‘Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen’

Opinione

‘Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen’

Nga: Shkruan major Nazif Ramabaja Më: 25 mars 2015 Në ora: 21:11

Në 16 vjetorin e intervenimit të Aleancës Veri-Atlantike NATO mbi forcat serbe fillimisht në Kosovë e pastaj edhe në Serbi ishte dhe mbeti një ndër intervenimet më humane që bëri kjo aleancë për ta ndaluar krimin kundër njerëzimit dhe gjenocidin që i bëhej një populli të pa mbrojtur dhe liridashës, për tu bërë pjesë integrale e kombeve të lira.

Në këtë ditë kujtojmë spastrimin etnik që ju bë shqiptarëve nga ana e administratës shoviniste e fashiste të Millosheviqit, kasapit të Europës Jug-Lindore, duke zbatuar elaboratet e famshme të nacional-shovinistëve serb Garashanin-Qubrilloviq dhe Rankoviqo-Millosheviq nëpërmes tokës së djegur bën shpërnguljen e më se një milion shqiptar-civil përtej bjeshkëve të Nemuna për ta ndryshuar strukturën etnike të territorit të banuar me më se 95 % me shqiptar etnik.

Për këtë ditë e cila hyri në historinë më të re të Kosovës si ditë në të cilën ngadhënjeu e mira ndaj të keqes, e bardha ndaj të zezës, humania ndaj jo humanes, të drejtat e njeriut ndaj cungimit të atyre të drejtave u jemi mirënjohës në rend të parë SHBA-ve, bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë atyre që mbajtën anën dhe u solidarizuan me popullin e Kosovës.

Në veçanti do ti jemi mirënjohës Presidentit të SHBA-ve Bill Klintonit (me bashkëpunëtorët e tij, sekretaren Ollbrajt, gjeneralin Klark, kryenegociatorin Hollbruk) i cili i dha urdhrin Sollanës për të filluar bombardimin mbi caqet serbe, dhe për 78 ditë rresht e detyroi aparatin shtetëror Millosheviqjan dhe njësitet ushtarako-policore dhe paramilitaro mercenare të dorëzohen. E gjitha rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake të Kumanovës (kapitullimin) dhe largimin e atyre njësive dhe administratës shtetërore Millosheviqiane nga Kosova.

Duhet ende ti kem të freskëta fjalët e Presidentit Klinton i cili ju drejtua popullit të Kosovës me fjalët: "Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen". Duhet që ti kujtojmë këto fjalë dhe ti kem të freskëta duke punuar e angazhuar për mesazhin e lansuar nga ky njeri i madh, i cili bëri aq shumë për ne në mënyrë që mos ta zhgënjejmë dhe ta arsyetojmë dhënien e një urdhri të tillë.

Se sa afër jemi për ta kryer këtë detyrë dhe mesazh le të mbetet në ndërgjegjen e secilit nga ne, ta vlerësojmë në mënyrë reale dhe të drejtë, në mënyrë që kjo e keqe mos t´na përsëritet kurrën e kurrës dhe t´ju mundësojmë gjeneratave të ardhshme të jetojnë të lirë, të pavarur në një Kosovë objektive me subjektivitet dhe sovranitet të plotë ndërkombëtar.

Vetëm në këtë mënyrë do e kryejmë borxhin ndaj pasardhësve dhe bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, të cilët na mundësuan të jemi të lirë dhe të barabartë me kombet e tjera pa marrë parasysh rasën, gjininë, fenë dhe kombësinë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat