Kur mësuesi bie për liri – liria është afër!

Opinione

Kur mësuesi bie për liri – liria është afër!

Nga: Dibran Demaku Më: 24 prill 2015 Në ora: 17:36

Këtë titull të këtij shkrimi e kisha shkruar gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ato ditë kishte rënë për liri me pushkë në dorë mësuesi Vesel Demaku, përndryshe djali i madh i xhaxhait tim. Lajmi për rënien e tij më kishte goditur rëndë. E dija se ai nga fillimi ju kishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftë kundër Serbisë pushtuese. E dija që nga fillimi se në atë luftë ai edhe mund të binte për liri, por disi në brendësinë time e ndieja një zë që më thoshte se ai do të triumfonte. Dhe sa herë që kisha rastin të bisedoja me familjen time nga larg nëpërmes të telefonit, gjithnjë do të pyesja edhe për Veselin, që përveç djalë axhe, dikur në fëmijërinë time të hershme e kisha pasur edhe mësues. Dhe në netët e gjata të mërgimit shumëherë më ishte kujtuar edhe figura e mësuesit Vesel.

Dhe kur kisha dëgjuar se ai krahas ditarit të mësuesit kishte kapur edhe pushkën për lirinë e Kosovës, në sytë e mendjes sime ai më vinte madhështor dhe si një drangua. Si ai Dragoi që bënte luftë me Kuçedrën dhe në dyluftim dilte fitues. Edhe mësues Veseli, tash me pushkë në dorë më ngjante në dragoin e përrallës dhe thellë në zemrën time ndjeja tek triumfonte ndaj kuçedrës së quajtur-Serbi.

Por…

Lajmi që erdhi diku nga fundi i shtatorit të vitit 1998,ishte sa i dhembshëm aq edhe krenar. Mësuese-Veseli kishte rënë për liri ballë për ballë kuçedrës-Serbi. Kishte rënë në një betejë të pabarabartë me hordhitë e armikut së bashku me dy ish nxënësit e tij: Valon Xhemajlin dhe Afrim Hajdarin. Lajmet që vinin ato ditë sa ishin të dhimbshme, aq ishin edhe krenare. Mësuese-Veseli së bashku me dy ish nxënësit e tij Valon Xhemajlin dhe Afrim Hajdarin kishin rënë në betejë ballë për ballë ushtrisë armike. Ata kishin rënë në atë betejë duke mbrojtur popullsinë civile, pasi kishin lënë të vrarë shumë ushtarë të ushtrisë armike. Dhe mbase ata të tre do të triumfonin sikur kuçedra të mos sulmonte edhe nga ajri me helikopter.

Pas marrjes së lajmit për rënien heroike të mësuesit kisha vendosur të shkruaj për rënien heroike të tij me titullin e këtij shkrimi.

Por…

Kuçedra e plagosur për vdekje në ato ditë shtatori po vazhdonte edhe më tej luftën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ashtu siç kishte mbetur e plagosur rëndë nga ushtarët trima të UÇK-së, ajo vazhdonte të merrte edhe jetëra të tjera të popullsisë civile të Kosovës. Lajmet tronditëse që vinin tek ne, që ishim larg, bënë që ne nganjëherë edhe të humbnim ekuilibrin. Lajmi tjetër i kobshëm bënte fjalë për fshatin tim të lindjes Abrinë e Epërme. Aty në Abri të Epërme kuçedra e plagosur-Serbi kishte vrarë e masakruar shumë bashkëfshatarë të mi në lagjen Deliu e në mesin e tyre edhe mësues Habib Deliun. Lajmi më kishte tronditur shumë, saqë titullin e shkruar për shkrimin në fjalë e kisha lënë të vetëm dhe pa e vazhduar…

Kuçedra-Serbi, tashmë e plagosur do të vazhdonte edhe më tej të vriste këdo që i dilte përpara. Nuk vonoi e lajmi tjetër tronditës erdhi pas rënies së shokut dhe mikut tim të studimeve Enver Halitit nga Luboveci i Skënderajit. E kisha njohur në Prishtinë gjatë studimeve dhe së bashku me Enverin gjatë kohës së studimeve kishim shkruar edhe shumë poezi dhe shënime të ndryshme nga jeta studentore dhe i kishim botuar tek gazeta e studentëve “Bota e re“ apo tek gazetat tjera.

Edhe tash më kujtohet se sa gëzohej Enveri kur do të shihte ndonjë shënim apo poezi të veten të botuar në gazetë. Enveri ishte djalë i Drenicës dhe krejt veprimtarinë e vet e vet do ta orientonte nga patriotikja. Sepse siç thoshte nganjëherë edhe vet: “Tokës së Drenicës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi ia kemi borxh edhe jetën!...“. Dhe Enveri kishte rënë në fushë të betejës duke luftuar me kuçedrën-Serbi të plagosur dhe që po jepte shpirt.

Atyre ditëve të vështira, por edhe krenare të vitit 1998, për shqiptarët kudo që ndodheshin, më erdhi edhe lajmi tjetër tronditës: Shoku i studimeve Hamdi Berisha nga Malisheva kishte rënë në betejë me kuçedrën e plagosur. Një lajm të tillë nuk doja ta pranoja. Qëndroja me orë të tëra pran televizorit dhe radios, duke shpresuar se lajmi ishte i pavërtetë. Por, për fat të keq timin ky lajm nuk u demantua asnjëherë që të linte të kuptoje se ishte i vërtetë. Hamdiu (Berisha) kishte rënë në betejë për lirinë e Kosovës ashtu siç ishte betuar shpesh gjatë kohës së studimeve gjatë bisedave të ndryshme me shokë, nga ku edhe do të deklaronte: “Kur të vijë koha për Kosovën do ta shkreh një pushkë!“ Dhe vërtetë siç kishte premtuar edhe kishte bërë. Kishte luftuar gjer në plumbat e fundit për lirinë e Kosovës. Për lirinë e saj edhe kishte rënë, ashtu siç bien vetëm bijtë e nënave që lindin heronj…

Dhe nga fundi i luftës për liri do të binte edhe mësuesi im i historisë Daut Halilaj. Ai me rënien e tij do ti vërtetonte fjalët e veta që aq shumë herë na i kishte thënë ne ish nxënësve të tij se:-„Rënia për lirinë e atdheut është më heroikja dhe më madhështorja!“…

Përveç dhimbjes së ligjshme në ato ditë kisha ndier edhe krenari. Dhimbje për humbjen e të afërmve dhe shokëve e miqve, por edhe krenari për rënien e tyre në beteja për lirinë e Kosovës, ballë për ballë ushtrisë armike apo të kuçedrës së quajtur-Serbi…

Dhe ja tani pas kaq vitesh, në mesin e shkrimeve të tjera të bëra për ato ditë të lavdishme të luftës së Kosovës për liri, e gjej edhe titullin e këtij shkrimi. Dhe për një moment më kujtohen ato ditë plot tension por edhe plot krenari…Pas pak momentesh duke lexuar këtë titull diçka e brendshme më nxitë dhe më thotë se duhet ta bëj një shkrim për këta pesë dëshmorë të kombit të rënë për liri e që dikur që të pestët kishin ushtruar profesionin e mësuesit.

Dhe menjëherë e mora lapsin dhe e shkrova shënimin nën titullin që kisha shkruar në kohën e luftës. Desha që edhe njëherë para lexuesve t`i paraqes këta pesë dëshmorë të kombit, që për lirinë e atdheut dhanë edhe jetën e vet. Vet titulli i këtij shkrimi: “Kur mësuesi bie për liri-liria është afër“ më tingëllon sa i vërtetë aq edhe i gjetur. Dhe krejt në fund nuk më mbetët asgjë tjetër për të shtuar vetëm: Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët dhe të rënët e kombit!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat