Sali Çekaj, simbol i pavdekshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..!

Opinione

Sali Çekaj, simbol i pavdekshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..!

Nga: Hafiz GAGICA Më: 18 prill 2015 Në ora: 12:03

Sali Çekaj është dhe do mbetet pa dyshim simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili ra heroikisht në betejën e Koshares legjendare (1999), duke shkruar me germa të arta historinë dhe lavdinë e kombit shqiptar në Kosovë. Saliu qysh kur u themeluan grupet e para ushtarake në Shqipëri në vitin 1991 e kishte trasue rrugën e hyrjes me armë në Kosovë, ku bashkë me Adem Jasharin , Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe shumë të tjerë i ndërmerrnin aksionet ushtarake duke sulmuar caqe dhe pika strategjike të armikut. Sali Çekajn e njoha qysh në vitin 1991 kur për herë të parë erdhi në Gjermani dhe u kyç në Degën e LDK-së, për të qenë njëri ndër anëtarët e kryesisë e më vonë edhe nënkryetar i saj, i cili me punën e tij të palodhshme do bëhet shembulli më sublim i sakrificës dhe luftës së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesit barbar serb në Kosovë.

Afër një dekadë kemi punue dhe bashkëveprue me Saliun në organizimin e jetës dhe aktiviteteve të mërgatës sonë në Evropë dhe më gjerë, gjithnjë në koordinim të ngushtë me kryesinë e LDK-së në Prishtinë, ku ai pa dyshim, ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin ushtarak. Saliu ishte njeri i natyrshëm, fjalë pak, humanist i dalluar, i dashur për familje dhe miq, punoi pa ndonjë rrogë dhe kompensim për vite të tëra në Zyrën e LDK-së në Stuttgart. Ka marrë pjesë në disa aksione guerile në Rrafshin e Dukagjinit, ka koordinue në kontinuitet grupet e vetëmbrojtjes në Kosovë dhe asnjëherë nuk është finansue nga Qeveria në exil edhe pse ajo e kishte për detyrë kushtetuese një gjë të tillë.

Pas ofensivës së Prekazit ai shkoi në front dhe tërë kohën punoi për afrimin e krahëve ushtarak dhe ia doli që së bashku me ushtarakët e sprovuar siç ishte Agim Ramadani, tani hero, që ta zhbëjnë kufirin shqiptaro-shqiptar, ndonëse Saliu atë kufi me një grup patriotësh dhe luftëtarëve siç ishte komandanti Adem Jashari e kishin thye qysh në vitin 1991.

Saliu e deshi jetën ndoshta më shumë se ne të tjerët që sot e gëzojmë lirinë e fituar me gjakun e luftëtarëve tanë si dhe ndihmës së ndërkombëtarëve, por ai e deshi më shumë Kosovën e lirë dhe të pavarur, siç e ëndërronte që një ditë ta shihte truallin shqiptar të bashkuar në një shtet etnik.

Me fjalë tjera interesin e Kosovës Saliu e vuri gjithherë mbi interesin personal dhe atë të familjes së tij! Ai e dha gjënë më të shtrenjtë, pra jetën e tij për një Kosovë të lir dhe të pamvarune, më të mirë dhe më të prosperuar se sa kjo që e kemi sot plotë më halle, ngecje ekonomike si dhe plotë dukuri negative..!?

Kujtimi për Saliun dhe gjithë heronjtë e Kosovës duhet të na shërbejë si udhë rrëfim për të punue më shumë për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës në krye me njerëz dhe figura që nuk janë të inkriminuara në krim të organizuar, korrupsion dhe hajni. Andaj, derisa të ketë shqiptarë heroi Sali Çekaj do të kujtohet brez pas brezi, dhe unë përulem me respekt të madh para veprës së bashkëpunëtorit dhe mikut tim të përjetshëm, tani heroit të Kosovës martire, Sali Çekajt..!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat