Atdheun ta duam si sytë!...

Opinione

Atdheun ta duam si sytë!...

Nga: Dibran Demaku Më: 3 mars 2015 Në ora: 12:36

Ditëlindja e shtetit të Kosovës 17 shkurti këtë herë erdhi e iku disi në mënyrë të heshtur! Nuk kishte as eufori e as entuziazëm popullor për këtë datë historike, siç kishte viteve të kaluara! Dikund u festua shtatë vjetori i Pavarësisë së Republikës sonë e diku kjo ditë kaloi si një ditë krejt e zakonshme.Ditën dhe datën historike të vendit tonë sikur e kaluan në heshtje edhe mediat e shkruara dhe vizive të vendit! Ishte ky një urdhër i ardhur nga lartë që për festën në fjalë mos të bëhej zhurmë e madhe si viteve të kaluara,apo thjeshtë ishte vendim i redaksive të tyre nuk dihet!

Ajo që dihet tashmë botërisht,Festa e Pavarësisë së vendit tonë erdhi e iku disi e zvetnuar.Për këtë zvetnim të kësaj feste të madhe kombëtare( më e madhja pas asaj të Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-tën) thuajse e kemi të gjithë nga një pjesë të fajit! Për këto shtatë vite,në vend që t`i grumbullonim forcat në forcimin e shtetit tonë,ne thuajse u kënaqëm me Pavarësimin e tij dhe kaq?! Ne që të gjithë e duam shtetin tonë, por kur ai shteti ynë i kërkon obligimet që kemi për të,sikur zbythemi dhe fillojmë mos ta duam më shtetin! Fillojmë e ankohemi se shteti ynë po na ngarkon me shumë taksa e obligime të tjera si këto! Me një fjalë ne e duam shtetin derisa ai nuk kërkon asgjë nga ne,por po ndodhi që ai të kërkojë, ne fillojmë dhe e akuzojmë shtetin tonë! Ne kërkojmë nga shteti që ai të na sigurojë ujë të mjaftueshëm,por që atë ujë mos ta paguajmë; ne kërkojmë nga shteti që të na sigurojë drita të mjaftueshme,por që ato drita të mos i paguajmë, e kështu me radhë?!...

Vite më parë,dhe pikërisht në vitin 1995,atëherë kur shteti kroat kishte fituar luftën kundër serbëve lokalë,një delegacion i gazetarëve të "Rilindjes" së atëherëshme të Prishtinës kishte shkuar në Zagreb në vizitë si dhe të raportonin nga atje për ditët e para të lirisë së shtetit kroat!Siç do të shkruante njëri nga gazetarët e delegacionit të "Rilindjes",ata ishin pritur shumë mirë në kryeqytetin kroat në Zagreb.Kishin bërë vizitita nëpër kryeqytetin kroat,që të shihnin se si lëvizte jeta në liri! Së bashku me mikpritësit kroat kishin shëtitur nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit kroat.Në fund të ditës kishin vendosur që të ktheheshin e të pushonin në hotelin ku ishin vendosur.Kishin hypur në tramvajin e qytetit dhe të përfshirë në biseda të ndryshme kishin harruar të prisnin biletat e udhëtimit.Pak para arritjes në cak,njërit nga mikpritësit kroat i ishte kujtuar se nuk i kishin prarë biletat.Ishte afruar tek fatorinoja dhe pa u hezituar kishte paguar për dymbëdhjetë bileta,ndërkaq mikpritësit së bashku me të ardhurit nga Prishtina ishin vetëm gjashtë veta! Njëri nga gazetarët e Prishtinës,që ishte fascinuar me gjestin e kolegut kroat kishte pyetur:-Përse pagove për dymbëdhjetë bileta kur ne jemi vetëm gjashtë veta?! Gazetari kroat ia kishte kthyer me të qeshur në fillim dhe me seriozitet të theksuar në përfundim të fjalës:- Pagova për dymbëdhjetë bileta si dënim për harresën,por edhe për diçka tjetër: ne jemi duke ndërtuar shtet dhe po se ndihmuam ne shtetin tonë kush do ta ndihmojë atë?! Gazetari nga Prishtina ishte mahnitur me gjestin e kolegut kroat!...

Në një tregim popullor thuhet:Djali kishte vetëm Nënën.Ajo ishte plakur e lodhur nga vitet.Djali i saj përkujdesej për të.E lante,e ushqente dhe i ofronte gjithçka që i duhej asaj.Hyji apo Zoti habitej me përkushtimin e djalit ndaj nënës së vet.Duke e parë përkushtimin e tij deshi që ta vinte në provë, ia shndërroi nënën në derr! Djali do të vazhdonte të kujdesej edhe më tutje për nënën e tij të shndërruar në derr si atëherë kur ishte në formën e njeriut.Atëherë Hyji apo Zoti, do të ia rikthente nënën në formën e parë,në formën e njeriut,sepse ishte bindur se i biri gjithçka bënte, e bënte me dëshirë e përkushtim se e dinte se ajo ishte nëna e tij!..

Ne shqiptarët e Kosovës,kudo ku ndodhemi kemi veç një Nënë e ajo është Kosova! Prandaj ne duhet të kujdesemi për të si për Nënën! Duhet të kujdesemi e të japim për të gjithçka kemi! Duhet të kujdesemi edhe atëherë kur mendojmë se Nëna na ka harruar! Duhet të kujdesemi edhe atëherë kur mendojmë se Atdheu nuk po na ofron asgjë! Duhet të kujdesemi dhe ta duam atdheun tonë me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij! Duhet të kujdesemi dhe ta duam atdheun tonë sepse atë e kemi të vetmin për të sotmen dhe të ardhmen tonë e të fëmijëve e të nipërve tanë! Atdheun ta duam si sytë tonë dhe ditën e lindjes së tij ta festojmë gjithmonë me gëzim e dinjitet!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat