Rruga e Arbërit: Duke pritur për një takim formal me kryeministrin

Opinione

Rruga e Arbërit: Duke pritur për një takim formal me kryeministrin

Nga: Dr Gëzim Alpion Më: 28 prill 2015 Në ora: 09:26

Të nderuar Deputetë të Dibrës:

z. Shkëlqim Cani
z. Bedri Hoxha
z. Roland Keta
z. Ulsi Manja
z. Sherafedin Shehu
z. Përparim Spahiu

Po bëhet një vit që nga Tryeza e Rrumbullakët që organizuam në Tiranë për Rrugën e Arbërit ku, katër nga ju dhe një deputet me origjinë dibrane, patët mirësinë ta ndiqni dhe të kontribuoni në diskutime.

Që nga ajo kohë ne nuk kemi pushuar së lobuari për Rrugën. Megjithëse jo gjithmonë nga burime qeveritare, ne vazhdojmë të jemi të mirëinformuar për çështjen e fondeve.

Në mungesë të një marrëveshje përfundimtare me palën kineze, ngurrimi i deritanishëm i Kryeministrit Edi Rama për të na pritur, pavarësisht reagimeve negative që ka ngjallur, deri tani ka qenë deri diku i kuptueshëm nga ana jonë.

Ne i përshëndesim përpjekjet e Qeverisë dhe të z. Shkëlqim Cani, në postin e Ministrit të Financave, për vazhdimin me sukses të negociateve me palën kineze, si dhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugën një marrëveshje të posaçme për vazhdimin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit.

Në këto kushte, ne mendojmë se është në dobi të Rrugës së Arbërit dhe të Qeverisë aktuale që z. Rama të na presë në një kohë të përshtatshme në mënyrë që t’i dorëzojmë formalisht peticionin, i cili tani është përkrahur nga më se 10,000 nënshkrues online dhe në formularë. Peticioni ynë, në një formë, e ka bërë efektin e tij, aq më tepër që ky është peticioni më i gjatë në historinë e Shqipërisë që ka qëndruar larg influencave politike. Në këtë drejtim, peticioni do të ngelet i njëjtë deri në mbylljen e tij, kur të përfundojë me standarde Rruga e Arbërit.

Këtë radhë po ju shkruaj në emër të intelektualëve dibranë, që e kanë mbështetur pa rezerva këtë peticion mbarë popullor, si dhe të të gjithë përkrahësve të shumtë, që ju të ndërmjetësoni një takim me z. Rama. Përveç dorëzimit formal të peticionit, takimi me z. Rama do të jetë një rast shumë i mirë për të ndarë me të disa shqetësime në këtë fazë të finalizimit të marrëveshjes. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në Tiranë kurdo që të jetë e përshtatshme për z. Rama deri në fund të vitit në vazhdim.

Ne jemi të hapur për të ndarë mendimet tona edhe me palën kineze po qe se shtrohet nevoja.

Shprehim bindjen se në këtë moment kaq të rëndësishëm, ju do të ngriheni mbi gjithçka që ju ndan politikisht, për të dëshmuar para elektoratit dibran se jeni në lartësinë e duhur për të përmbushur detyrimin tuaj me integritet dhe vendosmëri.

Për ne do të ishte kënaqësi dhe privilegj që në takimin që po kërkojmë të ndërmjetësoni me Kryeministrin të merrni pjesë të gjithë ju Deputetët e Dibrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat