Shfletim i historisë: Familja Haradinaj dhe UÇK-ja

Opinione

Shfletim i historisë: Familja Haradinaj dhe UÇK-ja

Nga: Ma. sci. Bekim MUSHKOLAJ Më: 17 prill 2015 Në ora: 09:38

Pas përfundimit të luftës së përgjakshme në Kosovë është bërë e zakonshme të flitet dhe të shkruhet për rrjedhën e saj, për heronj e gjallë e të rënë, për betejat, qëndresën heroike individuale, familjare e kolektive deri në vetëflijim. Jo një herë është thënë se vitet e luftës mbesin vetëm një histori që shkruhet e thuhet: na ishin ditët më të vështira, por edhe të krenarisë kombëtare. Qysh në fillim duhet thënë se Lufta në Kosovë, ishte e pashmangshme, e drejtë, dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht. Ndonëse lufta çlirimtare e cila u zhvillua në fund të shekullit të kaluar, si rezistencë e armatosur i kishte fillet qysh herët, por ne do të ndalemi vetëm te ajo që i parapriu luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Familjes Haradinaj si njëra ndër bartëset kryesore të saj.

Asaj i parapriu rezistenca e armatosur në fillim individuale, si grupe ilegale si ajo e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Bajram Bahtirit, Ali Ajetit, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, atëherë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetëm një ëndërr e atdhedashësve. Pavarësisht sfidave të ndryshme, sa nga shtypja, po aq edhe nga filozofia e ashtuquajtur paqësore e cila UÇK-në, dëshironte ta linte nën hije dhe aktivitetet e saj t’i zvetënonte, anëtarë të celulave të para vazhduan aksionet guerile, sidomos në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit dhe në Drenicë, pas viteve 1993 e deri më fillimin e luftës frontale. Kështu vetëm në këtë periudhë kemi dhjetëra sulme mbi forcat policore serbe, si në Baballoq, Irzniq, në Ponoshec, në Rastavicë, në Kliqinë, në Çallapek të Baranit, në disa fshatra të tjera të Pejës, Klinës, Istogut me rrethinë. Vetëm në vitin 1996 mbi forcat okupuese serbe janë kryer mbi njëqind sulme, të cilat UÇK-ja , përmes komunikatave për medie këto aksione i merrte përsipër. Sa për ilustrim po citojmë një pjesë të tekstit, që e përbënte komunikatën më nr. rendor 18 të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:Më dt. 11shkurt 1996, njësitë guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërmorën aksione të armatosura në Zonën Operative me nr. 1.

Aksionet e kryen me bomba dore në kampet e kolonëve serbë të ardhur në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, dhe në qytetet Mitrovicë, Pejë, Deçan, Podujevë, Suharekë, Vushtrri etj . Mjerisht, për të dalë në shesh e vërteta, nuk mjaftonte vetëm kaq; duhej të binin dëshmorët e parë nën emblemën e UÇK-së. Në këtë mënyrë, së bashku me sulmet e para guerile në Rrafshin e Dukagjinit, ranë edhe heronjtë e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillon me rënien heroike të njërit nga pjesëtarët e parë të celulave të UÇK-së dhe njërit prej familjarëve të Haradinajve nga Gllogjani i Deçanit, Luan Haradinaj, i cili ra në maj të vitit 1997, në një përleshje të rreptë me forcat serbe në kufirin Kosovë-Shqipëri, në të cilën betejë, si bashkëluftëtarë kishte edhe heronjtë Mujë Krasniqi- Kapuçi dhe Fehmi Lladrovci, njëkohësisht edhe vëllain e tij, i cili më vonë do të bëhet bartës dhe njëri ndër komandantët më në zë, i vlerësuar edhe nga ekspertë të NATO-s, Ramush Haradinaj.

Në vazhdën e aksioneve fillestarë të UÇK-së në Dukagjin, bujë të madhe bëri edhe rënia heroike në aksion në stacionin policor të Kliqinës së Pejës, e Adrian Krasniqit- Rexha, në tetor 1997, me të cilin aksion, me vendosmërinë më të madhe po e kryente misionin prej ushtari diversant e të pathyeshëm. Jo pa jehonë do të kalojnë edhe aksionet guerile të Edmond Hoxhës dhe rënies së tij me shokë në pusi, më 31 janar të po këtij viti, ku në pusi së bashku me të ranë edhe dy bashkëluftëtarët Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu, i pari një ndër atentatorët më të mëdhenj të gueriles shqiptare dhe tjetri mbështetësi deri në vdekje i luftës për liri.

Në këtë rrjedhë, viti 1997 ishte vit i sukseseve të Ushtrisë Çlirimtare, parë në rrafshin e veprimtarisë së saj, ndërsa në rrafshin e organizimit si trupë, pati edhe humbjet e saj, të cilët, e shtuan edhe besimin se nuk kemi të bëjmë me një grup fantom, siç prejudikonte politika paqësore, por me njësi të vërteta guerile, e që i kishin dhënë një mision të qartë vetes. Krahas sukseseve, rënieve dhe aksioneve, pushteti serb, mori masa të rrepta ndaj njerëzve të rezistencës dhe mbështetësve të tyre, duke organizuar një pushtet gjyqësor nga gjykata serbe, po në vitin 1997, përmes prokurorëve, si: Dragolub Zdravkoviq dhe hetueses famëkeqe serbe, e cila pamëshirë ngriste aktakuza, krijonte dosje ndaj shqiptarëve atdhetarë nën etiketën “terroristë shqiptarë” siç ishte Danica Marinkoviq, e denjë për t’iu përdorur si mashë e politikës së pushtetit të Beogradit. Ajo dënoi me qindra shqiptarë me akuzën “për veprimtarisë armiqësore-terrorizëm”, ku nën këtë akuzë bien viktimë edhe shumë të rinj të pafajshëm shqiptarë. Përderisa të tjerët dënoheshin, familja Haradinaj, konkretisht bijtë e kësaj familje, Dauti, Shkëlzeni dhe Ramushi vetëm sa kryenin misionin e tyre, sidomos pas rënies së Luanit. Përderisa, Ramush Haradinaj, farkonte armët dhe ishte bartës i logjistikës, Shkëlzeni mbante lidhjen zinxhirore me familjen Ibrahimaj, Dauti , si nxënës i shkollës së mesme tashmë ishte shndërruar në veteranë të aksioneve të njëpasnjëshme. Janë me dhjetëra aksione nga Dukagjini e deri në Drenicë, duke i sfiduar madje edhe forcat serbe të ardhura edhe nga Korpusi i Nishit.Prandaj, në këtë kontekst, janë disa karakteristika që e bëjnë qysh në fillim dhe deri në mbarim këtë familje, si simbol, mit të UÇK-ës dhe të luftës çlirimtare:

E para: Prej familjes Haradinaj ra pjesëtari i parë i UÇK-së, Luan Haradinaj.
E dyta: Prej kësaj familjeje, për herë të parë doli para publikut UÇK-ja, më 28 Nëntor 1997, në varrim e Halit Gecit, në mesin e luftëtarëve të rryer si Mujë Krasniqi- Kapuçi dhe Rexhep Selimi- Dhjetëshi, ishte edhe Daut Haradinaj.

E treta: Ishte kjo familja e vetme në historinë më të re të Kosovës, që më së shumti bëri qëndresë, madje njëra prej tyre që i shkaktoi dëme më së shumti forcave pushtuese serbe.
E katërta: Ishte Familja Haradinaj, njëra ndër familjet, e cila, përveç që u shndërrua në vatër stërvitore, përveç që dha tre heronj, ajo kurrë nuk e braktisi luftën, por vetëm i rikonsiledoi radhët e UÇK-së. Prandaj, çdo krahasim, çdo vlerësim tjetër, do të ishte jo argumentues, jo shkencor dhe mbi të gjitha, i padrejtë.
Thënë shkurt, lufta e UÇK-së, ishte luftë çlirimtare. Luftë e drejtë e popullit tonë, luftë për çlirim nga sundimi shekullor serb, luftë për liri, mëvetësi, pavarësi dhe për kontribut të demokracisë. Një ditë historiografia botërore do të japë vlerësimet më të meritueshme të popullit të Kosovës, dhe në këtë kuptim edhe prijësit të UÇK-së, si çlirimtarët Haradinaj, me bashkëluftëtarë.

(Autori është nënkryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat