Patatet e ngrohta

Opinione

Patatet e ngrohta

Nga: Iljasa SALIHU Më: 27 prill 2015 Në ora: 11:21

Malina me hapa të shpejtë po krijon nam. Gjithandej po flasin për Malinën, ani pse deri dje shumë pak njerëz dinin për ekzistimin e këtij fshati malor. Në Malinë, banorët e kësaj malësie ia dhanë pataten e ngrohtë në dorë autoriteteve policore. Kësaj radhe jo si metaforë politike, por si realitet, sepse e vërteta është se partitë politike maqedonase të cilët e filluan kacafytjen dhe luftën mes tyre, mirëpo më në fund e hodhën pataten e ngrohtë në truallin e shqiptarëve. Nuk e dimë nëse kjo dhuratë ishte me dëshirë apo me dhunë, kryesorja ata që po i shqetësojnë banorët e kësaj malësie u pritën me patate të ngrohta e të shijshme, gjegjësisht me prodhim vendor. Po ta shikojmë nga një kënd tjetër, ky veprim e ka anën e tij të mirë, edhe pse mund të jetë bërë krejt rastësisht apo prej frikës. Këta banorë këtyre mysafirëve të paftuar i treguan se nuk kemi bomba, por vetëm patate, prodhime vendore prej të cilave arrijmë të mbijetojnë. Këta banorë më ngjajnë me banorët e Egjiptit të cilët me rastin e grushtshtetit të gjendur nën thundrën e pamëshirës, gjenin forcë dhe vullnet që nëpër tyta të pushkës të vënë lule dhe degë të trëndafilit.

Banorët e paktë të Malinës që moti janë harruar prej shtetit, mbase kurrë nuk kanë qenë të kujtuar. Prandaj, në mënyra të ndryshme duke u marr me bagëti kanë shtyrë ditët e tyre të gjata. Ata janë vizituar prej mëtuesve shqiptarë për pushtet vetëm në kohën e zgjedhjeve. Natyrisht, duke qenë të shkëputur prej rrjedhave politike, aty më së lehti ka qenë i mundur krijimi i një burse të përkohshme ku mund të jenë shitur dhe blerë votat. Mbase do të mjaftonte edhe ndonjë premtim i rremë, si në çdo vend tjetër, madje edhe atje ku gëlojnë intelektualët, premtimet e rreme janë gëlltitur porsi çokollata zvicerane.


Me të drejtë partitë politike shqiptare kërkuan besimin e popullatës. Popullata ia dha besimin me kusht që ta ketë të drejtën të kërkojë prej tyre llogari edhe për gjëra të imëta. Nuk rrodhi kjo, lëre se për gjëra të imëta ata nuk po japin llogari, por edhe për gjëra madhore ata prej tjetërkujt po kërkojnë llogari në vend se vetë ata të japin llogari. Kësodore, BDI-ja për të satën herë me radhë thotë se do të kërkojë llogari prej institucioneve shtetërore, edhe atë pikërisht në kohën kur popullata po kërkon llogari prej saj. Përmes kësaj kërkese ajo vetë po dëshmon se brenda qeverisë është vetëm një lypëse, që qëndron në qeveri e ulur buzë qilimit të kuq, duke iu lutur kalimtarëve qeveritarë për pak mëshirë. Ajo nuk jep llogari, por kërkon llogari, paçka se votat i mori për të dhënë llogari dhe jo për të kërkuar llogari. Unë, ti, ai dhe ata kërkojmë llogari prej atyre që zunë kolltukët e pushtetit. Meqë ata nuk dëshmuan se janë në gjendje të japin llogari, atëherë ata kotësish marrin rroga, sepse pozicioni i tyre është si imi, yti, atij dhe i atyre. Mirëpo, kurrë nuk mund t’ia falë populli për mashtrimin dhe gënjeshtrën ndaj tyre. Disa prej tyre mund edhe të shkojnë në haxhillëk, por sërish kot, ngaqë mbrojtjen e së keqes dhe mos mbrojtjen nga e keqja është njeriu ai që vendosë nëse nuk ia falë apo nuk ia falë. Pas gjithë këtyre poshtërsive, nuk besoj se ka njeri që ia falë. Këtë të drejtë vetë Zoti ia garantojë njeriut!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat