EULEX-i në Kosovë nuk mbahet me para të qytetarëve të Kosovës

Opinione

EULEX-i në Kosovë nuk mbahet me para të qytetarëve të Kosovës

Nga: Behxhet Pacolli Më: 24 prill 2015 Në ora: 13:59

Ditët e fundit po konsumohet një polemikë publike midis Këshillit Prokurorial të Kosovës me EULEX në lidhje me një letër që një prokuror i huaj i kishte dërguar Presidentes në lidhje me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Kosovës. Kjo polemikë pason anipse pa lidhje shkakësore, artikuj të ndryshëm kritikë për punën e EULEX-it në Kosovë.E gjitha kjo më nxit me thënë disa gjykime të miat.

Së pari polemikat midis institucioneve, apo pjesëve të tyre duhet të ruajnë njëlloj vetëpërmbajtje në publik. Ato mund të zhvillohen në rrugë shkresore pa qenë nevoja të kontribuojnë në krijimin e një klime armiqësore ndaj një misioni ndërkombëtar i cili ka ardhur me na ndihmuar.

EULEX-i në Kosovë nuk mbahet me para të qytetarëve të Kosovës. Ai mbahet me paratë e taksapaguesve europianë të cilat janë dhënë bujarisht për të na ndihmuar ne në krijimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Në emër të mirënjohjes, të respektit për mikun, por dhe të arsyes së shëndoshë ne s’kemi kurrfarë arsye me ju kundërvënë EULEX-it, me ushtrue dhuntitë tona kritike ndaj të huajve, apo me shkarkuar frustrimet personale të dikujt që mund të ndikojë apo kontrollon media. Ne duhet me u marrë me oborrin tonë, me klasën politike, me institucionet tona, duke goditur problemet e tyre si korrupsioni, paaftësia, lidhjet me krimin e organizuar, etj,. Ne duhet me u fokusu tek puna e të zgjedhurve tanë, e institucioneve tona, si me i zhvilluar ato më tej dhe jo si me zhvilluar apo përsosur europianët dhe perëndimorët në përgjithësi. Vetëm kjo qasje, ky lloj angazhimi vetëkritik është një shërbim që i bëhet parasë publike, parasë së qytetarit të Kosovës.

EULEX-i mund të ketë probleme, Bashkimi Europian mund të ketë probleme, por ato nuk i zgjidhim dot ne, nuk i korrigjojmë dot ne, dhe as na takon ne të merremi me to.

Dhe krejt për në fund, por jo për nga rëndësia: a vërtet besojmë ne se problemet e mëdha të krimit në paqe dhe në luftë, të korrupsionit ne do mund t’i adresonim me institucionet vendore, pa eksperiencën e duhur, pa kurajo, dhe me lidhjet farefisnore që karakterizojnë shoqërinë tonë? Kurrë!

Për aq sa është bërë, pak ose shumë, me shpejtësi apo me vonesa, ne duhet t’i jemi faleminderues miqve tanë europianë që na ndihmuan të fitojmë lirinë dhe ta zhvillojmë atë. Kjo është e njerëzishme gjithashtu! EULEX, KFOR, apo misionet e tjera janë të detyruar të bashkëpunojnë me organet e zgjedhura prej nesh, me shoqërinë civile, por s’mund të na zëvendësojnë ne për gjithçka, të hedhin votën për ne, dhe aq më tepër të paguajnë problemet tona të brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat