Protesta e 18 prillit nuk i mbulon dështimet e Shpendit në Prishtinë

Opinione

Protesta e 18 prillit nuk i mbulon dështimet e Shpendit në Prishtinë

Nga: Flamur Shala Më: 17 prill 2015 Në ora: 09:37

Organizimi i një proteste është e drejtë e qytetarëve dhe opozitës së një vendi. Por, organizimi i një proteste nga njerëz të pushtetit kundër shtetit të tyre është jashtë çdo logjike të ndërtimit dhe të qeverisjes së një vendi. Një komunë, pra një udhëheqje komunale si kjo e Prishtinës, nuk mund të jetë e denjë për qeverisje asnjëherë, kur ka për angazhim rrënimin e institucioneve të shtetit, kryeqytetin e të cilit e udhëheq vetë. Kjo po bëhet për kinse ndryshime e ndryshimet bëhen me votë e jo me rrugë! Dhe, dështimet e VV në Prishtinë nuk mund të mbulohen as me protesta në rrugë! Udhëheqja e Prishtinës ka dështuar së qeverisuri në të gjitha fushat e zhvillimit. Në vend se të ketë realizim të projekteve, kryetari Shpend Ahmeti po përpiqet ta kthejë vëmendjen diku tjetër, në organizimin dhe realizimin e protestave, të cilat mund të jenë të dhunshme.

Kryetari i Prishtinës doli para opinionit dhe e shpalosi agjendën e protestës së paralajmëruar të 18 prillit 2015. Ai me entuziazëm u tregoi qytetarëve se protesta nuk do të jetë e dhunshme. Nuk do të ketë thyerje të xhamave dhe nuk do të ketë dhunë. Nënkryetari i VV dhe kryetari i Prishtinës mori barrë të rëndë mbi vete. Barra mbi të është ndërgjegjja politike dhe qytetare, është besimi që i ka dhënë qytetari për qeverisje të kryeqytetit, të cilin po e saboton. Sabotim më të madh për kryeqytetin nuk mund të ketë, kur dihet se kryetari i tij ishte bashkëorganizatori i një proteste, asaj të janarit 2015, e cila rezultoi të jetë e dhunshme. Dhuna demoloi dhe bëri dëme në kryeqytetin me të cilin udhëheq Shpendi vetë. Cilës ndërgjegje do t’i referohemi, asaj të kryetarit të Prishtinës, apo asaj të nënkryetarit të Vetëvendosjes!?

Për shkak të ndërgjegjes politike të përfaqësimit qytetar ai nuk do të duhej të merret me protesta. Për shkak se është kryetar i të gjithë qytetarëve të kryeqytetit ai nuk do të duhej të merret me organizmin e simpatizantëve të tij për të dalë në rrugë kundër qeverisë dhe shtetit. Duke qenë udhëheqës i një institucioni të lartë shtetëror, ai nuk mund e nuk duhet të dalë kundër shtetit. Nuk mund e nuk duhet të bëhet pjesë e protestave nga shteti kundër shtetit.

Kjo është edhe një arsye më shumë se pse ai duhet sa më parë ta shqyrtojë pozitën e tij prej kryetari të Prishtinës e të japë dorëheqje!

Në këto çaste të shkrimit të këtij teksti del në portale lajmi për kiflet në Shkollën fillore “Meto Bajraktari”. Lajmi mbi kiflet me copa minjsh, përveçse është tronditës, tregon për dështimin e qeverisjes në Prishtinë. Tanimë del se vizioni i Shpendit është ngatërruar fare dhe nuk ka rrugë tjetër pos dorëheqjes! Mund të thuhet, kur të dorëhiqet nga kryetari i Prishtinës le të merret me protesta!

Kur e kishte dhënë premtimin për shujta me kiflet, besoj nuk e kshte menduar se në to do të gjendet diçka. Kur e kishte ndërprerë mësimin duke shkelur ligje, besoj nuk e kishte menduar se sulfuri i ashtuquajtur në naftë do të harrohej kur një ditë në kiflet si projekt i premtuar do të ketë diçka të paimagjinueshme. Kur i kishte porositur me vendim kiflet, besoj se nuk e kishte menduar se do t’i dalin të mykura dhe një ditë si sot do të gjenden minj! Këto dështime të premtimeve e Shpend Ahmetit nuk mund të mbulohen me asnjë protestë, as me atë “kundër kapjes së shtetit”. Shpendit i është bllokuar gjithcka në Prishtinë, tani i janë bllokuar edhe kiflet! Keq! Atij i është bllokuar gjithçka, i ka humbur udha në oborr! Shpendi nuk ka vizion qeverisës!

Ai nuk e ka të qartë as sot se ushqimi për fëmijë nuk duhet të politizohet në asnjë variant. Nërkaq, politizimin e nisi vetë ai me projektin populist, me projektin e kifleve, për të cilin është paralajmëruar se do të dështojë! Dështimi për to po hyn në radhën e dështimeve të shumta si nafta, ndërprerja e mësimit, ikja e drejtorëve komunalë, vonesa në emërimin e drejtorëve të tjerë, shkelja e ligjeve me kontrata, moszbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur, vonesa dhe shmangia nga ligji për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme.

Maja e dështimeve u arrit me mosrealizimin e buxhetit të planifikuar për vitin 2014. Shumë projekte mbetën pa u realizuar, shumëcka u bllokua! Për të gjitha këto përgjegjës është kryetari i Komunës së Prishtinës. Shtuar edhe një sjellje të tij; Shpendi mori pjesë në protestën e 27 janarit 2015, në protestën e dhunshme që demoloi dhe bëri dëme në kryeqytet, të cilin e udhëheq vetë, rrënuesi i tij. As s’ke parë e as s’ke dëgjuar!

Thënia, deklarimi se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të luftojë me të keqen në çdo nivel, duhet të kuptohet dhe të pyetet se cilit nivel i takon e keqja e Shpendit që ia solli Prishtinës për gati një vit e gjysmë, cilit nivel i takon e keqja e Prishtinës për kolapsin që i ka bërë asaj dhe vetvetes udhëheqja e saj.

Për dështimet në realizimin e planit buxhetor të Prishtinës, Shpendi nuk doli për debat para anëtarëve të Kuvendit të kryeqytetit. Nuk u ballafaqua me të keqen e tij qeverisëse, e cila ka emër dhe mbiemër. Dhe e keqja e tij është qeverisja jostabile dhe jodemokratike, abuzimi me normat e demokracisë.

Qytetarët kanë pritur të ketë rregullsi, kanë pritur nga kryetari i Prishtinës qeverisje të përgjegjshme. Pritjet e tyre kanë konsistuar në një qeverisje stabile, të një kryetari të ri dhe me ambicie. Kanë pritur të ashtuquajturin “depolitizim” të administratës, me të cilin është marrë shumë kohë gjatë fushatës. Kanë pritur menaxhimin dhe realizimin me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi ligjore të projekteve të planifikuara, kapitale dhe të tjera. Kanë pritur zbatimin e ligjit. Kanë pritur që me qasje konstruktive të menaxhojë me ndërmarrjet publike lokale, qoftë me realizimin e procedurave ligjore të zgjedhjes së kuadrit, qoftë me konsolidimin e mëtutjeshëm të kuadrit profesional për menaxhimin e tyre.

Qytetarët kanë pritur nga udhëheqja e re në kryeqytet, udhëheqje, qeverisje dhe menaxhim për zhvillimin e Prishtinës e jo që kryetari i saj të merret me organizimin e protestave!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat