Shteti politik përndryshe makiavelistët tanë

Opinione

Shteti politik përndryshe makiavelistët tanë

Nga: Kolec TRABOINI Më: 24 prill 2015 Në ora: 15:41

Qëndrueshëm ne mendimin se para se hipokrizia e fjalëve duhet veprimi, shkova e bleva librin "Princi" i Makiavelit për të kuptuar më mirë shoqërinë e marrakatun ku jetojmë (tymnajë), popullin tim dele që duron deri dhe rjepjen e lëkurës e pshurrur prej frike thërret në lemerisje: “Bane Zot ëndërr!”, për të kuptuar institucionet ku sundojnë e jo shërbejnë nëpunës të lartë honxhobonxho bukëshkalë, e kryekreje për të kuptuar akoma më mirë shtetin politik ku jetojmë.

Paska në botë dhe një ditë të librit që na qenka dhe shkak serioz për një koktej hipokrit qoftë në kryeqytet apo dhe në periferitë provinciale. E them këtë se libri shqiptar kombëtar është në ditën e tij më të keqe. Jo se nuk botohen duke boshatisur xhepat e autorëve por se i gjithë ky mundim shkon kot. Nuk blen njeri libër me autor shqiptar. Mundet të bëjnë konferenca, ti fusin një koktej, të venë një tryezë me një sofrabez të kuq si flamur ku qëndrojnë të deleguar në dukje hijerendë e të rëndësishëm ardhur nga Capital State( puff), por gjithçka është veç një fasadë. Punë herdhesh. I ndodhur në këtë mjedis përçudnues, hiporktit e mbytës shkova në këtë ditë të blej një libër. Sepse kjo ditë e ka një kuptim jo të mbash fjalime ordinere për rëndësinë e librit (uf-puff ), por të bësh aktin më të vogël, të shkosh e të blesh një libër.

Qëndrueshëm ne mendimin se para se hipokrizia e fjalëve duhet veprimi, shkova e bleva librin "Princi" i Makiavelit për të kuptuar më mirë shoqërinë e marrakatun ku jetojmë (tymnajë), popullin tim dele që duron deri dhe rjepjen e lëkurës e pshurrur prej frike thërret në lemerisje: “Bane Zot ëndërr!”, për të kuptuar institucionet ku sundojnë e jo shërbejnë nëpunës të lartë honxhobonxho bukëshkalë, e kryekreje për të kuptuar akoma më mirë shtetin politik ku jetojmë. Duke e lexuar atë libër nisa të kuptoj gjithçka që për 25 vjet më vinte si turbullirë me dëshirën për tu qytetëruar e begatuar si komb.
Nisa te kuptoj se mendësia e sundimtarëve tanë “princër” është ende në vitin 1513 kur Nicolò Makiaveli shkroi:
"Në çdo shtet ka dy orientime të ndryshme politike: ai i popullit; që nuk dëshiron të shtypet nga fisnikët dhe këta të fundit që duan të sundojnë dhe shtypin popullin; nga këto dy dëshira të kundërta, lind një nga tri zgjidhjet e mundshme politike; principata (tirania), republika (demokracia), ose anarkia e plotë".
Dhe Makiaveli vazhdon: "Të gjithë e dinë sa e lavdërueshme është për një sundimtar që të mbaj fjalën e dhënë e të jetoj me nder, pa qenë dinak e gënjeshtar. Megjithatë, përvoja e ditëve tona ka treguar se ata që kanë arritur të përmbushin dëshirat e tyre, e kanë bërë duke mos i mbajtur premtimet e dhëna dhe duke i mashtruar njerëzit". Po le të kthehemi 500 vjet më vonë në trojet tona arbërore.

Tani që po i shohim shqiptarët serish të marrin nga sytë këmbët për të ikur prej Atdheut. Çfarë mund të themi për politikën që për 25 vjet po punon veç për ta zhbi këtë komb e këtë popull, këtë Shqipëri që thënë të drejtën noton mes të dy brigjeve, të durimit e padurimit, herë duke u kthyer në një anarki të plotë dhe herë-herë duke u shpërftyruar si dele. Pra, nëse e përqasim me përvojën princërve të Makiavelit, gjithherë kemi qenë mes tiranisë (së pamundësisë për të jetuar në këtë vend) dhe anarkisë së plotë shoqëruar me braktisjen e atdheut, por asnjë herë nuk e kemi jetuar demokracinë e vërtetë falë princërve tanë makiavelistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat