Një takim, “me bereqet”, pranveror...

Opinione

Një takim, “me bereqet”, pranveror...

Nga: Murat Gecaj Më: 28 prill 2015 Në ora: 00:18

Para se t’i shkruaj pak radhë, në këtë skicë, më duhet të bëj ndonjë sqarim ose saktësim. Nuk e di se si e mendojnë të tjerët, por kam përshtypjen se takime të tillë, si ky i yni sot, kanë të veçantën, por dhe të bukurën, me domethënien e tyre.
Ja, ku qëndron puna…Miku ynë i përbashkët, Hysë Hasa, me banim familjarisht në Filadelfia të Amerikës, ka ardhur këto ditë në Shqipëri, për “pushime”, siç thotë ai. Por, në fakt, atij “nuk po i zënë këmbët dhe”. Kështu, e shohim atë sa në kryeqytetin tonë, ku takon e pi kafe dhe çmallet me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë dhe sa në vendlindjen e tij, pra në Kukës, por dhe deri në Vlorë.

Ndërsa, në bisedat e zakonshme, ne flasim kryesisht për “bereqetin”, që marrim në vjeshtë, paska të tillë edhe tani në pranverë. Por ky nuk është ushqim i trupit, por i mendjes. E, fjalën e kam për librat, që botojmë e dhurojmë për kolegë e miq tanë. I kësaj natyre ishte dhe takimi ynë i sotëm, në një lokal në afërsi të Bibliotekës Kombëtare, si për ta përligjur më mirë atë. Ftesën na e kishte bërë pikërisht miku ynë, Hysë Hasa. Kënaqësi e veçantë ishte, për ne të tre, se kishim të pranishëm Gjeneral Lejtnant (në pension), Rrahman Parllakun-“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit” dhe autor i disa librave, me temë atdhetare.

Nuk është hera e parë, që Hysë Hasa vjen në Atdhe duarplot, nga vendbanimi i tanishëm i tij. Më parë, atje ai ka shkruar dhe i ka përuruar në Tiranë, katër libra: “Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Mes emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”(2009), “Nga Filadelfia, në Tiranë” (2011) dhe “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2011).
Vërtet Hysa ka shërbyer ushtarak (ka studiuar dhe për letërsi), por kjo gjë nuk e ka “penguar”, që të shkruajë dhe publikojë libra me vlera të veçanta. Sigurisht, ndonjëri dhe ka tematikë të tillë, pra flet për kolegë e miq ushtarakë. Ja, sot ai erdhi “duarplotë”, në atë takim të ngrohtë e domethënës. Duke buzëqesur, nga çanta e tij nxori dy libra të rinj, pra si “simite të ngrohtë”, të cilët sapo kanë dalë nga shtypshkronja. Ata, ai na i dhuroi me dashamirësi. Që në pamjen e parë, këta dy libra të tërheqin, si për tëmatikën, përmbajtjen e pajisjen me mjaft fotografi, por dhe me sasinë e faqeve. I pari, e ka titullin “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, me 545 faqe. Ndërsa i dyti, me 483 faqe, mban titullin “Kontribute atdhetarie-I”(Portrete ushtarakësh kuksianë). Pra, nënkuptohet që do të ketë dhe pjesë të tjera, në të ardhmen.

Nuk do të ndalem në përmbajtjen e këtyre dy librave të rinj, nga Hysë Hasa, pasi ai na njoftoi që do ta bëjë përurimin e tyre, në ditët e para të majit 2015. Sigurisht, aty do të flitet më imtësisht, si për vlerat dhe mesazhin, që ata përcjellin, sidomos te brezi i ri.
Në këtë takim të sotëm, sigurisht, ne folëm dhe për botime tonat, pasi secili nga ne ka disa të tillë. Por, njëkohësisht, e uruam dhe e përgëzuam këtë mik tonin e autor prodhimtar, nga i cili presim dhe jemi të bindur, që do të marrim libra të tjerë, në të ardhmen.
Tiranë, 27 prill 2015

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat