Ç’ është Kombi?

Opinione

Ç’ është Kombi?

Nga: Genc Xerxa, Sociolog, Më: 5 maj 2015 Në ora: 14:29

Ekziston një diskurs i vazhdueshëm në opinion në lidhje me termin komb dhe vështrimet apo shpjegimet e ndryshme në lidhje me këtë fenomen. Do tentoj disi në pika sa më përmbledhëse të shpjegoj kuptimin e lindjes dhe çështjes së kombit në mënyrë shkencore dhe ndoshta do ngjalli debat të vazhdueshëm në lidhje me këtë dukuri komplekse e cila mendohet se filloj të merr dhënë gjatë 200-300 viteve të fundit.
Thuhet nga filozof apo sociolog modern të cilët janë marr me shpjegimin e kësaj çështjeje sikurse Habermasi, Gellneri apo Andersoni, se ekzistojnë një sërë dukurish të cilët e sollën në skenë kombin, apo formën më të avancuar të organizmit social, që ne sot e njohim si të tillë, edhe pse gjatë rrugëtimit të tij ka pësuar ndryshime, dhe trajta e tij e shfaqjes dhe zhvillimit ka qenë e ndryshme, varësisht prej rrethanave dhe vendeve ku ai është shfaq, shpjegim ideologjik mbi kombin thuhet se nuk ekziston!

Nacionalizmi thuhet se zakonisht ka paraprirë kombin, apo si shtytje në fillet e saj nga identiteti kombëtar, nacional i cili shpjegohet si një proces shoqëror, e deri tek zanafilla e vetëdijes kombëtare e cila mendohet se fillon në “epokën e reformimit” të shek XV me lindjen e “shtypit industrial” (makina e shtypit e Gutenbergut), ku në këtë periudhë nga librat shkencor dhe popullor ekskluziv latin, fillojnë të gjithë këta tituj të lartpërmendur të përkthehen në gjuhë të folur apo amtare të popujve të ndryshëm dhe mendohet se gjatë viteve 1500-1600v më se 200 milion kopje titujsh janë përkthyer në gjuhë të ndryshme, kryesisht evropiane, është një dukuri që ngjalli ndjenjën e gjuhës dhe vetëdijes kombëtare, që i dërguan popujt e ndryshëm deri tek ndjenja e etnisë, përkatësisë së vet dhe lindjës së nacionalizmit apo më ndryshe, në aspektin ekonomik, të njohur si “epokës së shpërndarjes së kapitalit”, ku erdhi në kontekst edhe pakënaqësia apo dallimet mes veti, “pse disa popuj kanë përparësi, apo të bekuar në të mira materiale të kapitalit e disa Jo”?!Pra filluan dallimet mes palëve në skenë dhe u iniciuan lindjet e divergjencave qofshin ato kulturore apo etnike në raport të mjedisit dhe interesit politik të të mirave të shpërndarjes së kapitalit.

Nacionalizmi si rrjedhojë apo definim në fjalë vjen si një komponent në të cilën detyrimisht, njësia politike gjithmonë duhet të jetë në përputhje me njësinë kulturore. Çka i bie kjo? P.Sh. Mitrovica, pjesa mbi lumin Ibër në raport me Kosovën ka përputhje politike, pra ky vend gjendet brenda territorit politik administrativ të Kosovës, por ka dallim kulturor dhe njësia kulturore e Mitrovicës mbi lumin Ibër nuk përputhet me njësinë masive kulturore të vendit, ose shembulli tjetër, Presheva ka njësi kulturore të njëjtë me Kosovën, por njësi politike të ndryshëm, pasi gjendet në kufijtë shtetëror politik tjerë, atë të Serbisë! Pra, me një përputhje të tillë kulturore dhe politike brenda rrethanave të caktuara, dhanë predispozita për lindjen e kombit si një organizim social i një stadi më të ngritur, më kompleks dhe më të avancuar shoqëror, në mungesë të përputhjes së njërës komponent faktoriale, atëherë vështirë ishte për një ndjenjë apo vullnet të përbashkët, apo për një komb unik si rrjedhojë e nacionalizmit.

Mendohet se ekzistuan më se 8000 gjuhë të ndryshme dhe më se 27000 dialekte mbarë botën, por të gjithë nuk arritën të krijojnë kombin apo njësinë politike të tyre, nuk patën vullnet (kulturor dhe politik) apo aspirata në rrugëtimin e tyre,.. pra ATA janë shkrirë apo shuar në popuj të ndryshëm, ...mendohet se vllahët dikur ishin populli më i madh në Ballkan në shekujt e fundit, por assesi nuk arritën të krijojnë ndjenjën e vullnetit të përbashkët për krijimin e një kombi/shteti unik. Paramendoni tani çfarë fati ekziston për NE, ku tani ne kemi dy shtete ( me shumicë shqiptare) mes shumë gjuhëve, etnive, popujve të cilët nuk arritën të formësojnë vullnetin e tyre për krijimin e kombit apo shtetit, me gjithë faktin mund të themi se jemi një popull mjaft i bekuar në botë!

Lidhja mes shtetit dhe kombit nuk determinohet ekzluzivisht, thuhet se shteti Britanez dhe Francez janë formuar para kombit të tyre. Pra tek këto dyja shteti ka paraprirë kombin, tek disa tjera kombi ka paraprirë shtetin sidomos tek shtete kombe të formuara në 200 vitet e fundit. Pra mund të krijohet shteti dhe me kalimin e kohës të formësohet ndjenja e identitetit aktual kombëtarë me gjitha veçoritë dhe tiparet në kontekstin aktual dhe me një vullnet të përbashkët kulturor, politik të formësohet ndjenja e të qenit komb në raport me mjedisin apo territorin administrativ, ose anasjelltas ku kombi, apo kultura e përbashkët dhe vullneti për organizim shoqëror politik kanë sjell më vonë shtetin, zakonisht i përcjellë me sakrifica të shumta, njerëzore, materiale, ekonomike etj.

Edhe pse nuk ekzistojnë ideolog ndërkombëtarë apo ideologji e përbashkët kombëtarë universale, prapëseprapë në emër të saj kanë dhënë jetën me miliona dhe miliona njerëz. Thuhet se secili komb ka ideologët e vet nacional p.sh tek ne shqiptarët njihet Sami Frashëri, tek serbët Petar Grashanini, tek gjermanët Gehte etj të cilët ndihmuan në lindjen e vetëdijes dhe aspiratave nacionale si katalizatorë apo kanalizues të vullnetit të përbashkët kombëtarë. Pra, kombi nuk paraqet vetëm anën simbolike, heraldikën kombëtare, popullsitë, folklorike të gjuhës, etnisë nocionit por në fakt është një proces, fenomen më kompleks dhe më i thellë në përmbajtje.

Sipas Gellnerit mendohet se definimi më i mirë për kombin është se lind krahas vullnetit dhe kulturës së përbashkët në rrethanat ekskluzivisht të shoqërisë industriale. Pra vullneti dhe kultura e përbashkët në rrethana të caktuar të kontekstit social sjelli kombin.

Ekzistuan disa faktorë apo rrethana të caktuara socio kulturore politike dhe sidomos ekonomike që formësuar kuptimin e kombit apo e iniciuan atë, do i përmendim disa:

Kalimi i shoqërisë feudale në formacionin socio-ekonomik në atë kapitaliste, rritja e mirëqenies gjatë epokës së industrializimit, mendohet se mirëqenia rritet për këtë kohë aq sa në të gjithë shekujt e kaluar paraprak së bashku, pra një ngritje rapide e të mirave. Rritja njohëse apo kognitive e shoqërisë sidomos në aspektin teknik dhe shkencor, lindja e makinës me avull dhe lehtësira në punën fizike, mobiliteti social apo lëvizshmëria e individit, popullatës rritej, deri atëherë mendohej se 95-99% të popullatës kanë lind dhe kanë vdek në të njëjtin vend pa lëvizur fare, tani pra fillojnë edhe migrimet e popujve, etnive, dhe një mori faktorësh tjerë, e me rëndësi në theks, komunikimi i lirë nga konteksti apo i rrethanave aktuale.

Ndërsa ne aspektin politik lëvizje apo rrethanat në Evrope që ndikuan në ndryshime sociale bëri që të njihet epoka e ekzekutimit të mbretit anglez, Çarls I më 1649 dhe tentimi i krijimit të shtetit Commonwealth, (arrihet për një kohë të shkurtër), ku “vegjëlia” së pari herë kyçet në jetën politike, pastaj revolucioni francez dhe trajtat e organizimit shoqëror politik që pasuan nga ai feudal siç ishin monarkitë, perandoritë, principatat, dukatet, vilajetet, pashallëqet, qytete-shtetet të njohura në Itali, e deri tek lindja e shtetit apo formës më të re të organizimit shoqëroro-politik në kontekstin apo rrethanat e lindjes së nocionit shtete-kombe!

Studiohet dhe teorizohet, habiten si po mbijeton kjo lloj “ideologjie” e cila në vehte nuk disponon me ideolog ekskluziv sikurse marksizmi që ka marksin, e komunizmi me rënien e murit të Berlinit u shua, (ideologji dikur mbështetëse tani kjo ideologji e tejkaluar-postkomuniste) ndërsa ky, fenomeni i kombit, nacional ende i shprehur dhe mjaft i fortë dhe përmbajtjesorë, ende po ekziston edhe atë pa një bazë ideologjike mbështetëse, universale mes kombeve në fjalë.

Marksi për kombin mendoj se lindi si rezultat apo pasoj e lindjes së kapitalizmit, ose si rrjedhojë e socializmit apo integrimit të shoqërisë në mjedisin aktual, ndërsa teoria tjetër primordialiste apo e bazuar në lashtësi shpjegon se kombi lindi si një fenomen natyral vetvetiu.
Andersoni teorinë e tij mbi kombin e mbështet jashtë aspektit ideologjik, por ekskluzivisht kulturor si rrjedhoje e sistemeve të së kaluarës ku ai shkoqit dy tipare ajo e bashkësive fetare (edhe pse kjo nuk ka te beje aspak me religjionin në fakt, primare) edhe si rezultat i mbretërive dinastike, (Hapsburg) dhe e mbështet në dy paradokse, lashtësisë së nacionalizmit në sytë e historianëve dhe paradoksi i dyte jo ideologjik dhe bazë ideore për fenomenin e kombit nuk ekziston, por siç thashë më lartë, secili popull ka ideologët e vet, që nuk përkojnë me tjerët në korrelacion dhe kontekstin e kombit si nocion.

Pra nga kjo po rrjedh se kombi nuk mund të spikatet apo determinohet vetëm në aspektin kulturor të prizmit të ngushtë, sepse ky botëkuptim po na dërgon vetëm tek etnia, nacionalizmi apo vetëdija kombëtarë, por kombi në fakt i përket një stadi më të lartë të organizmit social i cili ngritët mbi atë kulturor duke u përputhur edhe me kontekstin politik, ekonomik dhe me një vullnet të përbashkët të shoqërisë (etnive të ndryshme në përbërje) për të jetuar ndër një “shtëpi” apo rregullim shoqëror politik në kontekstin aktual, e kjo sidomos lidhet edhe me sferën e formacionit ekonomiko-shoqëror. Pra, pa një bashkërenditje të faktorëve të tillë dhe lidhje mes veti, vështirë se mund ta gjejmë apo kuptojmë thelbin e kombit si një proces i shfaqur apo lindje e një fenomeni social.
Sa për ilustrim marrim SHBA-të i përbërë prej etnive dhe popujve të shumtë të ndryshëm qofshin ata me prejardhje evropiane apo latine, aziatike, afrikane etj, në fakt ata e njohin veten si amerikan, pa marr parasysh se kanë prejardhje etnie angleze, irlandeze, gjermane, spanjolle, afrikane etj Ata e njohin veten parimisht si amerikan duke mos u thirrur në prejardhje etnie por në specifika identitare kombëtare të krijuara me konsezus të njohur me termin (meltin pot ose “kazani i shkrirjes” së popujve të ndryshëm ndër një ombrellë të përbashkët kombëtarë të quajtur amerikan).Pra termi kombi ngritët mbi atë etni, popull, identitet apo refleks i brendshëm kulturor. Paramendoni secili të dëshironte të krijonte lidhje në aspektin etnik ose të popujve me një kulturë të përbashkët veç e veç, çfarë do ndodhte?!

refleks

Si qëndron Kosova në këtë raport me kontekstin aktual dhe diskursin që po ngjan në opinion. Kosova ka dy rrugë, njërën, ..pas shtetit të përmbyllur, shpresojmë funksional, të cilën çdo njeri e dëshirojmë të jetë, pra i mirëfilltë, ...Kosova mund të krijoj kombin përbrenda vetes në rrethanat aktuale me kohë, në kufijtë e vet të njohur administrativ dhe të filloj të krijoj dhe formësoj identitetin e vet përbrenda kontekstit aktual në raport dhe konsensus të brendshëm me faktorët e lartpërmendur, kulturor, ekonomik, politik dhe social, ose ose të shkrihet në ndonjë kontekst tjetër aktual të përbashkët, duke i humbur karakteristikat apo veçoritë dalluese të aspekteve kulturore aktuale (rajonale, traditore, dialektike, vetëdijes kolektive, raportit social ndër komunikues i brendshëm, stilit të jetës etj), pastaj atyre ekonomike, politike dhe sociale në një bashkë dyzim tjetër dhe duke e humbur identitetin e vet të formësuar në kushte dhe rrethana të reja të krijuara së fundi si rezultat i krijimit të organizimit më të ri shoqëror politik, shtetit që ka Kosova në përbërje. Pra, janë dy rrugë njëra e vetë-afirmimit në raport me kombet tjera, rrugëtimit të veçantë ose ose diskursit aktual, i përbërë nga disa zëra, të shkrihet ky lloj identiteti i sotëm, që do dërgonte një ditë Kosovën në komb të veçantë, ....ose pra s’dyti të tretet në kontekst aktual tjetër të vullnetit të përbashkët kombëtar në raport me etninë dhe historinë e përbashkët kulturore të kombit simotër apo të ngjashëm me atë shqiptarë, duke pasur frikë, apo bartur rreziqe, në “prishjen e strukturës shoqërore aktuale” pra duke i shtyrë edhe etnitë tjera përbrenda shtetit të Kosovës të gjejnë përshtatje tjetër të përbashkët kulturore jashtë kufijve aktual të Kosovës, si rezultat i reaksionit ndaj veprimit “hipotetik” që do ndërmerrte shumica shqiptare dhe njëkohësisht duke e prishur disbalansin e sotëm politik, ekonomik dhe social.

Duhet mos harruar, në kontekstin në fjalë detyrimisht të llogariten edhe faktorët tjerë social, ekonomik, politik, rrethanor etj përpos atyre kulturor, që do ishin “ndoshta” problematik për përputhje unike të suksesshme kombëtare, karshi kësaj të sotme ekzistuese tranzituese, që përkon të formësoj idetitetin e vet, pse jo “kombëtarë” në një të ardhme të afërt!

Pra kombi është një fenomen më kompleks dhe më avancues, se aspekti kulturor ku shumica e diskursit po bie pre e saj, (është më shumë se një abetare e përbashkët) pra duhet shikuar më thellë dhe më larg këtij konteksti duke i marrë për bazë edhe faktorët tjerë, që përmendëm më lartë, për një stabilitet dhe prosperitet kombëtarë, çfarëdo qoftë ai, i bazuar në vullnet të përbashkët shoqëror, pa diskriminim mes “partnerëve etnik ” përbrenda Kosovës, çfarëdo lloji qofshin ato, që sot përmbajnë identitetin strukturor të Kosovës me gjithë problemet që ka në identifikim, pra nocioni i kombit ngritët mbi kuptimin e nocionit të kulturës!

Pra duhet pasur kujdes me nacionalizmin dhe identitet e ndryshme arkaike që zakonisht kanë sjell luftëra dhe keqkuptime mes popujve, fenomen që ka sjell mjaft tërbim në regjione dhe kontinente të ndryshme, e përcjellë me pasoja të shumta njerëzore, gjithmonë me kujdes të shtuar duhet çasur këtij fenomeni social i cili thuhet për të sipas Malouf se “nacionalizmi është si një dragua vrastar që shumë vështirë qetësohet kur merr hov” dëshmitar jemi me atë çka ndodhi me luftërat në ish-Jugosllavi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat