Tradhtari i madh dhe tradhtari i vogël!

Opinione

Tradhtari i madh dhe tradhtari i vogël!

Nga: FEJZI HAJDARI Më: 23 maj 2015 Në ora: 00:10

Riza Junuzi nga Kumanova për 24 orë u barazua me tradhtarët më të mëdhenj në historinë e kombit shqiptar. Koha do të tregojë nëse ky barazim është bë me vend, ose pa vend. Megjithatë po vërehet tendenca që Riza Jonuzi të dënohet pa gjyq, njëjtë sikurse dyshohet se janë dënuar dhe ekzekutuar disa prej shqiptarëve të vrarë në Kumanovë. Kjo tendencë krijon dyshim të bazuar se me etiketimin, e ndoshta edhe dënimin (pa gjyq) të Riza Jonuzit, dikush po dëshiron ta mbyllë rastin e Kumanovës dhe ta “vrasë” të vërtetën rreth këtij rasti.

Dyshimet janë të mëdha, kurse ne nuk kemi kurrfarë nevoje që të bëjmë avokatin e Junuzit. Megjithatë, përgjegjësia jonë shoqërore, si media, na imponon të mos lejojmë që “prej drurit të mos e shohim malin”.

Sepse, rasti i Kumnaovës, nuk mund të mbyllet vetëm me shpalljen e Riza Jonuzit për tradhtar.

Nëse krejt kjo ngjarje që tronditi Ballkanin dhe Evropën, identifikohet me një “tradhtar”, siç po pretendohet, atëherë neve do të na përsëriten vazhdimisht shumë Kumanova, shumë Radusha, shumë Brodeca, shumë Sopota e “Gjorçe Petrova”. Shqiptarët nuk mund të bëhen rehat përderisa nuk e zbulojmë “tradhtarin e madh”, i cili sa më shumë shqiptarë që vret, aq më tepër vota fiton. Riza Junuzi dhe dhjetë Rizaha tjerë po të bëhen bashkë, nuk mund të na bëjnë dëme, sa që mund të na bëjnë “tradhtarët” që vetë i votojmë. Ata kanë obligim që t’i pengojnë “tradhtarët” siç akuzohet se ka qenë Riza Junuzi në realizimin e ndonjë skenari antishqiptar, e jo të ju mundësojnë qarqeve antishqiptare të bëhen aq të fuqishme, sa që pa kurrfarë problemi të japin, 2, 3 apo 5 milionë euro për kësi lloj skenarësh. Në bazë të asaj se si rrahin gjoks nëpër media duke u lavdëruar se në Maqedoni nuk mund të ndodhë asgjë pa lejen e tyre, kemi të drejtën e plotë të dyshojmë se ata kanë qenë të njohur e ndoshta edhe pjesëmarrës në skenarin rreth Kumanovës! Po nëse nuk kanë qenë të njohur me këtë skenar edhe më keq! Sepse, kjo do të thotë se nuk meritojnë të jenë aty ku janë. Se nuk meritojnë besimin tonë që ua kemi dhënë vazhdimisht.

Për këtë arsye, po të jemi pak të pjekur si komb, ne do ta kuptojmë se dora e “tradhtarit të madh”, ka ekzekutuar të arrestuarit në Kumanovë (nëse është e saktë se janë ekzekutuar disa prej tyre). Po të jemi pak të pjekur si komb, do të kuptojmë se dora e “tradhtarit të madh”, pengoi një obduksion të viktimave në prezencë edhe të ekspertëve kosovarë të mjekësisë ligjore me çka u krijuan dyshime të shumta. Jo dora e Riza Junuzit, por dora e “tradhtarit të madh” saldoi me flakë arkivolet e shqiptarëve të vrarë në Kumanovë.

Ua ka ëndja të shiten si baballarë të kombit dhe t’i dalin zot luftës së vitit 2001, mirëpo kur vjen koha për të dhënë përgjegjësi, dalin nëpër emisione zbavitëse dhe tregojnë se kur janë njoftuar dhe si janë njoftuar. Prandaj, derisa nuk zbulojmë dhe dënojmë “tradhtarin e madh”, ne vazhdimisht do të jemi në situatë e cila nuk do të lërë rehat luftëtarët e 2001-shit, dhe do t’i nxisë në aksione tjera, që mund të përfundojnë si Kumanova.

Vetëm atëherë kur ta gjejmë tradhtarin e madh dhe ta “ekzekutojmë” te kutia e votimeve, heronjtë tanë që ranë dhe që nuk ranë në vitin 2001, do të mund të bëhen rehat dhe të thonë “Hallall gjaku që e dhashë për popullin tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat