Sherret e politikës së keqe - Goshinca si shkas

Opinione

Sherret e politikës së keqe - Goshinca si shkas

Nga: Emin Azemi Më: 26 prill 2015 Në ora: 13:07

Kaq vështirë qenka të na tregoj BDI se kush është ai far Xhevahir Ademi, i apostrofuari i MPB që paska qenë në krye të aksionit klandestin në Goshincë, ku ngelën të lidhur tre policë shqiptarë? Nëse ekziston një njeri i tillë me atë emër dhe nëse ai ka qenë ndonjëherë pjesëmarrës i ndonjë lufte këndej e andejpari, nuk besojmë se identiteti i tij do të mund të ngelë i panjohur për strukturat e BDI-së.

Është mirë të na tregojnë pastaj se si ka mundësi që ai Xhevahir Ademi të ketë komunikuar me policët shqiptarë në Goshincë përmes përkthyesit, i cili madje paska përdorur serbizma në maqedonishtën e tij qalamane(!). Këtu ka diçka që nuk shkon. Ka diçka që është menduar shpejt e shpejt, por nuk është analizuar sa duhet efekti karikaturial i kësaj ngjarjeje.

Pastaj, kaq e pamundur qenka të shkoj në Goshincë një delegacion i kombinuar i BDI (kryetari i Likovës, deputetë e ministra), edhe pas kaq ditësh kur ka ndodhur kjo ngjarje, për të parë nga afër çka ka ndodhur vërtetë në afërsi të këtij fshati malor?

Dihet se ata pa leje nuk mund të shkojnë atje, por nuk besojmë se është një mision i pamundur për funksionarët e lartë të një partie që është pjesë e pushtetit, sigurimi i një leje për të dalur atje lart, prej ku do të mund të na sillnin vërtetësinë e një ngjarjeje që po na preokupon të gjithëve tash e disa ditë.

Në Goshincë nuk u lejuan mediat shqiptare të depërtojnë. Atje hynë vetëm disa gazetarë maqedonas. Nga kush deshti dikush ta fsheh të vërtetën? Cilën të vërtetë? Pse ka dy të vërteta në këtë mesele?

Secili me të vërtetën e vet këtyre ditëve po e ngrys dhe po e gdhin ditën dhe pyetja qendrore që bëhet është: Pse pikërisht tani?

Pse tash kur lideri opozitar Zaev po vazhdon të shpalos aferën e përgjimeve, ku ka paralajmëruar se do të flet edhe për “Monstrën” dhe pazarllëqet e kryeministrit rreth emrit të shtetit, dikujt iu kujtua të shkojë në thellësitë malore të Goshincës dhe prej andej të na e sjell një imazh të përmbysur, i kundërt me atë që partia opozitare maqedonase po mundohet ta prezantojë tash e disa javë në opinionin e këtushëm publik.

Nëse dikush ka dashur t’ju tregojë shqiptarëve se gjendja e tyre në Maqedoni është shumë e keqe, a ka qenë e domosdoshme që për këtë të shkohet në Goshincë? Të lidhësh tre policë kufitarë shqiptarë dhe t’ua dërgosh përmes tyre selam politikanëve në Shkup, mund të jetë një sinopsis i mirë për ndonjë film triller, por assesi nuk mund të ketë efektin çfarë e kanë menduar ideatorët e kësaj ngjarjeje.

Pse, çka tha grupi misterioz prej 40 vetave (athua kush i kishte numëruar) diçka më shumë se ç’po thonë për çdo ditë gazetarët dhe analistët shqiptarë në Shkup? A ishte ndonjë zbulim i madh ajo që u tha për Marrëveshjen e Ohrit? Pse nuk po e themi ne këtë për çdo ditë nëpër gazeta e nëpër studio televizive? A po (keq)përdoren edhe njëherë shqiptarët për të filluar ndonjë proces të ri (i panjohur për ta) në Maqedoni?

Konflikti brendamaqedonas ka arritur pikën e vlimit, kurse thelbi i këtij konflikti është politika diametralisht e kundërt në shumë plane midis pushtetit dhe opozitës. Në Maqedoninë e pavarur ky madje është konflikti më i madh dhe të gjithë po frikohen që përmasat e këtij konflikti mund të dalin nga shtrati normal i rrjedhës. Vetëm përdorja e shqiptarëve si alibi për destabilizim mund ta ndryshojë këtë rrjedhë. Prandaj, edhe po punohet me të madhe ditët e fundit që konflikti brendamaqedonas të del nga shtrati dhe të ‘’vërshojë’’ në hapësirën ndëretnike.

Pushtetit aktual i nevojitet një zhurmues i fortë që do ta shurdhonte veshin e opinionit publik për të mos dëgjuar atë që do të mund të nxirrte shpërthima e bombës së radhës së Zaevit. Në grup reformatorësh të partisë së Gruevskit, jo vetëm që po i kritikon fuqishëm veprimet e liderit të saj, por ai ka paralajmëruar se rasti “Monstra” mund të jetë fundi i regjimit të Gruevskit. Këtë e ka paralajmëruar edhe Zaevi, por edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, të cilët janë të një zëri se ky rast është montim i klasik dhe shumë i ngjashëm me ngjarjen tragjike që kishte ndodhur në kafaterinë “Panda” në Pejë, e inskenuar nga regjimi serb për të fajësuar shqiptarët si gjoja vrasës të të rinjve serbë.

Të gjitha këto ngjarje që po ndodhin në Maqedoni janë produkt i politikave joparimore që u zhvilluan viteve të fundit, ku pjesëmarrja e shqiptarëve në këto politika vetëm sa e shton efektin e pakënaqësisë qytetare. Ishin dhënë shumë paralajmërime se diçka nuk po funksionon në politikën e Maqedonisë, por bartësit e funksioneve dhe përgjegjësive të larta politike kishin menduar se ato ishin vetëm fjalë boshe të analistëve që s’dinë t’i matin mirë punët.

Politikanët shqiptarë në Shkup dhe në Tetovë e injoruan zërin e qytetarëve dhe intelektualëve shqiptarë dhe ata jetuan në katrorin e tyre magjik prej ku e projektonin idilën e një jete të qetë, pa brenga dhe pa telashe. Mos dalja e BDI-së nga ky katror edhe atëherë kur në Goshincë ndodhte një ngjarje absurde me shumë të panjohura dhe kur në Kumanovë maltretohen disa invalidë të luftës, tregon për humbjen totale të kontaktit me realitetin dhe futjen në një rreth vicioz.

Viktima më e dhimbshme e këtij realiteti të vrazhdë është e vërteta, e cila po kamuflohet nëpër dhomat misterioze të politikave jo të ndershme dhe në kurriz të atyre që sakrifikuan për një ditë më të mirë. Por, sigurisht ky ankth nuk mund të shkojë në pafundësi, për arsye se limitet vlejnë edhe për politikën, e sidomos për atë që dikush e bën qëllimisht keq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat