Dy veta kur zihen në pazar luftën e fiton i treti

Opinione

Dy veta kur zihen në pazar luftën e fiton i treti

Nga: KALOSH ÇELIKU Më: 2 prill 2015 Në ora: 11:00

Televizioni “kombëtar” Alsat –M, në Shkup, pas gjithë këtyre “politikanëve”, “analistëve” politik e “intelektualëve”, duhet më në fund t’i ftojë në “Rruga drejtë”, “360 shkallë”, ose Programi “200” edhe ish burrat e Xhadisë të Shkupit. Vejushkës të vetme me “armë” paqësore në pajtimin e dy “vëllezërve” dhe zgjidhjen e Çështjes shqiptare. I kemi provuar gati të gjitha armët luftarake: penën, pushkën, protestat në rrugë. Edhe luftën. Përçudi, ende deri më sot nuk arritëm te qëllimi historik i Rilindasëve. Shkaku se, gjithë kohën jemi duke dëgjuar “analiza politike” njëpartiake të kalorësve të arratisur me zorrët nëpër këmbë. “Politikanë”, që këtij populli i kanë hipur në shpinë me shekuj duke e shaluar me të katra livadheve.

“Intelektualë, analistë, gazetarë e kakademikë”, që nuk shohin më larg, në Lëmë. Shoqata të “pavarura” joqeveritare, që e thirrin popullin në protesta “paqësore” në rrugë, me këmbëngulje kërkojnë të ndërpritet lustrimi i gazetarëve. Dukuri e rrallë kjo në shtetet demokratike, kur gati e gjithë bota e di se, në sistemet komuniste, nuk ke mundur të punosh si gazetar nëse nuk je bashkëpuntor besnik i policisë sekrete. E të mos flasim për redaktor, kryeredaktor e drejtor i mjeteve të informacionit. Atëherë, pse tremben gazetarët nga lustrimi, frikë kanë se shoqatat e tyre të “pavarura” do të mbeten me pak anëtarë?! Ndoshta, po. Vetëmse, edhe një shoqërie demokratike për të ecur në hap me botën, nuk i duhet soji këtill i gazetarit “kryengritës”. Nateditë të merren me skandalin e përgjimeve. Sytë i kanë mbyllur nëpër poste partiake, kabinete e vende të punës me një pagë mujore. Kalorës të arratisur, që moti e kanë shitur veten një torbë taxhi, vend pune, poste partiake. Koha është, shoqëria demokratike të zhvishet nga soji i këtyre palaçove me palarenë në polici e kokën në mjetet e informacionit të shtetit e atyre “private” nateditë në dritare.

Dhe, sa herë që partia e tyre “demokratike” në pushtet e opozitë të jetë në rrezik, shefi i tyre ua prish gjumin dimëror. Nëna parti është në rrezik, duhet t’i dalim zot, o sot o kurrë! Rrokni armët! Parullat, dilni në protesta! Ja vdekje, ja liri! Shembull i freskët teknefes: Angellovi, që në çdo emision telaviziv të “pavarur” i jepet hapsirë debative. Dje luftoi kundër UÇK –ës, sot i thirrë të luftojnë së “bashku” kundër “kriminelëve” ende pa u shëruar plagët e luftës (2001). Thirrje, u bënë shqiptarëve krah për krahu të dalin në protesta “paqësore” në rrëzimin e Qeverisë. Një miljon euro i afron shpërblim prokurorit (sherifit) që e burgos “kaubojin” e Shkupit, Gruevskin. Haptas kërkon në emision debativ para kamerave televizive një Sanço Panço shqiptar.

Mendja e rren se, ende shqiptarët hanë bar, do t’i besoj njeri këtij kalorësi të arratisur. Përpiqet ta dalldisë popullin shqiptar, përsëri ta nxjerrë në rrugë (luftë). Gomarit, përsëri duhet t’i hipin “branitellat” mbi samar (Nastradinica në shpinë me gjithë rraçe). Nastradinin duhet ta hudhim bythekrye në përrua. Veten e dalldisin me ëndrra partizane, flasin jerm pasmesante. Pavetëdije, i zbulojnë rraçet e dardhave të qullta gorrice para syve të popullit. Palarenë e nxjerrin në diell. Bukën duan t’ia hanë Xhadisë në Shtëpinë Publike. Kukullës të vitrinave në Qendrën tregtare, që hë për hë edhe ajo mund të hudhë në opinion një mendim Ndryshe për dalje nga skandali i përgjimeve. Shoqërinë ta nxjerrë në rrugë, protesta për Liri. IRJ e Maqedonisë të dalë nga bataku, kriza politike.

Populli më është lodhur me “debate” neokomuniste. Javë për javë në një tryezë neokomunistë trusakatë me theshetheme bajate (pordhë politike). Përmbushje të minutazhave të emisioneve televizive e gazetave të “pavarura”. Asnjërit, nuk i shkon ndërmend se me cilët bëjnë “debat politik”, pyesin veten: ku e kanë përballë në një tavolinë kundërshtarin partiak në këtë dyluftim politik për pushtet pa shqiptarët?! I rren mendja se, me çarjen e dërrasave me sëpatë çytkë pa bishtë dushku para kamerave televizive ndizet zjarri me flakë në oxhak. Tymi t’i dalë mbi çati, në qiell. Popullit në vend të barit, nateditë i hudhin kashtë. Cungjet e dushkut i kanë lënë në Pranverë. Pavetëdije se, cungje shelgu do Pranvera e cungje dushku Dimri Madh.

Komunistët e arratisur, që dje këtë popull e morën në qafë: pollën shtete artificiale, sot dalldisen me parulla neokomuniste ta “nxjerrin” nga kriza politike. Përmëtepër, t’i dëgjojnë “këshillat” e ndërkombëtarëve, e kurrë Vetëveten si faktor kryesor politik shqiptar në rajon: a duhet të qëndrojnë në Qeveri, apo duhet të dalin në rrugë?! Ose, deklarata teknefese e Pendarovskit se, shqiptarët nuk mund të kyçen në dialogun politik në Bruksel pa iu bashkangjitur “bombave” politike të Zaevit?! Edhe VMRO – DPMNE është në Qeveri, po ja ulen për dielog në Bruksel me Partinë politike të Pendarovskit (LSDM -në). Burri i botës si politikan “demokrat”, harron se shqiptarët janë faktori kryesor i barabartë për zgjidhjen e krizës politike në Shkup. Populli shqiptar e ka një thënje antologjike: pyet njëqind vetë, dhe bën si di vetë. Edhe tjetrën, ende aktuale: Kalaja mirret nga brënda e rrallëherë nga rruga. Përfundimisht, sot më dihen miqtë historik të shqiptarëve. Atëherë, pse politikanët shqiptar nuk i përmbahen kësaj porosie historike, në Ditën e sotshme të bëjnë politikë të pavarur shqiptare?! Haptas t’ia thonë botës dëshirën e popullit shqiptar: Porosinë e Madhe të Rilindasëve tanë nëpër shekuj. Krah për krahu, t’u ngjiten me armë e penë dhiareve malore. Kohë, kur zjarr na digjet mbi krye, ato turren në themelimin e partive të reja politike?! Përçarjen e faktorit politik shqiptar nëpër parti politike, e jo në bashkimin e atyre forcave të dalldisura partiake për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan?!

Halli është i popullit shqiptar, apo i posteve të tyre politike?! Gabim i madh politik historik. Nevojë sot nuk kemi për hudhjen e gjithë atyre “bombave” politike në rrugë para kamerave televizive, por në Kuvend, Instuticionet e Shtetit të “përbashkët”. Zgjidhja e Çështjes shqiptare duhet të nxirret në rend dite në Kuvend. Lumi nuk kalohet matanë me gomarë të cofur partizan, që përqafe sot u ka mbetur si “stoli ari” vetëm kërpeshi komunist. Dallgët, pas çdo shiu, stuhie t’ia bartin bishtin në sipërfaqe rrënjëve të shelgjeve. Koka u ka mbetur mbi ujë si kunguj të kalbur Stambolli. Këmbët, moti ua ka marrë rryma e ujit përrockave nëpër Katund. Dhashtë Zoti, përsëri të ndodhë ajo anekdota e Nastradin Hoxhës: Dy vetë kur zihen në mes të pazarit, luftën e fiton i treti. Nastradinit, kur ia vjedhin jorganin në hyrje të pazarit. Pakujdesia, ai kur i sheh duke u zënë me grushta në mes të rrugës “belaxhinjt”, turret t’i ndajë nga kacafytja. Jorganin e lë anësh në trotuar. Pasi i ndanë, kthehet ta marrë jorganin. Përçudi, jorganin ia kishin vjedhur hajdutët. Nastradini, atëherë tha me vete: Dy vetë kur zihen me grushta në rrugë, luftën e fiton i treti. E gjithë puna kishte qenë për jorganin tim me pupëla.

Lumi i tërbuar, që zbret nga malet me rrëmbim, sot kalohet me kalë shale e jo me gomarë samari, coftina asht e lëkurë. Edhe atë, patjetër t’i shalojnë kreshnikët e Baba Tomorit. Zanat e Malit t’u japin gji (tambël) me nga dy shtamba nën hije. Shtatë sahat larg, matanë maleve ta flukin gurin…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat