Plaga e njëmbëdhjetë e Gjergj Elez Alisë!

Opinione

Plaga e njëmbëdhjetë e Gjergj Elez Alisë!

Nga: Shkruan: Fadil Lepaja Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:24

Përralla thotë se ai u nis për udhë e hajt, hajt, hajt...! Nuk dihet a mbërriti ndokund, apo mbeti udhëtarë i përjetshëm?!

Duke qenë se përrallat tona janë shumë më të moçme edhe se romantizmi nacional, ato kanë lloje personazheve nga më të ndryshme të, të cilat kuptohet se aso kohe nuk ishin shqiptare. Teoricienët e kombit thonë se asokohe, pra para shekullit XIX nuk kishte shqiptarë, por se ishim diçka tjetër...! Tash ne, shikuar me ADN, ishim, këta të njëjtit, por atëherë nuk e dinim se çfarë do të bëheshim! Pra, kishim lexuar vetëm dy kapitujt strategjik të librit të madh Sami Frashrit...! Nuk e dinim çfarë do të bëheshim!

Pastaj, kuptohet vetvetiu se shqiptarët do të prisnin që fillimisht të tjerët të bëhen kombe se nuk na takonte neve të parëve, të prijmë. Pastaj ku na lënë vëlla, me këtë politikë që kemi!

Pra as këto qeniet dhe personazhet të përrallave nuk ishin shqiptare. Ishin.... personazhe! Sepse asokohe krejt ishin personazhe! Flisnin, drunjtë, shtazët, shpezët, lloje lloje nga më të ndryshmit! Pa fillim e fund! Politikanët nuk flisnin! Ata, vetëm tash, në kohën e medias gjithëpërfshirëse, i kanë dhënë gjuhës!

Në përralla pra ka gjithçka, gjithfarë rreziqesh, duke filluar prej këlshedrave e deri te bajlozët e detit! Ka edhe zana! Të mira, të këqija dhe ashtu, si orta, as të mira as të këqija! Ose, herë të mira e herë të këqija! Diçka si pako speciale, ndërlidhëse!

Nejse, vjen bajlozi i detit , me vapore, se nga deti nuk vinte dot ndryshe, dhe ndalet pikërisht në brigjet e tona! Pasi ecë pak këmbë, sa për të çmpirë këmbët, dhe për të kapur ekuilibrin me këtë tokë, ai i hip kalit dhe sulet nëpër fshatra! Qytetet nuk i nguci, se asokohe nuk kishte fare qytete ndër ne! Qytet ishte veç Stambolla! E nëpër fshatra, shpi për shpi, kërkonte nga një dele dhe një vajzë të re! Çdo natë, kështu!

E çka ka të bëjë Qosja me këtë? Ai ngeli te romantizmi! Bajlozët ishin shumë më herët! Jo se është përrallë e keqe romantizmi, porse tash as përrallat nuk janë çfarë kanë qenë! Po rishkruhen!

Kështu, bajlozët erdhën prej dika dhe u futën edhe në këtë përrallën tonë moderne për babën e kombit, i cili kohëve të fundit përsëri po i shfleton fletët e bagremit! Po thotë: ky i keq, e ky edhe më i keq! Veç ai është i mirë në përrallën tonë post romantike shqiptare! Ai është vet Gjergj Elezi, me nëntë plagë virtuale! Qy, nëntë?! Do të thosha dhjetë por, për plagën e dhjetë kam shkruajtur vjet. Pra, Njëmbëdhjetë thuaj! Le të mbetet njëmbëdhjetë! Se do na akuzojnë për plagjiat! Pastaj, dhjeta e ka edhe nje problem: decimalet nuk janë aspak për këtë prozë poetike!
Ajo që nuk po e dimë, në krejt këto rrethana të turbullta është se nga vinin bajlozët e detit? Prej deti gjithsesi, por deti është i pafund or vëlla, e vaporet nuk ndalen kurrë! Në përrallat dhe këngët tona gjithnjë vijnë vaporet!

Nëse nuk e dimë se prej nga vinin bajlozët, ajo që dimë me siguri është se Gjergjit tonë i pikonte çatia. Qosjes po i pikon çatia! Ëndërrimtari i madh, mbase edhe Don Kishoti jonë lokal, i ka mësy sërish mullinjtë! Mullinjtë e politikës! Këtu, si e dini, nuk kishte kurrë mullinj me erë, por mielli ishte gjithnjë i dyshimtë! I vinte era! Sikur te kjo afera e fundit, me miellin! Express afera! Kombi nuk po e konstaton dot, a po ha miell apo krunde, e krejt kjo sepse ... gazetarët duhet të shesin lajme! Se kur do politika shpejt i rehaton gjërat! E pat se si e rehatoi migrimin? Kur u mbush numri, e mbylli ventilin e sigurisë! U ndal! Shyqyr thuaj!

Pra, mullinjtë e politikës, shesin lajme! Të prodhojnë desha të them, me idenë se po gaboj rëndë kur po përmendi lajmin si një kategori e shenjët, në një kontekst me tregun! Por në shoqërinë tonë e cila iku me vrap prej socializmi, çdo gjë bëhet për treg, kot idealizma romantike për ... Gjergjin që ngrihet në këmbë, me të nëntë plagët virtuale në trup!
Çatia i pikon Gjergj Elez Alisë, apo së paku ai kështu kujtonte derisa po mendonte se çfarë do të bëhet me nëntë plagët e tij që i kullonin! Po e merrni me mend se shtëpia e Gjergjit, është ajo godina futuristike me emrin Akademi e Shkencave dhe Arteve! Pranë arsimit tonë futurist! Qaty ku u zbulua metoda se si me nxjerrë kuadro pa pasë nevojë .... as me msue! Të mësuarit është vjetruar! Më sill notat or vëlla! E Gjergji, aq gjat është në Akademi sa lirisht mund të e quaj si shtëpinë e vet! Të tjerët erdhën më vonë! Prej politikës post socialiste. Se në socializëm akademikët zgjidheshin me meritë! Këta sot...jo!

Pra, Gjergj Elezi i moçëm, po mendonte për plagët e tij, dhe nuk është aspak çudi e as nuk i vë faj njeri, kur e kujton se asokohe nuk kishte as sigurim shëndetësorë çfarë e kemi ne sot! Kështu, ngushëllohet! Gjergji, së paku, për ngushëllim, nuk ka pasur nevojë të mendoj se a hyjnë të gjitha plagët e tij në pakon shëndetësore, apo vetëm disa! Plagët e kritikës, domosdo do të pranohen! Por ato të politikës?

Nuk pikon çatia, or vëlla! Kombi po qanë! Vajton fatin e mjerë i të qenit komb i vogël të cilin vazhdimisht e sulmojnë bajlozët, që vijnë vazhdimisht prej dika! Një jetë e tërë kombëtare me frikën prej bajlozëve! E politika krihet ... ! Akademia meret me politike, e politika merret me ... llafe!

Pikë, pikë, pikë ... këndonte dikur, dikush! Pikat e shiut bien mbi qelq! Akademia, kjo ndërtesë e qelqtë! Kujdes se thuhet shkenca jonë e brishtë! Për artet nuk kam frikë! Ato po mbijetojnë dhe po e kalojnë detin! Gjergj Elez Alia, me njëmbëdhjetë plagë virtuale po e bojkoton zyrën e vet në Akademi! Ai tashmë është shpërngulur në media elektronike dhe virtuale! Ka ikur nga aroma e çuditshme dhe asnjëherë e zbërthyer e librave! Edhe formula e Coca Colës u zbardhe, por jo edhe aroma dehëse e librave...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat