A kishte luftë çlirimtare në Kosovë?!

Opinione

A kishte luftë çlirimtare në Kosovë?!

Nga: Sabri Maxhuni (Novosella) Më: 1 prill 2015 Në ora: 14:31

Më 20 mars të këtij viti, në orët e mbrëmjes në RTK u zhvillua një intervistë me Hajredin Kuçin. Gjatë intervistës, Hajredin Kuçi disa herë e përdori thënien: Para luftës. Edhepse kjo thënie ishte gjysma e së vërtetës, prapë mu duk jo fort keq edhe se nuk u tha “para çlirimit”, por “para luftës”.

Ndërsa, okupatorët serbë nuk e pranuan as si luftë, por vetëm si një lloj “konflikti ndëretnik”, të njëjtin vlerësim të okupatorëve serbë e pranuan edhe disa udhëheqës të Kosovës, siç ishte rasti me ish ministrin e FSK-së Agim Çekun, i cili pranoi se, vërtetë ky ishte konflikt ndëretnik!!!

Si rrjedhojë e fjalorit të udhëheqësve të Kosovës, të politikanëve të Kosovës, të historianëve të Kosovës, është edhe gjuha e mjeteve të informimit e që është shprehur posaçërisht tek qytetarët e zakonshëm, që rrallëherë mund të dëgjosh shprehjen: Gjatë okupimit jugosllav të Kosovës apo pas çlirimit nga pushtimi jugosllav, serbo-sllav apo serb të Kosovës.

Pra, nuk dëgjohen thëniet: Para Luftës Çlirimtare të Kosovës (LÇK); Gjatë Luftës Çlirimtare të Ksoovës (LÇK); Pas Luftës Çlirimtare të Kosovës (LÇK).

Në shikim të parë, kjo duket si diçka e parëndësishme, si diçka e zakonshme!

Mos vallë këto ndodhin rastësisht?!

T’i kthehemi një lufte që ndodhi në të kaluarën. Është lufta që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore e që u zhvillua edhe në territoret shqiptare në Ballkan. Edhe ajo luftë nuk u quajt “Lufta Çlirimtare Shqiptare”.

Në territoret e Shqipërisë Londineze, u quajt “Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë – LNÇSH.

Pse vallë nuk u quajt Lufta Çlirimtare Shqiptare?!!!

Kjo nuk ndodhi rastësisht, duhej që gjithsesi të mohohej Lufta Çlirimtare Shqiptare kundër pushtuesve nazifashist, ngase duhej të pranohej si një luftë e trilluar “Nacional Çlirimtare e Shqipërisë”, e organizuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Pra, duhej pranuar si e tillë, jo si Luftë Nacional Çlirimtare Shqiptare, por si Luftë Nacional Çlirimtare e Shqipërisë!!!

Po të thuhej Lufta Nacional Çlirimtare shqiptare e organizuar nga Partia Komuniste shqiptare, binte ndesh me kërkesat e përfaqësuesit të pansllavizmit Milladin Popoviqit që vendoste çdo gjë, për çka e kishin dërguar, eprorët e tij, serbo-sllavët, për ta formuar një grup shqipfolësish, për tu shërbyer në veprimet e tyre anti shqiptare, me qëllim të fundit, për ta shkatërruar popullin shqiptar.

Ta cekim vetëm një rast: Kur paria shqiptare u tubua në Kuvendin e Mukjes, duke marrur vendime për bashkimin e të gjitha forcave të organizuara shqiptare, që të luftonin kundër nazifashizmit, në aleancë të ngushtë me aleatët anglo-amerikanë, për një shtet shqiptar, për Shqipërinë etnike, menjëherë pas këtij Kuvendi, atëherë kur i ra në dorë Programi i Kuvendit të Mukjes Enver Hoxhës, duke ia dhënë në dorë të njëjtin program eprorit të vet, Milladin Popoviqit, ky me arrogancën e eprorit ndaj shërbëtorit të vet, e shqeu Programin e Kuvendit të Mukjes dhe ia dha për surrati Enver Hoxhës duke e urdhëruar: Me reaksionarët nuk ka marrëveshje, reaksionarëve vetëm sëpatë në kokë.

Dhe, natyrisht se, duke u zbatuar urdhrat e përfaqësuesit të pansllavizmit Milladin Popoviq, më Luftë Çlirimtare nuk pati!

U ndez Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë (LNÇSH). Gjatë kësaj lufte u vranë 28.000 shqiptarë. Se sa ishte kjo luftë kundër nazifashizmit më së miri na e argumenton Spartak Ngjela, biri i Kiqo Ngjelës, njërit nga ata që merrte urdhra nga Milladin Popoviqi si dhe Enver Hoxha etj.

Tani, Spartak Ngjela thotë se në betejën më të “famshme” kundër nazifashizmit u vranë 4 (katër) gjermanë! Pra, kjo ishte Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë, e organizuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë!

Edhe për këtë periudhë u përdorën thëniet: Gjatë okupimit nazifashist, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare (LNÇ), pas Luftës Nacional Çlirimtare (LNÇ).

E njëjta gjë ndodhi edhe në territoret shqiptare që u riokupuan nga Jugosllavia, me ndihmën e brigadave të LNÇSH-së dhe me angazhimin direkt të bashkëpunëtorëve serbo-sllav nën udhëheqjen e kryekriminelit Fadil Hoxha.

Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës e quajtën bashkëpunëtore të okupatorit!!!

Kurse riokupimi i Kosovës dhe territoreve shqiptare nga Serbo-sllavia u quajt: “Çlirimi i Kosovës”!

Operimet e formacioneve ushtarake që e riokupuan Kosovën dhe territoret tjera shqiptare, u quajtën Lufta Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë – LNÇJ.

Këtë thënie e përdorën edhe shqiptarët (bashkëpunëtorët e okupatorëve serbo-sllav) duke sqaruar se kjo apo ajo ngjarje ka të bëjë me periudhën: Para LNÇJ-së apo gjatë LNÇJ-së ose pas LNÇJ-së.

Të dalim tek bërthama e kësaj teme që u shtrua për shqyrtim: A u çlirua Kosova?! A ishte lufta e UÇK-së Luftë Çlirimtare e Kosovës?! Apo pse nuk thuhet asnjëherë gjatë okupimit jugosllav të Kosovës. Pse nuk thuhet ta zëmë: Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, respektivisht pas çlirimit të Kosovës?!

Mos vallë këto po ndodhin rastësisht?!

Jo, kurrsesi!!!

Nuk thuhet kësisoji pasi që nuk u lejua të ketë Luftë Çlirimtare të Kosovës (LÇK) edhepse u bë çmos që të njihet, ngjashëm si në kohën e Luftës së Dytë Botërore vetëm; Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe vërtetë të thuhej;
Para UÇK-së?!!!

Gjatë UÇK-së?!!!

Pas UÇK-së?!!!

Por jo, ndodhi e kundërta e asaj për çka luftoi UÇK-ja. Menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbo-sllav, nuk u ngritën në piedestal heronjtë e Mbrojtjes Kombëtare siç ishin Shaban Polluzha, Gjon Sereqi, Mulla Idriz Gjilani, Marie Shllaku etj., por me një perfiditet të paparë, në piedestal u ngritë Fadil Hoxha, kryekrimineli, komandanti i shtabit të Ushtrisë Jugosllave për Kosovë e Metohi, gjenerali i asaj ushtrie okupuese jugosllave, të cilin okupatorët jugosllav e shpallën hero të Jugosllavisë që më në fund u varrosë me nderime ushtarake nga ushtarët e UÇK-së!!!

Pas të gjitha kurtheve që u bënë, sot nuk thuhet me vendosmëri se Kosova ishte e okupuar nga serbo-sllavët dhe se Kosova u çlirua nga luftëtarët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ngase këtë luftë e mbështeti një popull i tërë, pra Luftën Çlirimtare të Kosovës, që për aleat e pati Aleancën më të fortë ushtarake në botë siç ishte NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, na mungon thënia apo më mirë vlerësimi i drejtë i atyre periudhave nga historianët e intelektualët, politikanët edhe nga qytetarët siç është ta zëmë:

- Gjatë okupimit të Kosovës;
- Para Çlirimit të Kosovës;
- Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës;
- Pas Çlirimit të Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat