Qiri i fikur apo - i fëlliqur?

Opinione

Qiri i fikur apo - i fëlliqur?

Nga: Shkruan: Skender Zogaj Më: 22 prill 2015 Në ora: 13:32

Listat për veteranë dhe për kategoritë e tjera të luftës çlirimtare të Kosovës u bën kos, sepse Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së, luftëtarët i verifikoi si të ishin marangozë! Këtë e treguan listat e publikuara plot me parregullsi të mëdha në të gjitha zonat operative të luftës. Me emra dhe mbiemra u vërtetua se Komisioni e ka bërë punuar me shkelma, duke shpallur veteranë lufte edhe persona që nuk e kanë pa luftën me sy, ose që e kanë pa në TV ose të strukur në palët e dimive të grave. Mos qoftë e thënë nga goja ime, por, ka fjalë se në listat e veteranëve kanë arritur të hyjnë edhe disa kumbarucë të serbëve! Pra janë shpallur veteranë lufte edhe persona që, do të duhej të ishin demaskuar dhe dënuar për sjelljen e tyre të shëmtuara në kohë lufte! Kjo gjendje që nuk ka dyshim se është shumë ofenduese për luftëtarët e vërtetë, të cilët ende i kane plumbat në trup dhe gjokset plot me xhallota plagësh nga lufta, që me të drejtë janë shumë të irrituar ndaj komisionarëve të pafytyrë, që vunë dorë në madhështinë e luftës dhe përbuzën shenjtërinë e gjakut të derdhur hakikat për popull e atdhe. Nepotizmi primitiv i komisionarëve që nxorën “veteranë” të shpifur nga familjarët, farefisi, miqësia, është akt i ultë dhe i shëmtuar, sidomos kur shihet se kanë mbetur jashtë listave luftëtarë të denjë, figura madhore të luftës çlirimtare të Kosovës. Kjo është më shumë se turp, pra është krim, që cenon rëndë integritetin dhe qenësinë e luftës dhe vlerave të saj, sepse, shpallen veteranë ca iteresaxhinjë pisanjozë, lëmyshkë, lëpiskaxhinjtë..., që për një mollë me sheqer janë në gjendje të shesin shpirtin dhe nderin e tyre. Dhe, meritën për këtë e ka Komisioni, era e keqe e të cilit nuk mund të hiqet, sado që ca vullnetëmirë u përpoqën që në batak të hedhin lule!

2.
Punën e pandershme të Komisionit për fat të keq, u përpoqën që ta arsyetojnë edhe disa personalitete të nderuara të luftës çlirimtare, si fjala vjen, komandanti i shquar i Koshares, Rrustem Berisha, një figurë e mirënjohur dhe fort e respektuar për kontributin e dhënë për çlirimin e vendit. Po, e ka lavdinë të merituar që nuk mund t’ia mohojë askush, pos, nëse don vet, si në rastin e deklaratës për Komisionin, që nuk përkon fare me figurën e një luftëtari të vërtetë, që nuk i ka hije përulja kur preken vlerat e luftës, sikur që ndodhi me listat, në të cilat u shkel gjaku dhe plagët ende të njoma të qindra luftëtarëve të lirisë, që Komisioni hileqar, i anashkaloi me përbuzje. Na merr buza vaj, si ka mundësi dhe pse komandanti që ka hangër barut me dhëmb nuk e ngriti zërin kundër aktit të turpshëm të Komisionit, por, mori anën e tij, duke e arsyetuar:
“Gabimet janë edhe si rrjedhojë se disa prej atyre që është dashur të jenë në lista nuk janë paraqitur, ose familjarët e tyre nuk i kanë paraqitur. Pastaj, ka edhe gabime të natyrës teknike, do të thotë dikush e ka plotësuar gabimisht formularin. Por, besojmë se të gjitha problemet do të sqarohen brenda afatit, i cili është paraparë me ligj, për parashtrimin e ankesave.”
Jo, Komandant nuk është hiq e vërtetë se – gabimet janë rrjedhojë e mosparaqitjes së atyre që është dashur të jenë në lista! Nuk është hiq e vërtetë se kjo ka ndodhur për shkak të - gabimeve të natyrës teknike; ose sepse dikush e paska plotësuar gabimisht formularin!? Jo Komandant! Kjo është tallje, njësoj si e Komisionit, që lëndon sedrën e luftëtarëve, sidomos, të luftëtarëve që kanë luftuar nën komandën tënde dhe ju e dini fare mirë të vërtetën e kristaltë të luftës së tyre! Deklaratën mund ta keni menduar qëllim-mire, por në fakt është hardalloze, sepse, justifikon fyerjen që u bëhet qindra luftëtarëve të vërtetë, dhe miraton falsifikimin e listave me ca lakmitarë të mjerë. Kjo lojë i madhi komandant i Koshares, të fyen edhe ty, sepse, duke t’i mohuar ushtarët, në fakt të ka mohuar edhe Ty dhe meritat e tua luftarake, sepse pa ushtarët mund të jesh vetëm një “gjeneral i ushtrisë së vdekur”!

3.
Të indinjuar nga falsifikimi i listave, shumë luftëtarë të dritës kanë reaguar ashpër dhe janë distancuar nga puna e Komisionit. Disa edhe kanë hequr dorë nga pranimi i statusit të veteranit, përderisa të mos pastrohen listat nga fëlliqësirat, dhe të hyjnë të gjithë luftëtarët e vërtetë! Këta luftëtarë me krenari kanë dalur në mbrojtje të dinjitetit luftarak që nuk lejon abuzim me vlerat e luftës ҫlirimtare. Ata që njollosin këtë vlerë të shenjtë, janë përbuzës të popullit dhe atdheut, janë jo veteranë, por mjeran të luftës. Luftëtarët e vërtetë nuk rrejnë, nuk mashtrojnë, nuk e hanë bukën e turpit, siç është përpjekur që t’ua gatuaj Komisioni.
Këtë është dashur ta ndjente dhe ta shprehte edhe Komandanti i Koshares, dhe jo, të shfajësoj punën e keqe të Komisionit, duke thënë se listat janë rrjedhojë e “...gabimeve të natyrës teknike, do të thotë, se dikush e ka plotësuar gabimisht formularin.”!
Jo, jo, jo! E vërteta është ndryshe Komandant: luftëtarët kanë mbetur pa hy në listë për shkaqe të natyrës thjeshtë politike dhe ideologjike, janë refuzuar apriori për shkak se kanë qenë pjesëtarë të FARK-ut, pra sepse kanë qenë të strukturës institucionale të Republikës së Kosovës, sepse kanë qenë legalë dhe në kuadër të formacioneve të mirëfillta profesionale, kanë qenë të komanduar me detyra dhe me përgjegjësi konkrete luftarake, e jo luftë bashibozukësh që kanë shkrep një krismë dhe ia kanë mbath duke e lënë katundin në duart e dhunuesve serbë. FARK-istët ishin kuadrot me përgatitje elite profesionale, ishin forca e vërtetë dhe më kryesore luftarake, e dëshmuar me rezultate konkrete në të gjitha kryebetejat si: në Koshare, në Loxhë, në Pashtrik, e kudo tjetër ku kanë marrë pjesë dhe dihet se, kanë shkëlqyer! Dhe, pikërisht KËTU qëndron faji dhe pengesa e vetme që FARK-istët janë eliminuar nga listat e veteraneve dhe kategoritë e tjera të luftës.
Kjo dhe vetëm kjo është e vërteta! Dhe kjo e vërtetë duhet të thuhet hapur, në mënyrë që FARK-istët ta trusin bythën dhe të presin një kohë tjetër drejtësie, për të nxjerrë në shesh të vërtetën e luftës së tyre.
Shteti i Kosovës vazhdon të jetë në hall dhe aktualisht nuk mund ta mbrojë drejtësinë, mirëpo, shteti do të kthjellet dhe besojmë se falsifikatorët do të marrin dënimin e merituar: - si kërkuesit rrenacakë ashtu edhe komisionarët falsifikatorë, që duke përdhosur vlerat e luftës kanë cenuar nderin e historisë kombëtare dhe ndjenjat liridashëse atdhetare, që ligj të vetëm e kanë të vërtetën dhe drejtësinë. Populli ka thënë “Kadal beg, se ka hendek!” dhe ka lënë porosinë e artë “Më i mirë qiri i fikun, se sa qiri i fëlliqun!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat