Colloquium

Opinione

Colloquium

Nga: Nga Edison Ypi Më: 30 mars 2015 Në ora: 16:23

Muhameti dëgjoi derën që trokiti. U ngrit vrik nga divani duke menduar se i erdhi femra që po e priste me ankth. I hoqi derës shulin. Sa s’i ra damllaja tek pa se mysafiri nuk ishte Ajo por miku i tij i vjetër Kristua. I tha Kristos Mirseardhe me përtesë, u kthye te divani, u mbështoll me batanije.

Kristua hyri brenda, i vuri shulin derës, ia nisi muhabetit;

-Unë dhe ti Muhamet banojmë në dy pallate përballë me në mes rrugën ku kalon mileti. Unë ulur në kashtore në ballkon, ti pranë dritares shtrirë në divan, kemi fatin të llafosemi prej shekujsh në atë që P. Zh.e ka quajtur Gjuha e gjuhëve, në Shqip. Kam vënë re Zoti Muhamet diçka të cilën jam përmbajtur të ta bëj të ditur më parë, e ja ku erdha të ta them cop’ tani; Ti ke një huq të keq. Pështyn nga dritarja në rrugë mbi kokat e shqiptarëve pa u ngritur nga divani. Sot, për shembull, pashë pështymën tënde që fluturoi si harabej nga dritarja jote mbi kokën e një njeriu të urtë në punë të vet. U revoltova. Nuk është higjenike. Ti që pështyn nga divani, atë njeri, duke mos e parë, as nuk e njeh. Pse e bën ti këtë gjë ?

-Sepse ai njeri sheh televizor, u përgjigj Muhameti.

-Kaq gjë nuk është arsye e mjaftueshme për ta dënuar një gjynafqar duke e pështyrë mbi kokë. Sa i përket faktit se televizori për ty është një shpikje djallëzore kaurreske që daton shumë shekuj pas vdekjes dhe ngjalljes time, me të cilën shpikje, meqë ra fjala, edhe unë vetë nuk jam fort dakord, ke deridiku të drejte. Por, në rastin konkret, i panjohuri në fjalë të cilin unë e njoh se është idhtari tim, televizor nuk sheh. Ajo pështymë ishte pra një shembull i papërshtatshëm për vënien e shqiptarëve të egër në udhë të mbarë, ishte veprim i paarsyeshëm nga ana jote.

-Në një botë ku e njohura sa një kokrrizë rëre Arabie është hiçkurgjë para së panjohurës sa Qielli i Xhehenetit, arsyetueshmëria kaurreske është mjet që unë nuk e përdor për vënien në udhë të mbarë të shqiptarëve dhe as të kanibalëve. Nuk na duhet arsyetushmërmëria. Ti Kristo si mjet edukimi përdor mallkimin, unë Muhameti përdor pështymën. Pse ty për zbutjen e shqiptarëve të egjër të duket më efikas mallkimi dhe mua më produktive pështyma ? sa kohë që për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje lypset arsyetushmëria, unë për këtë pyetje përgjigje nuk kam. Thjesht po të them se kritika që sapo më bëre lidhur me pështymat që unë pa u ngritur nga divani hedh në rrugë mbi kokat e shqiptarëve nuk është me vend, kusurin merre me ment vet.

-E respektoj arsyetimin, më fal, pohimin, tënd Zoti Muhamet. Por lejomë të vë në dukje se është fakt i stërkonfirmuar gjatë shekujve se kam më tepër të drejtë unë që mallkoj nga ballkoni se ti që pështyn nga divani. Kjo për faktin se pështyma jote si mjet antihuman, antietik, antidemokratik, antihigjenik, është një mënyrë e vrazhdë sa lënduese dhe invadente, që si e tillë shkakton gjthmonë reagim. Ndërsa mallkimi im duke qënë një akt verbal që përhapet në eter pa lënë hapësirë për reagim faktik, është metodë me rendiment më të lartë sa i përket ndërgjegjësimit të shqiptarëve për të qënë më të përmbajtur, për të kuptuar se nuk mund të jenë të gjithë mbretër. Ja të sjell një shembull; Para ca kohësh unë mallkova një zonjë për disa arësye të cilat rezervohem t’i them, dhe zonja zuri ment. Por pas ca ditësh ti, si gjithmonë pa u ngritur nga divani, ma shkove mallkimin dëm, po asaj zonje i hodhe mbi kokë një pështymë dhe e çakërrdise. Pse e bëre ?

-Sepse ajo zonjë pi kafe.

-Nuk pi kafe, pi lëng shege.

-Njëlloj është. Në mos ajo, mikeshat e saja pinë kafe.

-Po para ca ditësh pse e pështyve pa e njohur fare një të ri ?

-Sepse rri zgjuar ditën dhe fle natën.

-Mos deshe të thuash të kundërtën ?

-Desha të them atë që thashë. Paske harruar kodet. S’të falet. Paske rrjedhur Zoti Kristo.

-Të lutem mos më ofendo se ngatërron shqiptarët me të cilët jemi vëllezër. Mos harro se isha unë që e iniciova këtë Colloquium. Por le t’i lemë zënkat. Nuk besoj se mund të justifikohesh që një ditë tek po hante një hamburger pështyve një barkmadh.

-E pështyva sepse ai derr, mishin e të cilit unë dhe dishepujt e m’i nuk e vemë në gojë, shëtit në Internet.

-Po ja fut kot. Në internet shëtisin të gjithë. Po për një vajzë të re së cilës ja hodhe pështymën mbi shpinën e mermertë lakuriqe, edhe për atë do nxjerrësh një justifikim ?!

-Atë e pështyva se sheh ëndërra me meshkuj.

-Po një djalë që po kalonte me një shoqen e tij ?

-Ai nuk lexon libra dhe nuk di t’i bëjë të dashurës komplimenta.

-Po atë të moshuarin me shkop pse e pështyve.

-Ai është një batakçi që kollitet kot.

-Mos më thuaj se marangozin e ngratë që kaloi këtejpari e pështyte se u teshtit.

-Marangozin e pështyva sepse u krruajt.

-Po studiuesin e folklorit shqiptar, atë ç’pate që e pështyve ?

-Atë e pështyva se nuk thotë që për tu vënë Shqipëria në shina duhen thyer çiftelitë, duhen harruar epet dhe baladat, por dërrdëllit dokrra.

-Pse e pështyve një grua të moshuar me një torbë në dorë ?

-Sepse ajo është një sadiste delirante, e cila, në pamundësi të bëjë të vuajnë të tjerët, torturon familjarët.

-Mos më thuaj të njëjtën gjë për hidraulikun që kaloi me biçikletë.

-Atë e pështyva, dhe mirë ia bëra, sepse ai nuk e di se serbët, grekët, rusët, kinezët, të gjithë bashkë nuk e kanë luftuar dhe dëmtuar Shqipërinë më tepër se vetë shqiptarët.

-Po atë që po kalonte me gruan përkrah ?

-Ai e ka hak se nuk e do bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

-Vallë për të njëjtën arsye e pështyve shitësin e bulmetit ?

-Bulmetorin e pështyva sepse është një nga të shumtët që ia vë zjarrin Shqipërisë sa herë t’i teket.

-Një profesor historie, mos më thuaj se edhe ai i ngratë e meritoi pështymën tënde.

-Profesori e shkruan Historinë në mënyrë homerike me bëma dhe gjëma inekzistente viganësh të imagjinuar që çorodisin brezat e ardhshëm.

-Kështu do vazhdojmë un’ e ti, njëri mallko, tjetri pështy ?

-Nëse nuk zënë mend me mallkime dhe pështyma, si mund të vihen në udhë të mbarë me përqafime dhe të puthura ?! Një milet si shqiptarët, për të cilët rehatllëku është më e mirë se puna, gënjeshtra më e besueshme se e vërteta, gjumi më i preferuar se zgjimi, skllavëria më e lakmuar se Liria, jeta më e vlefshme se vdekja, nuk meriton tjetër veçse të pështyhet. Më mërzite. Ik tani se s’ta kam më ngenë. Tërhiqe derën. Po përtoj të ngrihem t’ia vë shulin. Po pres tjetërkend. Shumë më të rëndësishëm se ti dhe shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat