Aksion i qëlluar, pastrimi i Kosovës!

Opinione

Aksion i qëlluar, pastrimi i Kosovës!

Më: 22 maj 2015 Në ora: 11:09

Për bashkëqytetarët e mi dhe udhëheqjen komunale të Prishtinës:
Të pastrojmë Kosovën sot. Natyrisht. Aksion i qëlluar dhe shpresoj që natyrë e pastërtidashësit të mos i ndalë as shiu në këtë punë!

Edhe vetë u angazhova pak rreth vendit ku punoj! Por tërë kohën po mendoj se sa mirë do të ishte po të mos e kishim ndotë e shkatërrua vet tokën ku jetojmë, tokën nga ku kemi nxjerrë bukën e gojës e do të duhej ta nxirrnim edhe sot!
Udhëtoj nga Prishtina për në Lipjan çdo ditë dhe anasjelltas, dhe shoh shëmtinë e krijuar nga shkatërrimi dhe hedhja e mbetjeve ndërtimore përreth magjistrales Prishtinë - Prizren! E shëmtuar duket kjo pamje e më vret jo vetëm syrin por edhe shpirtin!
Po pse? Pse u deshtë të shkatërrojmë tokën më të mirë bujqësore veç me kënaq urinë e pangopur të njerëzve për pasuri?!?

Për interesa personale shkatërruam të mirën shoqërore e kombëtare!
Turp e gabim që as toka e as pasardhësit tanë nuk do të na falin!
Shikoj nga dritarja e Kombibusit çdo ditë këtë shëmti dhe ndjej se shëmtohem edhe vetë!
Përgjegjëse për mirëmbajtjen e magjistrales është me siguri Ministria e transportit, por si në çdo përgjegjësi ne tregojmë mangësi e mosangazhim të paarsyeshëm që nuk meriton vlerësim ndryshe pos dembeli shoqërore e institucionale!

Përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave komunale në Prishtinë është Komuna e Prishtinës. Shihet një angazhim institucional i dikastereve përkatëse për ndërtim, ruajtje dhe mirëmbajtje të rrugëve e hapësirave të qytetit por shihen edhe punë shkel e shko! - Çdo rrugë e asfaltuar apo rindërtuar ka nevojë për mirëmbajtje standarde e jo vetëm reagime atëherë kur shihet shkatërrimi ekstrem i tyre! Parqet e punuara gjithashtu!
Ndodh që e bukura shumë herë të duket e shëmtuar për shkak të mosmirëmbajtjes! - Lulet e mbjellura në rrethin e ri para spitalit, duken bukur të mbjellura e ruajtura në anën e poshtme në drejtim të Termokosit, ndërsa ato në pjesën e naltë në drejtim të spitalit duken të shëmtuara pasi që shihet mosmirëmbajtja e tyre dhe mos ujitja apo mosplehërimi i tyre! Kush e di se pse?
Sidoqoftë, ajo që bie në sy më së shumti është shëmtia përskaj fillimit të magjistrales Prishtinë-Prizren, pas nënkalimit e përpjetë!

E njëjta pamje duket edhe kur kthehemi prapa! - Në anën e djathtë ka qenë një Pyll i vogël me pemë gjethore i cili nga njerëz të papërgjegjshëm që kanë ndërtua ndërtesa e shtëpi përreth është shkatërrua dhe duket i mjerë! - Përskaj rrugës mungon trotuari apo rruga që do të mund të përdorej për shëtitje dhe ecje të qytetarëve! Sheh vetëm gjethe, bar, thera e shkure të shëmtuara! Plus drunj të prerë të hedhur vend e pa vend! Pse? Është pyetje për të gjithë ne! E mu ajo pamje është pamja e parë që merr qytetari i vendit, vizitori i vendit e bashkombasit tanë kur kthehen në vendlindje!

A nuk do të mund ta ndryshonim atë pamje! Unë mendoj se po. Me pak angazhim të institucioneve komunale, brenda pak ditësh do ë mund të pastrohej rrethi i rrugës në të dy anët dhe edhe të mbilleshin Lule përballë, që do të i epnin hijeshi hyrjes në qytet!
Apeloj tek strukturat udhëheqëse të Komunës që të ndërmarrin sa më parë diçka në këtë drejtim!
Si qytetar i Prishtinës, qytetit dhe vendit që dua shumë e jetoj në te, do të ndihesha shumë më mirë po të eliminohej ajo shëmti në hyrje të Prishtinës!

Nga qytetari i brengosur, taksapaguesi i rregullt dhe votuesi i qeverisjes aktuale në Prishtinë:
Hazir Gashi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat