Delirium në “bombat” e Zaevit

Opinione

Delirium në “bombat” e Zaevit

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 22 prill 2015 Në ora: 16:54

Pushteti i këtushëm është para një sfide të vështirë politike. Ajo po përballet për çdo ditë e më shumë me “bombat” e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev.

“Bombat” e para për opinionin e këtushëm nuk ishin me efekt aq edhe tragjik sa këto prej të dhjetës e këndej.

Renditja sistematike e temave në “bombat” e Zaevit si duket është bërë me një strategji të caktuar të lojës së shahut deri në rrëzimin e mbretit. Por, megjithatë, efekti i masës ose psikologjia e turmave si duket po ndikohet prej lodhjes ose serisë së gjatë dhe po ulë nivelin e saj.

“Bombat” e Zaevit në fillim të ishin të fuqishme kaq sa janë kohët e fundit, fjala e tij se Gruevski duhej të dorëhiqej për tri ditë do të kishin vlerë dhe do të çonin peshë. Megjithatë, mbulesa politike e një pazari të brendshëm prapa perdeve bën që në mënyrë sistematike opinioni të mbahet në këmbë duke pritur “bombat” e radhës.

Tashmë çdo njeri në Maqedoni di për “bombat” e Zaevit. Si duket shtrëngimi i medieve nga ana e Nikolla Gruevskit e ka bërë të veten. Populli është imunizuar me frikën dhe censurën e qëllimshme. Thyerja e kësaj censure dhe vazhdimi i një seriali të këtillë si “bombat” e Zaevit përsëri është në favor të përgatitjes së masës për krijimin e një censure të re.

Në Maqedoni përmbajtja e këtyre materialeve as nuk pohohet, por as nuk mohohet nga ana e partisë në pushtet. Ka nisur një proces hetues gjyqësor kundër liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, duke e shpallur atë si tradhtar ose shitës të interesave shtetërore. Njerëzit me padurim po e presin aktin final të rrëzimit të mbretit nga froni, ose mbylljen e kësaj loje shahu. Rezultati pak a shumë është i ditur për të gjithë. Por, pasojat e periudhës pas “bombave” të Zaevit për shqiptarët e Maqedonisë mund të janë të frikshme.

Akti i rrëzimit final të mbretit nga froni veçse ka nisur me nisjen e bisedimeve në Bruksel. Mos përfshirja e faktorit politik shqiptar në këto bisedime, si duket i largon ato nga përgjegjësia politike në gjithë këtë katrahurë që ka kapluar nënqiellin e Maqedonisë. Sinjalet nga Brukseli janë të mira deri në arritjen e një marrëveshje politike për tejkalimin e krizës.

Republika e Maqedonisë në periudhën e “bombave” të Zaevit po ngjall shumë organizata guerile si dhe elemente të nxjerra nga e kaluara komuniste. Kanë filluar që të shtypen gazeta guerile, po ekzistojnë portale guerile, kanë nisur emisione guerile, njerëzit në formë guerile po marrin anën duke ditur se kur të rrëzohet mbreti i ngritur mbi gjakun e popullatës, sa poshtë do të bjerë. Ideja guerile ose pa dëgjueshmëria qytetare e shprehur tashmë edhe haptas përmes shumë protestave që po organizohen në rrugë, mund të sjell pasoja negative edhe për periudhën pas Grueviane.

Rruga se si do të rrëzohet Nikolla Gruevski është rrugë që e mëson këtë të fundin ose subjektin e tij politik për revanshizëm në të ardhme. LSDM duhet të qëndroj në këmbë të qelqta. Ajo do ta ketë të vështirë që në të ardhmen të marr hapa konkret drejt minimizimit të politikave të opozitës së ardhshme politike në vend.

Në skenën e këtushme politike po përballen dy gladiator ose dy tabore që vijnë prej dy vijave të ndryshme ideologjike. E djathta dhe e majta politike të cilat janë provuar në skenën politike maqedonase e të cilat në raport me shqiptarët kanë qenë xhelat të papërmbajtshëm deri në sjelljen e pasojave në kryengritjen ushtarake të shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2001.

Mesi ose një parti maqedonase liberale do të ishte një zgjidhje e përshtatshme për të zbutur pasojat e rrymave politike në vend, drejt zbutjes dhe krijimit të një klime mirëkuptimi. Kjo gjë duhet të vij natyrshëm përmes rrugës evolutive e jo revolucionare. Gati të gjithë jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian nuk ndodh me ndryshimet ose reformat politike, ekonomike, gjyqësore e sociale që duhet të ndërmerren në vend, pa vullnetin politik të Bashkimit Evropian.

Kur dihet ky raport i provuar me shtetet e Ballkanit që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë duhet që zgjidhja të kërkohet në evolucionin e brendshëm drejt kërkimit të një rryme politike liberale që do të hijezonte skenën politike në vend. Pa mirëkuptimin e dy etniteteve kryesore në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve, ky vend të ardhmen do ta ketë tepër të brishtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat