Sindikata e arsimit e ka mbajtur gjallë arsimin

Opinione

Sindikata e arsimit e ka mbajtur gjallë arsimin

Nga: Shkruan: Sadri Rexhepi Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:06

Sindikata e arsimit, pos që ka qenë kundërshtare e sistemit arsimor të ish Jugosllavisë në vitet e 90-ta, e ka mbajtur gjallë arsimin shqip të Kosovës dhe njëherit ka qenë krah i denjë dhe kontributdhënës i pavarësisë së Kosovës. Sivjet në shkurt u mbushën 25 vjet nga themelimi i sindikatës së arsimit të Kosovës, andaj do të duhej që së pakut ky jubile të shënohet me ndonjë konferencë a aktivitet tjetër.

Viti 1990 ka shënuar një ngjarje me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, themelimin e sindikatës së arsimit shqip të Kosovës. Për këtë arsye ky vit duhet të jetë vit i këtij jubilu, ngase ka ngritur vetëdijen e lartë kombëtare tek shqiptarët. Në këtë vit pjesa dërmuese e popullit shqiptar të Kosovës, në këtë kohë të monizmit, u largua nga ish partia e vetme politike e asaj kohe, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë (LKJ) dhe kaloi në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Viti 1990 gjithashtu ka shënuar edhe themelimin e Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave në Kosovë (LGJPGJPNK). Gjithashtu, në vitin 1990 u themelua edhe celula e parë e sindikatës së pavarur shqiptare të arsimit në Kosovë, me emrin e quajtur atëherë Sindikata e Pavarur (SP), ndërsa sindikata e arsimit u themelua me emrin Sindikata e Pavarur e Arsimit të Kosovës (SPAK), e cila më vonë u quajt Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK).

Ideja për themelimin e sindikatës së arsimit të Kosovës ka lindur pikërisht në Shkollën Fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë në muajin shkurt të vitit 1990, nga profesori i historisë i kësaj shkolle, Sadri Rexhepi. Kësaj ideje të themelimit të sindikatës së pavarur të arsimit me qëllim të shkëputjes nga sindikata e atëhershme e ish Jugosllavisë fatmirësisht iu bashkuan tri shkollat e para fillore, si SHF “Asim Vokshi”, SHF “Zenel Hajdini” dhe SHF “Emin Duraku” drejtorët e të cilave ishin Kadri Zeqiri, Rrahman Jashari dhe Sylejman Salihu. Të vetmit këta tre drejtorë ishin të guximshëm të cilët e pranuan themelimin e sindikatës. Viti 1990 shënon njërin ndër vitet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar të Kosovës, vit ky kur populli shqiptar u largua nga institucionet që udhëhiqeshin prej serbëve. Themelimi i SPAK shënon njërin ndër ngjarjet më të rëndësishme, e cila qon drejt pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Në kujtim të 25 Vjetorit të themelimit të SPAK që shënon kontributin e atyre që e themeluan SPAK-un.

Më 23 mars të vitit 1989 u mor Autonomia Kushtetuese e Kosovës, e ky rast shënon fillimin e shkatërrimit të Federatës që bëhet realitet më 14 dhjetor 1989 me rastin e mbajtjes së Kuvendit të Jugosllavisë, kur dy delegacionet ai slloven dhe ai kroat e lëshuan seancën për shkak të paraqitjes hegjemoniste të Serbisë ndaj republikave tjera gjegjësisht ndaj shtatë subjekteve federative të cilat ishin me tretman të barabartë në federatë. Kështu, para 26 vitesh, konkretisht në vitin 1988 rrethanat e krijuara politike e gjeopolitike të Federatës Jugosllave kishin krijuar një situatë shkatërrimtare të federatës, ndërsa në Serbi kishte filluar lëvizja nacionaliste e nxitur nga Akademia e Shkencave dhe kisha, duke e ngritur në këmbë popullin serb me mitingje të cilat ishin në dëm të interesave shqiptare. Në këtë vit në Serbi filloi një politikë hegjemoniste dhe fashisoide ndaj të gjithë popujve tjerë jo serb, siç ishin sllovenët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, etj., të cilët popuj ende ishin nën sovranitetin e Federatës Jugosllave.

Andaj, duke parë disfata dhe lëshime që bënte Federata Jugosllave në dëm të interesave tona, patriotët shqiptarë të kohës organizuan dhe themeluan Lëvizjen demokratike e cila shënon organizimin e plotë të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Kjo lëvizje i ngjalli shpresat te populli se më në fund do të dalë dikush që do ta udhëheq atë, ndërsa e unifikoi gjithë faktorin shqiptar. Ndërkaq, shkolla shqipe në Kosovë, ndonëse në shekullin e zbulimeve të mëdha, pengohej nga ish regjimi që të hapëronte drejt ardhmërisë kombëtare shqiptare. Fillimisht u bë ndërprerja e pagave për mësimdhënësit e klasave të para dhe të pesta e më vonë për gjithë arsimin shqiptar në Kosovë. Pastaj pason helmimi i nxënësve shqiptar dhe largimi i tyre nga godinat e tyre shkollore.

Në atë kohë të pakohë, në atë katrahurë, në atë situatë dramatike për popullin shqiptar në të gjitha segmentet e jetës shoqërore e politike arsimi ishte diga më e fortë kundër qarqeve shoviniste pushtuese serbomadhe. Punëtorët edukativo-arsimor morën iniciativën për të themeluar Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Kosovës (SPAK) nga tri shkollat fillore “Asim Vokshi”, “Emin Duraku” dhe “Zenel Hajdini” të Prishtinës. Tash dua të përmend disa detaje nga kjo ngjarje, nga punët e zhvilluara rreth themelimit të sindikatës së arsimit.

Personalisht kam shkuar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës dhe i kam njoftuar për idenë e themelimit të Sindikatës së Pavarur, por në atë kohë disi të gjithë hezitonin se mos po u ndodhte ndonjë e keqe. Në Mbledhjen themeluese të sindikatës së arsimit të mbajtur në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, kemi marrë pjesë edhe ne arsimtarët e Shkollës Fillore “Asim Vokshi”, si (unë) Sadri Rexhepi, Ali Rexha , Kadri Zeqiri, Shefki Krasniqi ndërsa nga Shkolla Fillore “Emin Duraku” morën pjesë drejtori i shkollës Sylejman Salihu, Habib Aliu dhe Shaip Selim arsimtar i fizikës, kurse nga SHF “Zenel Hajdini” kanë marrë pjesë Rrahman Jashari, dhe një tjetër.

Unë pasi isha iniciator i themelimit të Sindikatës e kam hapur tubimin, kurse një letër që ia pata përgatitur Sylejman Salihut një ditë më parë që ai ta lexonte atë, Syla ia dha ta lexojë Habib Aliut. Rëndësinë që pati kjo ngjarje në zhvillimet e mëvonshme e vërtetoi edhe koha. Në kuadër të kësaj Sindikate janë arritur shumë rezultate në organizimin e procesit edukativo-arsimor, sidomos në kohën e segregacionit, kur punëtorëve arsimor shqiptar iu ndërprenë pagat për tri vjet me radhë. Po kjo Sindikatë i sistemoi nxënësit dhe studentët nëpër shtëpi private që u bën shkolla, pas largimit të tyre nga objektet e tyre shkollore dhe godinat e fakulteteve. Së këndejmi, për rëndësinë e themelimit të SPAK-ut duhet të mbahen një varg manifestimesh, konferencash e sesionesh shkencore, nga të cilat do të shihet rëndësia që ka pasur sindikata në zhvillimin e proceseve arsimore dhe në jetën kulturore arsimore, politike dhe kombëtare shqiptare gjatë periudhës dhjetëvjecare të okupimit të egër dhe gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës, në liri.

Studiuesit dhe intelektualët tanë përveç që çmonin lartë përpjekjet e secilit shqiptar për shtetin e Kosovës, po ashtu në veçanti të punëtorëve edukativo-arsimor të cilët mahnitën botën e qytetëruar kur mbajtën mësimin për tri vjet rresht pa asnjë lekë. Në të vërtetë pas tri viteve punëtorët arsimor filluan të paguhen 20 marka e tutje deri në 150 marka gjermane. Kjo u arrit duke iu falënderuar angazhimit të sindikalistëve, përkatësisht sindikatës së arsimit. Megjithatë, në vitin 1998-99 punëtorët arsimor nuk morën fare paga. Së këndejmi SPAK-u nuk ishte thjesht një sindikatë, por ajo kishte karakter politik e kombëtar, me orientim perëndimor të shqiptarëve për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror, politik e kombëtar.

Andaj, Sindikata e Arsimit ka pasur rol të rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës, e sidomos në arsimin e të gjitha niveleve, për shkak se u mbajt gjallë po nga kjo sindikatë dhe nuk u shua arsimi për asnjë vit, për asnjë muaj e as për një ditë gjatë okupimit dhjetëvjeçar. Kontributi i mësimdhënësve në dekadën e fundit të shekullit të kaluar po shikohet me një sy të zbehtë. Mirëpo, sindikata e arsimit për këto 25 vite të ekzistimit dhe zhvillimit të veprimtarisë së saj duhet të shpërblehet me mirënjohjet më të larta shtetërore dhe kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat