Atdheu dhe liria mbi të gjitha

Opinione

Atdheu dhe liria mbi të gjitha

Nga: Ismet Rashiti Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:40

Sa herë që vinë përvjetorët e dëshmorëve, na përshkon një dhembje dhe krenari e veçantë. Përkujtojmë me përulje sakrificën, trimërinë dhe heroizmin e tyre përballë forcave të egra policore e ushtarake serbe. Teksa po bisedonim me mikun tim Xhemshir Zenuni, veprimtar i çështjes kombëtare për epopenë e lavdishme të UÇK-së, në Zonën Operative të Nerodimës, përballë kishim fotografi të shumta të dëshmorëve dhe luftëtarëve trima, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga fshati Biti e Shtërpcës. Malësorët patriotë shqiptarë të kësaj ane, gjithnjë kanë qenë në shënjestër të forcave çetnike serbe. Të detyruar nga politika antishqiptare serbe, janë ndjekur, shpërngulur, maltretuar e mbytur nga torturat qindra shqiptarë. Së fundmi në vitet ‘90-ta Ibush Zenuni, u maltretua për vdekje me pretekstin e dorëzimit të armëve. Malësorët trima të Bitisë, historikisht janë dëshmuar në luftërat e popullit shqiptar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar. Nga ky fshat ranë tre dëshmorë: Ahmet Kaqiku, Nazim Bakiju, Agim Matoshi, ndërsa radhëve të UÇK-së, iu kishin bashkuar edhe 42 luftëtarë tjerë si: Gani Asllani, Lumnije Kaqiku, Adem Sokoli, Tafë Zenuni, Agim Murati, Hizri Qerimi, Bari Hyseni, Ramadan Halimi, Ruzhdi Matoshi etj.
Në mesin e këtyre shkëndijave të lirisë, qëndron kryelartë, luftëtari i paepur, tashmë dëshmor i kombit, Zahir Neziri, i cili gjatëmbëdhjetë vite më parë, pikërisht më 26 prill 1999, ra heroikisht përballë forcave ushtarake serbe te vendi i quajtur Rrasa e Gurit të Kalasë së Jezercit.
Dëshmori, Zahir Neziri, u lind në një familje atdhetare, më 03 shkurt 1972 në fshatin Burrnik të Ferizajit nga babai Izeti dhe nëna Fikrije. Djalë i një fshatari bujar, i cili me mund të madh rriti katër djemtë Tahirin, Sahitin, Xhevdetin, Zahirin dhe vajzat Ramizen, Hafizen dhe Afërditën.
Dalja në skenë e UÇK-së, dhe krisma e pushkëve të lirisë, nuk e linte të qetë, Zahirin, i cili në shtator të vitit 1998 bashkë me Tafë Zenunin dhe shumë luftëtarë të tjerë të kësaj ane vendosin ti bashkohen Brigadës 161 me Komandant, Ahmet Kaçiku dhe zv. Komandat Imri Ilazi në malet e Jezercit. Kontribut të veçantë gjatë kësaj periudhe kishte dhënë edhe familja e Feriz Zenunit nga fshati Biti e Epërme, e cila që nga viti 1968 jeton në fshatin Gaçkë të Ferizajt. “Nuk mund ti harroj kurrë ato ditë të vështira thotë pas kaq vitesh Xhemshir Zenuni. Babai im Ferizi dhe nëna Zekije pas shkuarjes së vëllaut më të vogël, Tafës së bashku me dëshmorin Zahir Neziri në radhët e UÇK-së, për shkak rrethanave të vështira, ishin detyruar të thonin se kanë shkuar për punë në Zvicër. Ndërkohë në familjen tonë ishin strehuar familjet e dëshmorëve Ahmet Kaçiku dhe Zahir Neziri. Kjo dhe arsye tjera kishin bërë që familja Zenuni si dhe shumë familje tjera shqiptare të ishin në shënjestër të forcave serbe, ndaj duhej patjetër ti tërheqim gratë dhe fëmijët në Tetovë, ku gjetën strehim në familjet bujare tetovarë, të cilat edhe sot i falënderoj. Kjo ka ndodhur me 1 maj të vitit 1999, ndërsa tri javë më vonë, kemi mësuar se Zahir Neziri ishte vrarë në pritë nga forcat serbe qysh më 26 prill 1999, pasi e kishte dërguar në Pikën 3 të plagosurin Rifat Bega nga fshati Jezerc”.
Zahir Neziri ishte njëri nga luftëtarët më të guximshëm. Merrte pjesë në aksionet e shumta kundër forcave serbe, ishte shumë i vendosur dhe shumë i përkushtuar për çlirimin e Kosovës. Dinte t’i përdorte mirë armët luftarake dhe i përdorte ato vetëm kundër armiqve të popullit shqiptar. Ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Të afërmit, miqtë dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së ruajnë kujtimet më të mira dhe përulen para veprës heroike dhe të pavdekshme të Zahir Nezirit.
Dëshmori Zahir Neziri, ra në frontin e luftës për të mos vdekur kurrë, më 26 prill 1999. Në kushte lufte e rrethana tepër të vështira, Zahiri ishte varrosur në vendin e quajtur «Sharranik» në malet e Jezercit, ndërsa sot eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj, ku në çdo përvjetorë familjarë, miq e qytetarë të shumtë përulen me respekt para veprës heroike dhe të pavdekshme të tij. Pas ka lënë bashkëshorten Nadije Zenuni- Neziri, vajzën Marigonën dhe djalin e vogël, Xhevahirin.
Zahir Nezirit kujtohet e nderohet me pietet të lartë nga të gjithë qytetarët e Kosovës së lirë për të cilën Zahiri dha jetën në moshën më të mirë !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat