Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha janë nismëtarët dhe prijësit e njësiteve guerile

Opinione

Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha janë nismëtarët dhe prijësit e njësiteve guerile

Nga: Saim Tahiraj Më: 20 prill 2015 Në ora: 22:44

Figura e Heroit Sali Çekaj karakterizohet me elementet e shumëdimensionalitetit. Nëse e shikojmë veprimtarin e heroit në periudha të caktuara kohore na vërteton këtë. Ai na paraqitet herë si jurist, e herë si politikan, herë si gueril e herë si komandant. Fillimisht ai karrierën e tij e filloi si gjykatës në Gjykatën Komunale në Deçan, ku më vonë u zgjodh kryetar, i saj ku me punën e tij të përkushtuar, korrekte e shndërroj atë në institucion shumë të respektuar në mbarë shtresat e popullit shqiptarë në Kosovë.

Pas një kohe në punën e tij profesionale si Gjykatës kaloi në politikë duke u zgjedhur si kryetar i komitetit komunal në Deçan. Ishte hera e parë që në Komunën e Deçanit udhëheqja politike e komunës u shndërrua në një zë me kërkesat gjithëpopullore të asaj kohe. Sali Çekaj si i pari i Komunës u bë zëdhënës dhe mbrojtës i fuqishëm i atyre kërkesave. Po e sjellë në kujtesë komunikatën e komitetit të Deçanit të drejtuar nga Sali Çekaj e cila fuqishëm doli nëpërmjet mjeteve të informimit të kohës në përkrahjen dhe mbrojtjen e kërkesave të minatorëve, të cilat u shndërruan në kërkesa gjithëpopullore.

Pastaj kur filluan debatet për ndryshimin e ish-kushtetutës së Krahinës së Kosovës ku tentohej të hiqeshin të drejtat e subjektivitetit të sajë, Sali Çekajn e kemi në ballë të popullit ku fuqishëm nëpër shumë tubime i kundërshtonte ato dhe bënte thirrje në popull që ti mos i pranojnë ato. Sali Çekaj në mbledhjen e Komitetit Krahinorë pati një debat shumë të ashpër me Rrahman Morinën duke mbrojtur mosndryshimin e Kushtetutës së asaj kohe. LKJ-ja me qëndrimet e saja antishqiptare u shndërrua në organizatën më të urryer nga shqiptarët, dhe mu për këtë filloi shkatërrimi i saj në Kosovë, ku masovikisht si një ortekë filloi dorëzimi i librezave të LKJ-së.

Në Deçan filloi mu në Gjykatën Komunale ku sipas sigurimit shtetëror, ishte çerdhja e nacionalizmit. Edhe në këtë proces Sali Çekaj pati rolin vendimtarë. Komuna e Deçanit në krye me Sali Çekajn ishte e vetmja komunë që e harmonizoi statutin e komunës me kushtetutën e Kaçanikut. Me rastin e themelimit të LDK-së Sali Çekajn e kemi në ballë të organizimit për themelimin dhe konsolidimin e saj në Deçan me rrethinë. Pas themelimit të partive tjera politike dhe krijimit të pluralizmit në Deçan Sali Çekajn e kemi në krye të këshillit koordinues të partive politike në Deçan. Gjatë gjithë kësaj veprimtarie Sali Çekaj u paraqit si një personalitet i kompletuar, qoftë në aspektin profesionalë e po ashtu edhe në atë Kombëtarë.

Ai ishte një njeri serioz, i vendosur në qëndrimet e tij, me një karakter dhe moralë shumë të fortë, të pathyeshëm. Thjeshtësia ishte një karakteristikë shumë e veçantë e tij. Ai dinte se çka donte, kishte vizion dhe zgjodhi rrugën e duhur për të arritur qëllimin. Të gjitha këto veti të shquara e ndërtuan personalitetin e Sali Çekajt dhe e bënë personin më të respektuar, më të nderuar dhe më të dashur në Komunën e Deçanit.

Duke parë rrezikun nga ky personalitet i fuqishëm, sigurimi shtetërorë serbë dha urdhërarrestë për Sali Çekajn. Me aftësinë e tij dhe me ndihmën e shokëve të Gjykatës Komunale Saliu ju iku kurtheve të sigurimit serb dhe kalon në Gjermani ku aktivitetin e tij politik e zhvillon në degën e LDK-së në Gjermani, pikërisht në selinë e saj në Shtudgard. Ai u bë promotori kryesor i asaj dege, e cila luajti rolin e një ambasade të fuqishme si dhe koordinoi punët me tërë degët e LDK-së në mbarë mërgatën shqiptare.

Filozofinë politike për liri, demokraci, pavarësi që LDK në krye me Presidentin Historik Ibrahim Rugova e kishte shpallur si program kombëtarë të shqiptarëve në ish Jugosllavi, Sali Çekaj e përqafoj me tërë qenien e tij dhe kështu në të gjithë veprimtarin e tij e dëshmoi se ishte njeriu më besnik i kësaj filozofie dhe personalisht si njeriu më besnik i Presidentit Rugova. Krahas veprimtarisë së tij politike në LDK Sali Çekaj filloi menjëherë edhe veprimtarinë ushtarake duke u angazhuar në Ministrin e Mbrojtjes. Ai i filloi përgatitjet në Shqipëri me të dy grupet dhe komandoi një pjesë të grupit të dytë në marshutën nga kazerma Surel deri në brendi të Kosovës dhe kështu me 5.12.1991 Komandant Sali Çekaj së bashku me Adem Jasharin dhe 32 komandosët e parë shqiptarë, thyen kufirin Shqiptaro-Shqiptarë dhe kështu hyri në histori si komandanti i parë i njësiteve guerile mbi të cilat do të ndërtohej ushtria e ardhshme e Kosovës e që për komandantë suprem të saj njihnin Presidentin Rugova.

Pas futjes në Kosovë u bë shpërndarja e armatimit në pjesën dërmuese të vendit dhe kështu pikërisht në dhjetorë filluan aksionet e para guerile kundër policisë serbe. Tri aksionet e para ishin: Në Podujevë në punktin policorë te hotel Besjana. Në Deçan në aksin rrugorë Deçan-Lumbardh sulmohet patrulla e policisë serbe, kurse në Prekaz me 29.12.1991 rezistojnë vëllezërit Rifat, Hamëz dhe Adem Jashari në rrethimin që policia serbe i bëri familjes Jashari. Me këto tri aksione merret edhe fillimi i rezistencës së armatosur në Kosovë. Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha, janë nismëtarët dhe prijësit e këtyre njësiteve guerile. Ata filluan aksionet guerile duke koordinuar dhe vazhduar me një intensitet të shtuar në vitet pasuese. Sali Çekaj komandoj shumë aksione në Deçan me rrethin ku si rezultat i tyre pati shumë humbje policia serbe, dhe kjo ngjalli tek ajo një pasiguri dhe frikë.

Sukseset e tyre guerile ishin të jashtëzakonshme dhe kështu ngjallën shpresën e shqiptarëve se edhe pushka e shqiptarëve dinë të kërcasë dhe të vrasë policë dhe paramilitarë serbë. Ky sukses vazhdoj deri me fillimin e daljes së komunikatave të lansuara nga kryesia LPK-së jashtë vendi. Publikimi i komunikatave nga Banhofët e Zvicrës e dëmtoj shumë lëvizjen guerile në Kosovë sepse ato dekonspiruan një pjesë të sajë. Dekonspirimi i Zahirit dhe vrasja e tij në pritë, dekonspirimi i Ademit dhe masakrimi i familjes Jashari, dekonspirimi i një pjese të grupit të Sali Çekajt dhe burgosja e disa anëtarëve të atij grupi ishin si rezultat i këtyre komunikatave, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me këto njësite guerile që vepronin në Kosovë, por tendenca e tyre ishte pushtimi i tyre dhe vënia e monopolit mbi to gjë të cilën e vërtetuan me veprimet e tyre gjatë dhe pas luftës.

Pas masakrës së familjes Jashari Sali Çekaj së bashku me grupin e tij intensifikon aktivitetin e tij në kuadër të MMRK-së të udhëhequr nga ministri kolonel Ahmet Krasniqi. Pothuajse e tërë veprimtaria e kësaj ministrie në terren mbështetet në punën e grupit të Deçanit të komanduar nga Sali Çekaj. Futja e grupit në Kosovë në mesin e prillit ku i koordinoi punët me shokët e grupit brenda në Kosovë, mori me vete kapiten Adem Ukëhaxhajn e solli në Shqipëri, i cili u caktua nga kolonel Krasniqi si komandantë që të koordinoj të gjitha punët dhe të përgatis terrenin për dislokimin e brigadave operativ që më vonë do futeshin nën komandën e Kolonel Tahir Zemajt. Hapje e pikës së furnizimit në Tropojë, pastaj asaj në Viqidol ku do të armatosen shumë fshatra nëpërmes vijës së Vokshit, që hapi Adem Ukëhaxha dhe Sadri Lokaj. Vendosja në bazën tonë në Viqidol të shtabit të rrafshit të Dukagjinit nën komandën e kolonel Tahir Zemajt. Sjellja e 120 ushtarëve nga Kosova në Viqidol me të cilët u formuan tri brigadat operative të MMRK 131, 133, 134, vija e furnizimit nga shtetet perëndimore ishin si rezultat i punës kolosale të grupit të Deçanit të komanduar nga Sali Çekaj.

Sali Çekaj është shembulli se si duhej zbatuar programi politik i LDK-së, kombinimi i REZISTENCËS PAQËSORE ME REZISTENCËN E ARMATOSUR. Sali Çekaj ishte komandantë i veçantë nga të tjerët sepse ai filloj atëherë kur të tjerët ishin duke protestuar në mbrojtje të sistemit të kalbur socialist pansllavist. Komandantë Sali Çekaj ishte i veçantë nga të tjerët sepse kurrë nuk ju tha ushtarëve nga kolltuqet e perëndimit apo dhomat e rehatshme të hotel Tiranës, Dajtit, Rognerit shkoni për të luftuar, por ai i priu çdo herë duke ju thënë ushtarëve ejani pas meje. Thyerjet dhe përçarjet brenda shqiptare që shkaktoi krahu marksist-leninist i LPK-së të cilët filluan me likuidimet e kokave të mëdha i përjetoi shumë rëndë. Vrasjen e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, e përjetoi shumë rëndë. Ai thoshte që e humbëm edhe rastin historik që një herë në histori, ta bëjmë një luftë të përbashkët, unike, të gjithë shqiptarët pa dallime ideologjike, e jo si në të kaluarën ku ideologjia komuniste pansllaviste gjakosi shqiptarët dhe na ndau me dekada të tëra. Historia po përsëritet. Gjaku i pastër Shqiptarë po derdhet nga gjaku i ndyrë komunist-pansllavist.

Figura e Sali Çekajt duhet të merret si shembulli më i mirë për ne dhe gjeneratat që do të vijnë se si do të duhet atdheu, se si duhet punuar dhe luftuar për lirinë e popullit dhe shtetit të vetë.
Lavdi veprës kolosale të heroit Sali Çekaj. Zoti e bekoftë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat