Opozita, protesta, Nasradini!...

Opinione

Opozita, protesta, Nasradini!...

Nga: Dibran Demaku Më: 20 prill 2015 Në ora: 18:03

Nasradin Hoxha kishte dalur për gjah. Kishte zënë një lepur të gjallë dhe e kishte sjellë në shtëpi. Lepurin e gjallë e kishte mbuluar me një Buquk (mjet prej druri në formë të kazanit).Së shoqes ia kishte tërhequr vërejtjen që mos ta lëvizte Buqukun nga vendi dhe kishte dalur. Në mendjen e tij kishte ngritur krye mendimi se si do t`i befasonte bashkëfshatarët e tij për të bëmën e vet. I kishte ftuar ata që të vinin deri tek shtëpia e tij që të shihnin befasinë e paparë deri atëherë…

Në anën tjetër e shoqja e tij e nxitur nga kërshëria (si krejt bota femërore) se çfarë kishte fshehur i shoqi i saj nën Buquk e kishte ngritur atë. Lepuri i strukur nën Buquk kishte ikur. E shoqja e Nasradinit e kishte kthyer Buqukun në vendin e vet dhe as që i kishte treguar atij se çfarë kishte ndodhur…

Pak çaste më vonë rreth shtëpisë së Nasradinit ishin tubuar të gjithë bashkëfshatarët e tij dhe prisnin me kërshëri se çfarë do t`u tregonte Nasradini. Nasradini i lumtur që rreth shtëpisë së tij kishin ardhur të gjithëbashkëfshatarët e tij dhe i bindur se të gjithë ata do të habiteshin dhe do të ekzaltoheshin me atë që do t`u tregonte kishte ngritur lartë Buqukun. Kur e kishte parë se lepuri kishte ikur e nuk ndodhej më nën Buquk, pasi ishte menduar për ca minuta, kishte shtuar: Bashkëfshatarë të mi ju kam thirrur që t’ju tregoj se Tre Buçuk të tillë bëjnë një Shekë! (një peshë matëse e barabartë me pesëdhjetë kilogram). Bashkëfshatarët e tij të mësuar tashmë me të bëmat e tij ia kishin kthyer një zëri të mllefosur: -Për këtë na ke thirrur Nasradin! Ne këtë e kemi ditur kaherë këtë gjë! -Ndërkaq Nasradini ua kishte kthyer: -Ka ndonjë në mesin tuaj që nuk e ka ditur, sepse jo të gjithë i dinë të tërat!-dhe e kishte lëshuar Buqukun në tokë. Bashkëfshatarët e tij ishin shpërndarë edhe njëherë të zhgënjyer dhe të mllefosur me bëmat e Nasradinit…

Partitë opozitare në Kosovë kohë më parë kishin paralajmëruar me pompë një protestë kundër partive në pushtet, që do të thotë kundër Qeverisë së Kosovës. Ata kishin paralajmëruar se Protesta do të ishte e përmasave gjigante në të cilën do të merrte pjesë më shumë se gjysma e popullatës së vendit! Duke shpresuar në një pjesëmarrje të tillë ata ia kishin tërhequr vërejtjen Qeverisë dhe organeve të shtetit të Kosovës se nuk do të merrnin kurrfarë përgjegjësie nëse situata do të dilte jashtë kontrollit! Duke i dëgjuar deklaratat e tilla të liderëve të partive opozitare, në popull gjithandej Kosovës, por edhe më gjerë qe krijuar një frikë e ligjshme se Protesta e radhës do të ishte shkatërruese për Kryeqytetin dhe për vendin?! Dhe sa më shumë ofrohej dita e Protestës, rritej edhe frika!...

Në ditën e Protestës. Liderët opozitarë, kur e kishin parë numrin e paktë të pjesëmarrjes në Protestë, kishin ndryshuar qëndrim dhe masën e njerëzve e kishin orientuar në drejtim të tri institucioneve, që sipas tyre në këtë moment ishin e keqja më e madhe për shtetin e Kosovës. Dhe sipas tyre ato tri institucione që i sillkan të këqija Kosovës në këtë moment na qenkan: Gjykata kushtetuese e Kosovës, Korporata energjetike e Kosovës, Keds dhe Radiotelevizioni i Kosovës! Andaj o burra drejt atyre institucioneve që t`i përdhosim ato?!... Dhe në muret e Gjykatës kushtetuese-ngjyrë të zezë, në shkallët e Kedsit - njehsorë të thyer, dhe para Radiotelevizionit thirrje për shkarkimin e udhëheqjes së këtij mediumi!... Dhe në fund edhe ultimatumi: Nëse Qeveria nuk i plotëson këto tri kërkesa do të ndodhë protesta e radhës, që sipas tyre do të jetë e përmasave më të mëdha dhe më e fuqishme, mbase në dëmtimin e pronës publike dhe private?!

I ka hije një sjellje e tillë një opozite të mirëfilltë, përballë popullit dhe shtetit të vetë?! A thua partitë opozitare përveç dëmtimit të pronës publike dhe private, nuk kanë alternativë tjetër për të fituar atë që është synim i tyre-Pushtetin?!

Sipas asaj popullores, Nasradini falë zgjuarsisë së tij u kishte shpëtuar situatave të rënda në të cilat kishte rënë herë pas here, por lind pyetja se si do të gjendet në situata edhe më të ndërlikuara se këto, opozita e Kosovës?! Dhe a ka në radhët e veta opozita e Kosovës ndonjë person të zgjuar të tipit të Nasradin Hoxhës?!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat