“Bombahedhësi” Zaev në oborrin politik shqiptar

Opinione

“Bombahedhësi” Zaev në oborrin politik shqiptar

Nga: Nijazi Muhamedi Më: 5 mars 2015 Në ora: 13:39

Lideri opozitar ZAEV i LSDM-së, ky “bombahedhës” ende pakuptueshmërisht i stepur dhe i çatrafiluar,sipas një “strategjie frikësimi”,e cila më tepër le të kuptohet se i vjen nga ndonjë PI-AR jashtë partisë së tij ,
si ka vepruar jo pak herë kjo parti në veprimin e saj opozitar.Vrapin e gabuar të “frikësimit më shpërthim skandali” Zaevi e mori fillimisht ndaj sejmenit qeveritar të VMRO-së,ndaj DUI-t të ,e quajtur edhe BDI dhe më konkretisht ndaj liderit të saj Ali Ahmetit,duke e hamendësuar më të kollajshme rrëzimin e Gruevskit me rastin e këtij skandali përmes tërheqjes së tij nga “sejmenllëku” koalicionues.

Kësaj rrokullisjeje të “frikësimit nga shpërthimi i pritshëm të bombave” para këmbëve të sejmenit qeveritar,Ahmetit, nga ana e ca “të shkueshmëve me LSDM-në ndër shqiptarë” mund t’i shkohet fare kollajshëm gjurmë për gjurmë, dhe kjo një ditë duhet bërë më gjerësisht edhe për hirë të imperativit për të filluar dhe për t’i shkuar gjer në fund njëherë e mirë dhe faktueshëm “strategjive dhe mekanizmave manipulative” në rivalitet ndërmjet dy “kryepartive maqedonase”,LSDM dhe VMRO, që kanë turbulluar,e kanë ligështuar apo “ri-formatuar” dhe e kanë “mbajtur në dorë” në vijimësi jetën politike të shqiptarëve në Maqedoni për interesat e tyre politike dhe opsioneve “shtetërore” thjesht maqedonase,që nga fillimet e pluralizmit politik në Maqedoni dhe gjer në përfundimin e kësaj afere,nëse duam të kemi ndër ne shqiptarët një jetë politike dhe një subjektivitet politik autonom në politikëbërjen e këtushme dhe për dobi të interesave politike ,dhe jo vetëm politike,të shqiptarëve.

Me një shikim më të përgjithësuar dhe me këtë rast, del se Zaev,përmes “të shkueshmëve me LSDM-në ndër shqiptarë” fillimisht ishte më i përqëndruar që përmes “frikësimeve demokratike” ta thejë Ahmetin,duke përdorur përmes këtyre “redifëve”një trysni herë të drejtpërdrejtë,herë të tërthortë formash të ndryshme manipulative dhe, duke “hamendësuar pa hanxhinë”, ka kujtuar se përmes kësaj taktike të zgjedhur ,do të dalë më shpejt fitimtar.Po t’i vësh në krahasim tash “trysnitë” kësodore,del faktueshëm se Zaev është treguar më i përmbajtur në fazën fillimtare ndaj Gruevskit ,kurse me “trysnitë” përmes “redifëve të LSDM-së ndër shqiptarë”, del më i turrshëm agresivisht dhe me mënyra denigruese dhe shantazhuese të pakursyera ndaj Ali Ahmetit.Por kjo,në drejtimin kah synonte ta “shtrëngojë” Ali Ahmetin në një “shantazhim” të ri të kompromitueshëm, ngjashëm si kulari i shantazhit nga VMRO-ja që e mban në qafë.Si duket, këta nuk e kuptuan apo nuk besuan se Ali Ahmeti,ky mjeshtër i kurdisjeve dhe shkurdisjeve të dredhive ggjithëfarëshe,edhe nën trysninë e “frikësimit” nga të “nxirat” që mund t’ia qesë skandali,nuk do shkasë në grackën e tyre.

PËRPJEKJE PËR RIKONFIGURIM TË SEJMELLËKUT POLITIK:“BIHAçKA” PËRBALLË “SUSHIKO”

Zhgryerja e turrshme dhe agresive e “redifëve të LSDM-së ndër shqiptarë” në kontekst të këtij skandali, në lëmin politik e shoqëror shqiptar doli një çikëz jo aq e efektshme për kryeobjektivin e vënë nga Zaevi,pasi kjo nuk e tundi fare nga vendi apo më së paku nuk e lëkundi AlI Ahmetin për të ndërmarrë ndonjë përpjekje “dezertimi” nga koalicioni.Por,zhgryerja në shoqërinë civile dhe në atë politike shqiptare e kësaj “çete redifësh”,e strukturuar edhe medialisht dhe e sponzorizuar fuqishëm,e luajti rolin e një turbullonjësi afatshkurtër të jetës politike shqiptare për dobi të përpjekjeve të LSDM-së për të (ri)strukturuar edhe ajo “partnerin” e hipotekuar koalicionues të ri shqiptar,pra,për të (ri)ngritur në “Bihaçka” bllokun kundërvënës ndaj “Sushiko-s “ së VMRO-së.Sadoqë laku i këtij litari hidhej larg e larg dhe i mbuluar me manipulime populiste e demagogjike për të mos e kuptuar apo menduar shqiptarët e dëshpëruar nga sejmellëku i BDI-së për VMRO-në se është një dredhi ,që mund t’i qesë ata nga shiu në breshërin e sejmenllëkut të ri e të vjetër për LSDM-në.Në këtë drejtim,doli ndokush nga “opozita maqedonase”( si ishte dalja eTito Petkovskit në “Europa e lirë) të thotë nxitueshëm se “kularin e këtij litari të sejmellëkut të vullnetshëm”,naivisht apo nga lakmia e ethshme për ardhje në pushtet e kishin marrë me “pajtueshmëri objektivash politike” ca grupime në zierje përmes strukturimit “opozitar” të bashkuar shqiptar(!).

Plasja mediatike “entuziaste”e një “bombe” kësodore ,paralele dhe brenda kontekstit të dinamikës së skandalit të përgjimeve,jep shumë elemente për të konsideruar se “kjo bombë” e plasur nga Petkovski ,por në funksion të “bombave” të Zaevit, do ta “hendikepojë” apo “hipotekojë” më tepër ndonjërin nga “grupimet opozitare” në zierje për ardhje ndër shqiptarët; kurse do ta bëjë padashur vetë më të liruar në qafë litarin e “hipotekimit” të Ali Ahmetit,i cili prap mund të dalë paturpshëm e të thërrasë “çonju,djema,shalin atin”, e t’i fitojë zgjedhjet e pritshme vetëm pakëz i lënduar dhe i ligështuar nga gjithë kjo katrahurë skandali e kryepadronit të tij qeveritar,Gruevskit.

Kjo dinamikë,që kushtimisht tash ta quajmë metaforikisht “dinamikë sejmenllëku politik” në rivalitet,me dorëvënie rivale të anëve politike maqedonase mbi jetën politike të shqiptarëvve në Maqedoni,do mbetet e hapur paturpësisht edhe më tej nga aktorët,më qartë nga “redifët” e këtyre anëve ndër shqiptarë,edhe pasi të ketë marrë zgjidhje juridike dhe politike ky skandal i përgjimeve.Sepse,kjo është një ligështi politike e vjetër sa vetë pluralizmi politik e demokratik në Maqedoni që e ka mbajtur “subjektin politik shqiptar” nën kërcënim turbullimi dhe destabilizimi ,zhbërjeje e rifortamimi sipas një modeli klasik kolonial,model i cili,krahasimisht,del më i afrueshëm përnga metodat dhe mekanizmat e përdorur me modelin kolonial frëng të përdorur në raport kontrolli,shantazhi e korruptimi me partitë politike të Korzikës së nënshtruar nga ata.

PRITJET(BOSHE) NGA “SHPËRTHIMET MEDIATIKE” TË “BOMBAVE” TË RADHËS

“Redifët” e LSDM-së ndër shqiptarë”,me manipulime mediatike sojesh të ndryshme e të njohura, po e bombardojnë opinionin shqiptar se “oguret e zeza” për Ali Ahmetin dhe skotën e tij sejmene paskëtaj vijnë më keqas,në “shpërthimet” e radhës që do t’i bëjë padroni i tyre,Zaevi.Për t’i bërë që të besojnë “symbyllazi” të bërtiturave të tyre “në të katër anët e shqiptarisë”,ata biles bëjnë edhe lëvizje përtej “strategjisë’ së Zaevit,ndoshta kokë më vete apo më “pëlqim” të tij për të “frikësuar” Ali Ahmetin dhe DUI-n e tij, duke thënë e “paralajmëruar” “si kanë dëgjuar se është thënë apo thuhet” nga qarqet dhe “ata me veten e tyre” brenda LSDM-së’ se cilin,përse dhe si do ta lëndojë “plasja e radhës”..?

U bë nga ana e tyre edhe ndonjë përpjekje “propozimi publik me mirëdashje” drejtuar LSDM-së së tyre për “bashkë-dorëvënie” të tyre në këto “bomba” përmes një “komisioni orvelian” me një përzierje të çuditshme dhe shumë indikative të disa nga anëtarëve joshqiptarë, të cilët do të merrnin “mandatin” me “besë” për të mos treguar për punët që do mësojnë nga ky skandal se kush,ku dhe si janë ndërliqur(ngatërruar) keqas sejmenët politikë shqiptarë në qeveri në afere vrasjeje dhe në afera të tjera “hipotekëvënëse ”.Një propozim i çoroditur kësodore që të bën të të ikë truri !

Me dy paraqitjet e para ,vetë Zaevi pa mëdyshje tregoi se “shpërthimet bombave” të tij do t’i bëjë në mënyrë korrekte ndaj palëve të prekura nga ky skandal i hatashëm përgjimesh me shkeljen e privatësisë dhe të së drejtës së komunikimit të lirë të tyre të garantuar me Kushtetutën dhe ligjin si dhe konventat ndërkombëtare dhe jashtë asnjë përpjekjeje për manipulim politik me përgjimet ndaj tyre.A do t’i rrijë gjer në fund kësaj fjale,mbetet të shohim në fund.A mund të bjerë në ndonjë “grackë” të “redifëve të tij ndër shqiptarë” me ndonjë “propozim të ri orvelian” ,për të lakuar nga qëndrimi i vet parimor të përmendur më sipër,shohim e bëjmë.

NDOSHTA MUND TË DALË EDHE NDONJË ANË MË E ERRËT..!

“Shpërthimet” e radhës është e kuptueshme se do ta shpalosin pjesë-pjesë shëmtinë dhe thellësinë e këtij skandali,sikundër është poashtu fare e kuptueshme për ta hamendësuar edhe shëmtinë dhe thellësinë e ndërliqjes së një numri të caktuar të shqiptarëve në të, që ushtrojnë funksione politike,qeveritare e publike.Ka gjasa, ta zëmë sipas asaj që parathuhet tërthorazi,të zbardhen përdorime dhe shpërdorime,shantazhe,korrupsion e të tjera shëmti pengzënëse e të tjera kësodore.

Por,mund të ketë ose të priten edhe befasi të tjera të hamendësuara.Bie fjala, e si tregojnë bathët,një pjesë aktorësh të biznesit shqiptar,të ndërliqur me pushtetin e BDI-së,e quajtur edhe DUI, apo një pjesë e aktorësh të tjerë biznesi jashtë kësaj partië,mund të dalin se kanë qene “më të shkueshëm” drejtëpërdrejt me Mijallkovin,pa ndërmjetësim të ndonjë Musa Xhaferi apo Abdylaqim Ademi dhe të ketë nxjerrë privilegje e të ketë bërë zullume të ndryshme ndaj bizneseve që janë jashtë lidhjeve të tyre me qeverinë, si dhe zullume mbi pronësinë private të qytetarëve të shkretë.Kjo anë,që mund të shpërfaqet pa pritur e pa kujtuar, mund të dalë,biles,ana më e errët e këtij skandali për shqiptarët..?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat