Kallëzimi për dhunë seksuale është vlerë, jo turp

Opinione

Kallëzimi për dhunë seksuale është vlerë, jo turp

Nga: Reis Mirdita Më: 27 mars 2015 Në ora: 11:29

Heshtja shurdhuese, më shurdhuese se decibelët e pafundmë është fshehtësia që ruan personi që përjetoi një dhunim, tentim dhunimi dhe momente të tjera që lidhen me këtë dukuri të rëndë të lindur që nga kohërat më të lashta e sot. Në ditët tona, ky fenomen duket të ketë marrë përmasa më të gjëra nga shkaqe të ndryshme shoqërore si që janë ngarkesat profesionale, animet nga karriera dhe shumë shkaqe të tjera që largojnë nga partneri por edhe krijimi i monopoleve financiare dhe pushtetare nxisin ndjenjën e madhësisë se paprekshme e me këtë, persona të këtyre gjendjeve i lejojnë vetes « luksin » drejt dhunimit, që në këtë shkrim si që edhe nënkuptohet nga rreshtat e kaluar, është ai seksual.
Ngjarjet e kohëve të fundit te na dhe në botë që përmbytën mediat, bënë që të rritet dukshëm numri i kallëzimeve të femrave që pësuan dhe pësojnë dhunim(e) dhe ngacmime shqetësuese dhe nënçmuese të pandërprera në punë, në familje, në kuart, në shkollë dhe vende të tjera të pashmangshme lehtë. Duket se reagimi i patundshëm i organeve policore dhe të drejtësisë amerikane para tri vjetëve në rastin e Kryetarit të Fondit Monetar Botëror DSK-it, mundësoi femrës të merr guxim dhe të shpalos e bëj kallëzim në polici ose pranë ndonjë shoqate për mbrojtje të femrës, duke gjetur kështu mbështetje morale dhe besim në një drejtësi të barabartë për të gjithë.

Sa i përket marrjes parasysh së pafajësisë ndaj të kallëzuarit, duhet të vlerësohet në të njëjtën mënyrë edhe kallëzuesi, gjegjësisht personi që bën kallëzimin të trajtohet si person i dëmtuar gjer në provë të kundërt. Kjo është një ndër elementet kryesore gjatë hetimeve dhe sidomos gjatë procesit gjyqësor. Në këtë mënyrë, zhvillimi i hetimeve dhe procesi në fjalë arrin nivel të drejt dhe të paanshëm për të dy palët. Me këtë sigurohet mbrojtja e moralit të femrës (më rrallë edhe e mashkullit) dhe fëmijëve të dhunuar.

Për të qenë një proces i drejtë gjer në fund, duhet shkurtuar kohëzgjatja e tij gjer në kufijtë maksimalë. Kjo nga shkaku se numri i përgjithshëm i viktimave kanë për qëllim dhe tentojnë me forcat e tëra psikike të largohen nga kujtesa e egërsive të përjetuara. Shoqëria e sotme, ligjshmëria sotme nëse vazhdojnë të zgjidhin këto çorodi jonjerëzore të dënueshme në tërë botën me hapa kërmillore, viktimat do të ngujohen akoma më tutje në lëkurë të veten, pa pasur guximin të bëjnë kallëzim e me këtë, në pikë të parë lejojmë që femra, nëna e njerëzimit, të vuan shpirtërisht ; gjegjësisht të jeton e sëmurë në zemër dhe në sedër…

Përpos kësaj, në botë mbisundojnë akoma paragjykime negative shkatërruese ndaj të dhunuarve. Kam këtu parasysh studimet e ndryshme perëndimore sipas të cilave 80% [1] të dhunimeve kryhen nga një person i afërm, e kjo akoma rëndon « turpin » e të dhunuarës (dhunuarit). Mbrojtja e tërë familjes nga përfolja dhe degradimi bie mbi personin që bënë kallëzimin. Të gjithë, gati pa përjashtim, për të mbrojtur një çfarë ndere dhe krenarie familjare, hidhen në mbrojtjen e dhunuesit duke u shndërruar në sulmues të tërbuar ndaj kallëzueses (kallëzuesit). Kjo gjatë tërë kohës ka dëmtuar rëndë shpirtërisht viktimën kurse dhunuesit ia ka ngritur guximin për akte të reja të poshtërsive të vjetra.
Dhunimi nuk nënkupton vetëm aktin seksual të kryer. Dihet se shumë femra dhe persona të tjerë, lëshojnë pè para kërcënimeve vetëm nga frika e pamposhtur nga turpi se po përhapet ngjarja që do të sjellë pasoja të papërmirësueshme për te dhe për familjen, nga frika e humbjes së punës për arsye të paqarta e kështu varg. Në këto rrethana, lëshimi pè pra, nuk është dhe nuk mund e nuk duhet assesi të konsiderohet si akt me pëlqim o me dëshirë. Këto janë dhunime perfide me përdorim të pushtetit hierarkik, ekonomik ose favor rrethanash dhe andaj duhet gjithashtu bërë kallëzim dhe shpërdoruesi duhet ndjekur nga ligji përkatës si për dhunim, të them, të drejtpërdrejt.

Kur flas për dëmin psikik, do të them këtu se çdo qepje seksuale që nuk pëlqehet dhe vihet në dije mosaprovimi nga ana e personit të ndjekur, duhet të dënohet si agresion. Në këtë mënyrë, në radhë të parë arrimë në parandalimin e shumë rasteve dhe mbrojmë pra, personat e ekspozuar situatave jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin psikik së pari e mandej edhe atij fizik.

Shpresoj se viktimat e cilës do moshe e gjinie, do të gjejnë forca dhe mbrojtje adekuate shoqërore dhe ligjore që të bëjnë kallëzimin ose së paku të ju drejtohen shoqatave për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale kështu që, me një përmbajtje adekuate do të tejkalojnë më lehtë dhimbjen që bartin dhe njëherit do të shpëtojnë numër të konsiderueshëm njerëzish që për shkaqe të ndryshme janë të ekspozuar dorës dhe fuqisë jonjerëzore të x « njerëzve ». Këta IKSA do të kenë me siguri më pak guxim dhe « burrëri » të ngacmojnë e dhunojnë më të dobëtit kur të dinë se i pret dënimi i merituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat