Ti themi Po, Bashkimit Kombëtar!

Opinione

Ti themi Po, Bashkimit Kombëtar!

Nga: Gani Qarri Më: 21 prill 2015 Në ora: 09:12

Ka ditë që pothuajse në të gjitha mediat e shkruara dhe ato elektronike, shkruhet e flitet disi me pasiguri dhe ndrojtje të tepruar, për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sado që shqiptarët,gati në të gjitha shkrimet dhe deklarimet e tyre, kanë gojën plot bashkim,kësaj radhe, sikur u gjendën të hutuar para kësaj ideje të vjetër, dhe shumica sikur u stepën dhe heshtin fare, madje pak kush merret me këtë Ideal të madhë, lënë amanet të pashuar edhe nga Rilindësit tanë të nderuar, që para shumë kohësh, për bashkim kombëtar!
Problemi i ndarjes së shqiptarëve është realiet,ai tani e mbi një shekull ekziston,ndaj Evropa dhe e gjithë Bashkësia Ndërkombëtare,e din mirë fatkeqësin tonë, të cilën më në fund ,duhet ta marrin në konsideratë me seriozitet,trajtojnë me kujdesin e duhur dhe gjejnë një zjgidhje adekuate për të, qoftë edhe duke kaluar nëpër disa faza afatshkurtëra kohe për implementim.
Madje, pasi që edhe Kryeministri Rama tanimë ndodhet në Bruksel në takimin rajonal për bashkepunim e zhvillim ekonomik të ashtuquajtur “Western Balkans’ 6” në atë "kuvend" me siguri do të flitet edhe për deklaratat e tij më të reja për bashkim, ndaj më çudit jo pak heshtja e pakuptueshme e faktorit intelektual, gjithëkombëtar.
Athua,vërtetë është momenti të gjithë të heshtin,megjithëse në raste si këto, në çfarëdo kohe do pritej prej tyre më shumë "zhurmë", qoftë edhe me mbështetjen si ide, të bashkimit kombëtar, pa marr parasysh qëndrimet personale ndaj Edi Ramës.

Është rasti më i mirë, ti thuhet mjaft! vendimit të padrejtë të Fuqive të Mëdha, nga viti i mbrapsht 1913, i cili përveç tragjedive tjera të shkaktuara dhe gjakderdhjeve të pareshtura për më tepër se një shekull me radhë,nuk guxon dhe as nuk duhet lejuar më tej nga vet ne, që ai të mbetet, dënim i përjetshëm për shqiptarët.
Tekefundi edhe Fuqitë e dikurshme të Mëdha Evropiane,tanimë ,për fat të mirë, janë shtete me demokraci të zhvilluara, dhe më e rëndësishmja, nga të gjitha, është fakti se shumica prej tyre,sot janë miket dhe mbështetëset më të sinqerta të lirisë dhe pavarësis sonë.
Nuk janë më ato Fuqi, që dikur nuk njihnin as pranonin Kombin Shqiptar.
Edhe ato ,siç duket më në fund e kanë kuptuar se ky popull është liridashës dhe me gjithë vuajtjet nuk do të pushojë kurrë përpjekjet për bashkim dhe pavarësi kombëtare.
Madje, përkundër propagandës së shfrenuar shoveniste, shqiptarët si komb që kurrë nuk pushtuan të tjerët edhe me unifikimin e tyre, jo vetëm se nuk rrezikojnë askëndë me asgjë, por edhe do të kthehen në faktor të përhershëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Ndarja,siç dihet, edhe atëherë nuk na erdhi si dhuratë nga dëshira e paraardhësve tanë, por si imponim i padrejtë, nga i cili ende vuajnë miliona bashkëkombës të mbetur nën sundime të huaja apo edhe të shpërngulur me dhunë në Turqi dhe gjithë Botën, që nga vitet 1876-77, kur filluan dëbimet e para masive të tyre që nga Nishi e këtej.

Ndaj,duhet përkrahur pa rezervë shprehja e kryeministrit të Shqipërisë,z. Edi Rama,për bashkimin e shqiptarëve, qoftë përmes BE-së,apo siç thotë ai edhe në mënyrë klasike,bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Njësimi kombëtar është e drejtë e jona e patjetërsueshme dhe duhet të përkrahet nga të gjithë ne,pa dallim.
Problemi i mosbashkimit të kombit tonë ekziston, ndaj edhe Evropa, përfundimisht duhet të ballafaqohet me realitetin historik, të cilin jo fort moti,ajo vet e shkaktoi, pa të drejtë!
Madje, me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, do të shuheshin edhe orekset e sëmura teritoriale grekomëdha ndaj Shqipërisë së Jugut dhe pretendimet shoviniste serbe për ripushtimin e Kosovës, si dhe krijoheshin kushte më të mira për liri më të gjera kombëtare e pse jo edhe bashkim etnik, me trojet tona të mbetura,ende nën pushtim të huaj.
Pra,të gjithë duhet ta dinë se jo vetëm Kosova e cila ende nuk është njohur as pranuar nga OKB-ja,por të gjithë shqiptarët e ndarë,pa bashkimin e tyre,asnjëherë nuk do të kenë qëndrueshmëri politiko-ekonomike, as siguri dhe prosperitet në Ballkan.
Kështu që, duke patur parasysh këtë realitet të pakëndshëm,bashkëkombësit kudo, duhet ta përkrahin më fuqishëm se kurrë më parë, bashkimin e tyre në një shtet, të shfaqur tanimë edhe zyrtarisht si ide reale nga vet udhëheqësi më i lartë i ekzekutivit të vendit amë, për bashkim të natyrshëm të Kosovës me Shqipërinë.
Pa marrë parasysh besimet e ndryshme fetare,si një komb me një gjak, gjuhë dhe kulturë të përbashkët,ne edhe sot vuajmë të gjithë njëjtë,dëshirojmë barabartë dhe ëndërrojmë pa ndërprerë, për një atdhe të bashkuar gjithshqiptar.
Ndaj,njësimi i Shqipërisë etnike të njohur e pranuar nga OKB dhe integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian, duhet të përkrahet nga të gjithë shqiptarët, dhe shihet nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm,si akt plotësisht i natyrshëm, bazuar në realitetet e vjetra dhe të reja historike dhe realizuar sipas të drejtës ndërkombëtare, e cila nuk mund të bëjë përjashtim gjithmonë vetëm për shqiptarët.
Pra, pa marr parasysh deklaratat e çuditshme të qeveritarve të Kosovës,kundër bashkimit kombëtar,nga frika e humbjes së privilegjeve dhe përfitimeve të tyre personale,vërtetë do ishte mirë që BE, të vendos sa më parë, për mënyrën e bashkimit klasik të popullit tonë, siç është vepruar që moti me popujt tjerë përreth nesh.
Dhe ky unifikim të ndodhë sa më parë,vite para hyrjes në BE,në mënyrë demokratike e paqësore, pa luftëra e gjakderdhje të reja, nga të cilat do të humbnin të gjithë, ngase siç dihet tanimë, ideali për njësim kombëtar të popullit tonë,sido që të vie puna, nuk do të shuhet kurrë dhe asnjëherë, deri në bashkimin përfundimtar të shqiptarëve në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat