Përsiatje në ditëlindjen e 103-të të Vatrës

Opinione

Përsiatje në ditëlindjen e 103-të të Vatrës

Nga: Sadik Elshani, Philadelphia Më: 28 prill 2015 Në ora: 10:04

Me 28 prill Vatra feston 103 vjetorin e themelimit te saj – 103 vite ne shërbim të bashkësisë shqiptaro – amerikane, në shërbim të çështjeve madhore të kombit tonë. Vatra është një emër i dashur, i nderuar, është një institucion kombëtar, është sinonim, është identiteti i bashkësisë shqiptare të Amerikës. Emri i saj është i lidhur ngushtë me disa nga fytyrat më të ndritura të kombit tonë, si: Noli, Konica, motrat Qiriazi e shumë figura të tjera. Ndër vite ajo luajti një rol të rëndësishëm, thënë më mirë, të pazëvendësueshëm për ruajtjen e gjuhës, traditave tona, identitetit tone kombëtar këtu në Amerikë, si dhe në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe zgjimin kombëtar ne përgjithësi. Rreth Vatrës dhe në gjirin e Vatrës shqiptaret u brumosen me idetë atdhetare dhe nder vite mbajtën gjallë frymën dhe qenien shqiptare, ndërsa gazeta Dielli që ajo botonte (dhe vazhdon ta botojë edhe sot) përhapte rrezet e diturisë e të përparimit në të gjithë botën shqiptare – u bënte thirrje shqiptareve që më armë në dorë të luftonin për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj shumëshekullore. Për rolin e saj qe luajti gjate historisë sonë kombëtare, Vatra u be simbol, u be shembull udhërrëfyes se si duhet organizuar e vepruar për të mirën e atdheut, për mirëqenien e kombit. Vatra u formua me një qellim te larte, për të krijuar një shtet shqiptar të pavarur, të lirë e demokratik. Ne periudhat e vështira e kaotike te historisë sonë, ajo shpesh luante rolin e një qeverie shqiptare, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe gjithmonë ishte dhe mbeti një ambasadore e denjë e vlerave tona kombëtare, kujdestare dhe mbrojtëse e çështjes kombëtare. Sot kemi dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Edhe pse Shqipëria dhe shqiptarët janë në një pozitë më të volitshme se kurrë ndonjëherë më parë në historinë tonë, ende kemi për të bërë shumë – vëllezërit tanë në Mal te Zi, Sanxhak, Luginën e Preshevës, Maqedoni e Çamëri ende nuk i gëzojnë të drejtat e tyre. Misionet kombëtare nuk kryhen kurrë, ato kalojnë nga një shkallë në shkallen tjetër, marrin forma e trajta te ndryshme. Kombi, shteti gjithmonë janë në ndërtim – ndërtimit te kombit, shtetit kurrë nuk i hiqen skelat.

Vatra u krijua ne kohen kur shqiptaret nuk kishin parti politike, por kombi, Shqipëria ishte partia e shqiptarit dhe shqiptarizmi ishte ideologjia e tij. Këtë traditë, këtë frymë atdhetare Vatra duhet ta vazhdojë edhe sot. Shqiptarët edhe sot kanë nevojë për një Vatër të organizuar mirë ku mund dhe duhet të mblidhen të gjitha mendjet e ndritura te kombit tone dhe me devotshmëri e përkushtim këmbëngulës u qasen çështjeve madhore te kombit tonë. Këtë rol, asnjë organizatë, asnjë institucion nuk mund ta luajë më mirë se Vatra, sepse ajo ka me shumë se një shekull në shërbim të kombit dhe gëzon adhurimin e besimin e shumicës se shqiptareve. Përvjetorët e Vatrës kane diçka të veçantë, sepse nuk i shënojmë, nuk i festojmë vetëm përvjetorët e themelimit të një organizatë që emri i saj është i shkruar me shkronja te arta ne faqet e historisë sonë kombëtare, por edhe për faktin se kjo organizatë ende jeton, ende është vakteve në mesin tonë. Kjo është magjikja e Vatrës! Kjo është ajo ura e fortë, ura e vetme shpirtërore qe lidh periudhën e Rilindjes Kombëtare me kohën e sotme.

Shoqatat si Vatra qe karakterizohen me një program, platforme, angazhim, vizion kombëtar, i përballojnë me sukses të gjitha sfidat, dallgët e stuhishme të historisë dhe dramave njerëzore, gëzojnë jetëgjatësi e përjetësi, ndërsa shoqatat që ndjekin politiken e ditës, shuhen shumë shpejt, sikur vete dita qe shuhet me perëndimin e diellit. Kjo është formula e jetëgjatësisë se Vatrës, por është edhe për faktin se Vatra u themelua, zhvilloi dhe ende po e vazhdon veprimtarinë e saj në një shtet demokratik si Amerika, shtet që nuk të pengon, por të ndihmon për ruajtjen e gjuhës, traditave kombëtare dhe qëndron larg intrigave e prapaskenave meskine. Vatra bëri shumë për shqiptaret dhe Shqipërinë – tani në duhet të bëjmë me shume për Vatrën që gjithmonë ta mbajë të ndezur zjarrin e atdhedashurisë, të rrezatoje vlera te larta kombëtare e njerëzore dhe ta vazhdojë me sukses misionin e saj fisnik kombëtar, duke e mbajtur gjithmonë lart e me lart flamurin e shenjte të shqiptarizmit. I urojmë asaj mbarësi e përjetësi!

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat