S'kemi lënë vend pa e kërkuar Zotin!...

Opinione

S'kemi lënë vend pa e kërkuar Zotin!...

Nga: Kimete Berisha Më: 6 maj 2015 Në ora: 21:11

Ajo ndjenja e ftohtë dhe e ashpër e hithrës së largur në trupin e nxehtë...Ajo ndjenja gjithmonë e njejtë, por gjithmonë e papritur, a ju kujtohet?!
Hithra ta rrënqethte dhe digjte trupin, por që të bënte të ndjeheshe i mbrojtur, i sigurt dhe i bekuar. Në fakt, nanat tona na bekonin, për çdo vit, më 6 maj, në ditën e Shën Gjergjit.
Përveç fëmijët, nanat tona e bekonin shtëpinë, i bekonin arat, oborret, dhe çdo gjë rreth tyre me ujë, sikur të ishte ujë i shenjtë .
Dhe asnjëherë nuk ndodhte të na bekonin baballarët. Me ceremoninë e Ditës së Shën Gjergjit merreshin vetëm femrat, por argëtoheshin (dhe bekoheshin) të gjithë.
Ditën e Shën Gjergjit gjithmonë e kanë festuar shqiptarët e besimit myslimanë, anipse Shën Gjergji ishte martir krishter.
Shqiptarët e kanë festuar (dhe e festojnë) Ditën e Shën Gjergjit si një ditë gëzimi dhe besimi në Perëndinë.
Shën Gjergji ndër shqiptarët (myslimanë e krishterë) u festua në mënyrë origjinale.
Vajzat zgjoheshin herët, krihnin flokët nën trungun e shelgut (për t'u rritur shpejt), mbledhnin lule dhe i varnin nëpër dyert e shtëpisë.
Dilnin në natyrë, ndeznin zjarrin dhe luanin rreth tij. Luhateshin me rend në kolovajzë, në litarin e lidhur në degë të pemës e dikush vishej me tesha kombëtare dhe rrihte def.
Në fund të ditës, shqiptarët e besimit myslimanë shkojnë për ta festuar ditën e Shën Gjergjit në teqe dhe sidomos në tyrben e Sulltan Muratit, ku luten për ta gjetur fatin e jetës, për të lindur fëmijë dhe për derte të tjera të kësaj dynjaje.
Sikur çdo ditë tjetër, edhe Shën Gjergji e ka "orën e saj të ligë". Dëgjonim se shtrigat i përtërijnë sihiret e tyre të zeza për ditën e Shën Gjergjit. Prandaj, për t'u mbrojtur nga shtrigat, të gjitha femrat (atë ditë) mbanin në dorë hallhalle prej perit të kuq dhe të bardhë.
P.S Shën Gjergji festohet gjithkah nëpër botën krishtere. Kjo festë konsiderohet si ditë kombëtare e Anglisë. Sipas legjendës, Shën Gjergji ishte një ushtar në ushtrinë romake që vrau një dragua për ta shpëtuar një princeshë. Por, për ta vrarë draguan, u tha popullit të Silenës se nëse ata pranojnë të konvertohen në të krishterë, ky do ta mbys draguan para syve të tyre.
Dhe, ata pranuan. Mbreti dhe populli i Silenës u konvertua. Në vendin ku Shën Gjergji e mbyti draguan, mbreti e ndërtoi kishën "Shën Maria e Bekuar", nga altari i së cilës (gjatë pranverës), rrjedh ujë i bekuar që shëron çdo gjë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat