BEFTË ME VDEKJEN
QË KA DHE S’KA LIDHJE ME TRANZICIONIN

Tre vëllezër një ditë, në të perënduarin e diellit. po endeshin në një rrugë tejet të vështirë. Mbas një kohe të shkurtër ose të gjatë ata ndeshen me një lumë, që thuhej se vinte nga një kënetë dhe prandja qe berë shumë i rrezikshëm për t'u kapërcyer aty.

Duke qenë të zhdërvjellët e praktikë ndaj pengesave, ata fillojnë të ndërtojnë tranzit një urë. Para se të kalonin për matanë, panë se kalimi ishte e zënë nga një figurë e errët: ishte Vdekja.

Zakonisht udhëtarët mbyteshin aty më parë dhe Vdekja ndihej e tallur nga ura e re, por Vdekja ishte dinake: u hoq sikur po i përgëzohej shkathtësisë së vëllezërve dhe tha se meritonin një dhuratë a çmim për aftësitë që kishin treguar.
Vëllai i parë kërkoi fuqi të pa imagjinueshme, kështu Vdekja nga shelgu më i afërt bëri një unazë.
I dyti kishte dëshirë ta çmitizonte Vdekjen dhe vendosi t’i kërkojë fuqinë për të rithirrur të dashurit e tij nga varri, kështu Vdekja nxori një gur nga lumi dhe ia ofroi.
Vdekja ju drejtua vëllait të tretë, një burrë i imët e i përulur. Ai i kërkoi diçka, e cila të mund ta lejonte të ikte nga ai vend, sa më larg kënetës, p.sh, të mos dukej. Kështu Vdekja me ngurrim i dha mantelin e vet të padukshmërisë.

Vëllai i parë se ku vajti, jo aq shumë larg, por erdhi rrotull shumë, gjersa vendi iu bë si i panjohur, ku vrau një armik të vjetër. I shastisur nga fuqia, mburrej me pamposhtursinë e tij, po një natë ia vodhën unazën dhe e vranë, sipas parimeve pa parim të pranzicionit. Kështu Vdekja e mori vëllain e parë.

I dyti u kthye në shtëpi, nxori gurin, e rrotulloi tri herë në dorë. Për lumturinë e tij, ajo që kishte dashur aq shumë, por që nuk jetonte, befas u shfaq. Shumë shpejt ajo u bë e ftohtë dhe e trishtë, sepse ai nuk ishte pjesë e botës se përteme, por i vdekatares, me hallet e rëndomta. I çmendur prej dëshirës se tij, ai u vetëvra, po sipas parimeve pa parim të për t'iu bashkuar asaj. Kështu Vdekja e thirri dhe vëllain e dytë.

Për sa i përket vëllait të tretë, Vdekja e kërkoi për shumë vite me rradhë, përtej vendit ku kishte qenë këneta, tej, ku fillonte Europa a më tej, por nuk qe në gjendje ta gjente. Vetëm kur kishte mbërritur një moshë të madhe, ai vetë, më i riu dikur, hoqi mantelin për t'ia dhuruar të birit, thirri Vdekjen, e përshëndeti si të ishte një mikeshë e vjetër dhe e ftoi i lumtur. Erdhi koha të rri me ty, se kam qenë me veten, domethënë me të mitë. deri më tani. Po ku? Kudo, afër dhe larg teje.

Gjithçka duket se është në tranzicion, po tranzicioni s’dihet a është në gjithçka… (Milano, shtator 2014)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat