“Duaje të afërmin tënd porsi vetën tënde “

Opinione

“Duaje të afërmin tënd porsi vetën tënde “

Nga: Dibran Demaku Më: 25 prill 2015 Në ora: 14:39

Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje,qortoje vetëm për vetëm.Në qoftë se të dëgjon,e shpëtove vëllanë tend.Poqese nuk të dëgjon,merr me vete një ose dy njerëz të tjerë,që çdo gjë të mbështetët në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve.

Atëherë Pjetri e pyeti:”Zotëri,nëse vëllai im gabon ndaj meje,sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë ?”

Jezusi i përgjigji:”Nuk po të them deri në shtatë herë,por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!” Dhe:”Duaje të afërmin tend porsi vetën tënde!”

Nga BIBLA

Sërish vrasje në Kosovë!Sërish derdhje gjaku!Sërish hasmëri në mes vëllazërisë!...Sërish lotë dhembjeje!Sërish mallkim nëne!...Dorasi dhe viktima ishin të një pragu! Ishin të një shtëpie! Ishin të një gjaku!Djem xhaxhallarësh më!...Zemrat e lënduara e të copëtuara pyesin: Ç` është kjo hije e zezë që na ka mbuluar dhe nuk në lë të shohim dritën e diellit?! Ç`është ky mallkim që e ka zënë fisin tonë dhe nuk shqitemi dot nga ai?!...Edhe sa zemra nënash do të copëtohen nga ky mallkim?!... Edhe sa zemra motrash do të helmohen e do të errësohen për jetë të jetëve?!... Edhe sa krah vëllezërish do të thyhen e nuk do të ngrihen më në fluturim?!... Edhe sa lotë baballarësh do të derdhen me pikëllim?!... Edhe sa hapërime fëmijësh do të ndalen në vrapim?!...

Nuk flitet as nuk tregohet për fajin e viktimës! Dhe mirë që nuk flitet! Çdo fjalë e thënë pas aktit të rëndë vetëm sa do t`i vriste edhe më shumë zemrat e lënduara!...

E ne patëm shpresuar shumë se këtë mallkim shekullor e kishim hedhur prapa krahëve që në vitet e nëntëdhjeta të shekullit që iku.Atëherë Rinia kosovare e ndihmuar nga të diturit e kombit dhe e udhëhequr nga Plaku i menqur-Anton Çetta,qenë bërë bashkë për ç`rrënjosjen e kësaj të lige!Atëherë mbarë populli qe betuar se më nuk do të kishte vrasje në mes vëllazërisë shqiptare! Atëherë i gjithë populli qe betuar se më nuk do të rridhte gjak nga gjaku ynë?!...Dhe pas atij betimi popullor qe bërë edhe falja e gjaqeve si mallkim i shekujve! E për atë vepër fisnike qe gëzuar çdo zemër shqiptare,qe gëzuar edhe çdo zemër e miqëve të Kosovës dhe të kombit shqiptar! Atëherë qenë pikëlluar vetëm zemrat e armiqëve të Kosovës dhe të kombit shqiptar!...

Mosmarrëvjeshje dhe ngatërresa ndërnjerëzore ka pasur ka dhe do të ketë derisa të ekzistojë shoqëria njerëzore.Por,mosmarrëveshjet dhe ngatërresat kurrë ama bash kurrë nuk duhet të kalojnë cakun dhe të shkojnë deri aty sa të marrin jetëra njerëzore!Dhe sidomos nuk duhet që mosmarrëveshjet dhe ngatërresat e ndryshme të marrin jetëra njerëzish në mes vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku! Nëse e arrijmë një standard të tillë atëherë do të mund të themi se kemi arritur të hyjmë në mesin e shoqërive më të avancuara të Globit! Në të kundërtën?!...

Në librin e shenjtë që emrin e ka Bibël thuhet:-Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje,qortoje vetëm për vetëm.Në qoftë se të dëgjon e shpëtove vëllanë tënd.Poqese nuk të dëgjon,merr me vete një ose dy njerëz të tjerë,që çdo gjë të mbështetët në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve….Atëherë Pjetri e pyeti:-Zotëri,nëse vëllai im gabon ndaj meje,sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?

Jezusi i përgjegji:-Nuk po të them deri në shtatë herë,por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Dhe:-Duaje të afërmin tënd porsi vetën tënde!“

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat