Më thuaj, si mund të përfundojë mirë kjo

Opinione

Më thuaj, si mund të përfundojë mirë kjo

Nga: Nga Thomas L. Friedman Më: 2 prill 2015 Në ora: 08:25

Isha në Kinë javën e kaluar. Është gjithnjë edukuese të shohësh se si duket bota nga Mbretëria e Mesme. Ndonjëherë informacionet më të mira merren thjesht duke lexuar gazetat lokale.

Më 25 mars, “The China Daily” kishte botuar një ese të detajuar se si “autoritetet e Pekinit kishin ndërmarrë një tur inspektues nëpër kopshte gjatë kësaj jave për t’u siguruar se fëmijët nuk janë të mbingarkuar me detyrat shkollore.

Edhe pse kinezishtja, matematika dhe anglishtja duhet të mësohen nga nxënësit e shkollave fillore, nuk është e pazakontë të shohësh përreth Kinës fëmijë të kopshtit që detyrohen t’i mësojnë këto lëndë”.

Eseja vazhdonte duke shpjeguar se përse nuk ishte e shëndetshme të “nisësh përgatitjet për një provim hyrjeje në gjimnaz” në fazën parashkollore.

Lidhur me këtë, çuditërisht pata një vizion të forcave speciale të Ministrisë kineze të Arsimit, që shqyenin dyert e kopshteve dhe ulërinin: “Hidhini poshtë stilolapsat dhe librat! Kthejini shpinën dërrasës së zezë dhe nuk do të vritet njeri!”.

Çfarë problemi! Kopshtet mësuakan matematikë dhe anglisht tepër herët.

Në të njëjtën gazetë kishte gjithashtu një artikull lidhur me luftimet e fundit ndërmjet shiitëve pro-iranianë dhe sunitëve pro-sauditë në Jemen. Luftimet ishin përqendruar në qytetin e dytë më të madh të Jemenit, në Taiz. Taiz? Një sekondë! Kam qenë në Taiz në maj të 2013-s duke punuar për një dokumentar sesi Jemeni po shndërrohej në një dëm të rëndë mjedisor. U përqendruam në Taiz sepse, si rezultat i ekosistemit të shkatërruar të Jemenit, banorët e Taizit kishin ujë në shtëpitë e tyre vetëm 36 orë në afërsisht çdo 30 ditë.

Dhe ja ku e gjen këtu. Problemet e Kinës na qenkan mësim i tepërt në kopshte ku u mësuaka matematikë dhe anglisht tepër herët dhe fakti se në Jemen fraksionet sunite dhe shiite po luftuakan për një qytet që ishte i rrënuar që më parë, saqë uji vjen vetëm 36 orë në muaj dhe në pjesën tjetër të kohës duhet të sigurosh furnizim me autobote. Dhe kjo ndodhte përpara luftimeve të fundit.

Por më në fund e gjetëm një problem. Lexova se e gjithë kjo ishte faji i presidentit Barak Obama. Ka mundësi. Obama ka thënë dhe ka bërë disa fodullëqe në Lindjen e Mesme (si rrëzimin e regjimit libian pa pasur një plan se ç’do të bëhej të nesërmen), por rreziku se mund të mbetej i përfshirë në këtë rajon nuk ka qenë njëri prej tyre. Po përballemi me diçka me të cilën nuk është përballur asnjë president: kolapsin e sistemit të shteteve arabe pas 70 vjetësh qeverisjesh të dështuara.

Sërish, krahasimi me Azinë është i dobishëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, Azia u udhëhoq nga shumë autokratë, të cilët përgjithësisht iu shfaqën popullit të tyre dhe i thanë: “O popull, do t’ju heqim lirinë, do t’ju japim politikat më të mira të shkollimit, të infrastrukturës dhe të rritjes së kontrolluar të eksportit që mund të blihen me para. Dhe ndoshta ju do të ndërtoni një klasë të madhe të mesme dhe do ta fitoni lirinë”. Gjatë së njëjtës periudhë, autokratët arabë iu shfaqën popullit të tyre dhe i thanë: “O popull, ne do t’ju heqim lirinë dhe do t’ju sjellim konfliktin arabo-izraelit”.

Autokratët aziatikë kishin prirje të ishin modernizues, si udhëheqësi i Singaporit, Li Kuan Jeu, i cili ndërroi jetë një javë më parë në moshën 91-vjeçare dhe rezultatet duken sot: singaporasit prisnin në radhë deri në 10 orë për t’i dhënë përshëndetjen e fundit njeriut që i shndërroi ata nga hiçi, në klasë të mesme globale. Autokratët arabë kishin prirje të ishin predatorë, të cilët e përdorën konfliktin me Izraelin si një objektiv të madh për ta shpërqendruar popullin e tyre nga keqqeverisja e tyre. Rezultati: Libia, Jemeni, Siria dhe Iraku janë tani zona me zhvillime njerëzore shkatërrimtare.

Disa e kishin parashikuar këtë. Në vitin 2002, një grup shkencëtarësh socialë arabë prodhuan Raportin e OKB-së mbi Zhvillimin Njerëzor Arab. Aty thuhej se bota arabe ka vuajtur deficitet e lirisë, njohurisë dhe fuqizimin e gruas dhe, nëse një gjë e tillë nuk merrte një kthesë, ajo do të shkonte atje për ku ishte nisur. Kjo u injorua nga Liga Arabe. Në vitin 2011, masat e shkolluara arabe u ngritën për të sjellë një kthesë të madhe përpara se të shkonin atje për ku ishin nisur. Me përjashtim të Tunizisë (i vetmi vend arab ku autokrati ishte edhe modernizues), ky rizgjim u përgjum sërish. Kështu që tani ata janë atje për ku ishin nisur: në rënien e shteteve dhe meselenë tribale, sektare (shiitë-sunitë, persianë-arabë), dhe në luftërat civile – në një rajon të mbushur me të papunë të rinj të inatosur dhe me shkolla që zor se funksionojnë, ose në rast të kundërt, ato japin hyrje në fe dhe jo në matematikë.

Lexova presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi të deklaronte se “sfidat me të cilat përballet siguria jonë kombëtare arabe janë të rënda dhe ia kemi dalë me sukses të diagnostikojmë arsyet që qëndrojnë pas kësaj”. Që janë…? Bashkëpunimi i pakët arab kundër persianëve dhe islamistëve. Vërtet? Rreth 25 për qind e egjiptianëve janë analfabetë sot pas 50 miliardë dollarëve ndihma që kanë dhënë SHBA që prej 1979-s. (Në Kinë analfabetizmi është 5 për qind; në Iran 15 për qind). Më vjen keq për të gjithë njerëzit në këtë rajon, por kur udhëheqësit tuaj flakin tutje 70 vjet, boshllëku është me të vërtetë shumë i madh.

Sisi po përpiqet ta ringrejë me ndershmëri Egjiptin. Megjithatë, Egjipti duhet të dërgojë trupa për t’i mposhtur rebelët në Jemen. Nëse ndodh kjo, do të jetë rasti i parë që një vend ku 25 për qind e popullit nuk di të lexojë dërgon trupa për të shpëtuar një vend ku uji vjen në rubinete 36 orë në muaj, për të çrrënjosur një luftë ku çështja kryesore është beteja e shekullit të 7-të se kush mban një qëndrim më luajal ndaj Profetit Muhamed, shiitët apo sunitët.

Çdo kinez parashkollor mund t’ua thotë se ky nuk është një ekuacion i suksesshëm./ The New York Times

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat