Kur maqedonasit na “shajnë” serbisht

Opinione

Kur maqedonasit na “shajnë” serbisht

Nga: Fadil Lepaja Më: 21 prill 2015 Në ora: 10:08

Ju kujtohet “Kënga e Poçarit” ? Ajo kur poçari shqiptar, gati i asimiluar në Stamboll, e lutë blerësin shqiptar nga atdheu të e shajë “edhe një herë” ...në shqip! Tash paramendojeni të njëjtin dyqan, ku ka hyrë një maqedonas, nga atdheu po ashtu, e t’a ketë sharë serbisht? Qy serbisht, maqedonisht thuaj! Por, do ti, maqedonasit ne po na “shajnë” vetëm serbisht, kohëve të fundit! E kanë kuptuar se kjo na bënë me nerva! Po e bëjnë me qëllim?

Pas “enciklopedisë”, maqedonasit po vazhdojnë të kopjojnë serbët! Ju kujtohet se serbët e bënë atë “memorandumin” e famshëm, i cili e ndezi luftën në Ballkan! Pastaj kaluan në sharje dhe ofendime, edhe plane për shfarosje, pra...kaluan në veprim! Vazhdimi tashmë është një faqe e errtë në librin historisë globale! Memorandumi i SANU, është edhe arsyeja bazë përse NATO është këtu, në Bosnje dhe Hercegovinë! Në Maqedoni!

Në “enciklopedi” maqedonasit, sikurse edhe serbët, luanin me identitetin tonë! Me identitetin vet është e ditur botërisht se kanë ca probleme! Nuk e dinë se çka janë, por dinë se çka nuk janë! Nejse...!

Më duhet të pranoj, se këtë kolumne nuk e kam shkruar veç vet! Kam bashkautorë! Tash, për t’a thurur, vet e kam thurë, por e kam bërë me krahasime! Bashkautorët po i përmendi mbase me refleks të lindur, që e ka kombi ynë i (pa)fajshëm, për të shpërndarë përgjegjësinë! Se tema është e “ndjeshme”! Nëse gaboj, nuk mund të shfajësohem as nga zhurma e fëmijëve, që po shahen diçka mes vete, përjashta! Shpesh marr ide, nga ata, për të shpjeguar sjelljet e politikanëve! Ata po lozin zhurmshëm përjashta! Ne këtej nuk kemi oborr! Drejt e në ... publik! Kështu, nga frika se më akuzojnë se po hiqem si shumë i mençur, apo se jam qëllimkeq, po fshihem pas ... gjermanëve! Pra, të fillojmë ... “ “Intelektualisht do të kisha bërë një duel me ty, por po shoh se nuk je i armatosur ”, kështu mbase këto ditë do i drejtohesha, “gjermanqe” ndonjë politikani maqedonas, të apostrofuar kohëve të fundit për striptiz verbal, politik! Ata ishin të sinqertë! Nuk po e dinin se po i dëgjonte ndokush! Në fakt, ata, po përgjoheshin!

E fjalinë e mësipërme, e mora nga një rrjet social shqip, ku po lexoja një përmbledhje interesante se si gjermanët, e ofendojnë njëri tjetrin. Me mirësjellje, gjithsesi! Gjerman de! Pastaj, bëhet fjalë për ofendime nga jeta publike, jo nga ato që bëhen pas shpinës së publikut.

Kush e di se si do të tingëllonin gjermanët, sikur të kishim transkriptet e bisedave të tyre të përgjuara, për popujt dhe liderët e Ballkanit?!

Paramendojeni një aferë gjermane sikurse kjo maqedonase, me përgjimet! Apo ajo e më hershmja kosovare, e njohur si “pronto”!

Në këtë të fundit sharjet ishin shqip! Edhe ofendimet! Ishin kundër shqiptarëve! Bashkëvendësit e bashkë partiakët madje, quheshin zagarë, e kryetari i kuvendit shahej me nënë! Ministrat e “ministreshat” zbuluan afera, për të cilat u dënuan? U shpërblyen, thuaj!
Por, të kthehemi te shembujt gjerman.

“Ju jeni shembulli më i mirë për të dëshmuar se aborti nuk funksionon gjithmonë”, e ofendonin dikë! Me këtë ata po jepnin një kontribut publik rreth debatit global për abortin! Shenjtëria e tij Papa, gjithsesi do të kundërshtonte! Jeta është dhuratë e Zotit! Duhej të vinte në jetë, edhe ky! Ky ishte mesazhi! Pastaj, kush na garanton se ai tjetri nuk e mendonte të njëjtën gjë për “ofenduesin”! Dukej të ishte “dashuri” reciproke! Pra, dilemë e madhe kjo puna e abortit...politik!

Një tjetër, e fyenin kështu:” Athua, si dukej në të vërtetë fytyra jote para aksidentit?” Ah, gjermanët...e hollë!
Këtë nuk e pëlqeva! Fillimisht më bëri të dyshoj se mos ka të bëjë me ofendime personale! Fytyrën askush nuk e zgjedh kur lindë, e as aksidentin nuk e preferon! Por, ajo mund të ndërrohet me operacion plastik, e nga shumë “aksidente” sidomos në politikë, edhe mund të shpëtohet duke i vënë karar ... gojës!
Keni dëgjuar si bëhen operacionet politike? Më falni, po pyesja për ato plastike! Pra, merr pak lëkurë nga prapanica dhe ...krejt rregullohet politikisht! Po pra....politikisht!

Kështu e kuptova, batutën gjermane! Po e pyesnin dikë për fytyrën politike, përpara se të vinte në pushtet! A nuk është njëfarësoj aksidenti, edhe ardhja në pushtet? Ndërron fytyra?
Ishte aksident, do të thoni, kur një drejtues opozite vendosi të bëjë publike bisedat e qeveritarëve, maqedonas? Dolën shumë pikantëri, sidomos nga ato për komunitetet e tjera të cilat nxitën reagime. Cila ishte fytyra e qeverisë, përpara aferës? Lëkura u shkëlqente, po se po, por edhe pyetja që lindë vetvetiu, krejt natyrshëm është: kishin bërë operacion?
“Po na ofendojnë”, klithën disa intelektual shqiptar, të shqetësuar me nivelin civilizues të politikanëve maqedonas, e duke harruar shpesh edhe politikanët tonë! Kush e di çka flasin, kur përgjohen?

Por, të kthehemi te ajo batuta me abortin! Sikur, nënat tona të ishin pro abortit, dhe të e kishin abortuar pjesën shqiptare në Maqedoni, a do të ishin zgjidhur problemet e politikanëve dhe intelektualëve maqedonas?
A nuk e kanë shprehur sa herë publikisht dëshirën, që shumë politikanë shqiptarë e madje edhe shumë qytetarë të ishin “abortuar”? Kjo do të siguronte suksesin e politikës ndëretnike të shteti maqedon? Gjithësesi, do të kishte më pak probleme me regjistrimin e popullsisë! Me shtetësinë!

A mund të “luftohet” intelektualisht, me këtë klasë politike, dhe intelektualët maqedonas, që po i kopjojnë serbët e paraluftës? A mund të luftohet intelektualisht me ‘ta, kur janë kaq të pa armatosur? A është etike?
Nuk e vazhdoj dot më tej me gjermanët e kujdeshëm! Po e vazhdojmë me një francez: "Ofendimet janë argumete të njerëzve, që nuk posedojnë argumente." Do të thoshte dikur Jean-Jacques Rousseau!

Për mbyllje, po e ruaj një batutë tjetër, edhe kjo e përfolur si gjermane! Kështu mbase do të klithë edhe ndonjë intelektual maqedonas,apo shqiptar, i cili nuk mendon si kolegët e vet! As si kolegët e mi! Thjesht, ndihet keq me dy palët dhe atmosferën!

Do të më pyeste, mbase: “A nuk ke berber për t' ia treguar gjithë këto pallavra?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat