Asgjë e re nga Eurodeputeti Aymeric Chauprade: Ai përsëriti atë që kishte thënë më parë ideologu i tij, Jean-Marie Lepen-i

Opinione

Asgjë e re nga Eurodeputeti Aymeric Chauprade: Ai përsëriti atë që kishte thënë më parë ideologu i tij, Jean-Marie Lepen-i

Nga: Nga Jakup Krasniqi Më: 2 mars 2015 Në ora: 13:59

Mediat e sotme njoftuan se në intervistën dhënë gazetës beogradase «Novosti» anëtari i Frontit Nacional (Front National) të Francës në Parlamentin Evropian, Aymeric Chauprade, deklaron se “Parisi ka bërë «gabim historik» me atë që e ka njohur Kosovën, kurse NATO me luftën kundër Serbisë e ka legjitimuar separatizmin e shqiptarëve dhe Bashkimi Evropian vetëm e ka ndjekur politikën amerikane”. Një qëndrim i tillë mund të habitë secilin lexues që nuk e di se ky eurodeputet është anëtarë i partisë së djathtë ekstreme, të udhëhequr deri pak kohë më parë nga Jean-Marie Le Pen-i e tani nga vajza e tij, Marine Le Pen.

Po sjell për lexuesin një fragment të qëndrimeve Jean-Marie Le Pen-it, të ideologut të Aymeric Chauprade lidhur me Serbinë dhe luftërat e organizuara prej saj. Në një intervistë dhënë gazetës kroate «Jutarni List», vite më parë, Le Pen-i jo vetëm që nuk e fshehu qëndrimin e tij pro-serb por ai pohoi haptazi se Vojislav Šešel-i, Radovan Karadţić-i dhe Biljana Plavšić-i, tre krijuesit e politikës së spastrimit etnik dhe gjenocidit në Bosnje, janë miq të tij. Arroganca e Le Pen-it shkoi deri në atë shkallë sa u bëri thirrje kroatëve që të mos mbështesin Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Ky qëndrim i Le Pen-it është i kuptueshëm, sepse i ndiqeshin miqtë për gjenocidin e kryer në Bosnje. Në të njëjtën kohë, kjo figurë politike e ekstremit të djathtë të politikës franceze dhe evropiane deklaroi se ka mbështetur Serbët në luftën e tyre kundër NATO-s dhe amerikanëve”

( Intervistën në tërësi mund ta lexoni në faqen web të «Jutarni list»: http://www.jutarnji.hr/jean-marie-le-pen--svi-vi-koji-ze…/…/ )

Stigmatizimi i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti nuk është karakteristikë vetëm e të djathtës ekstreme në shtetet e demokracive perëndimore. Në përhapjen e stigmatizimeve të tilla janë angazhuar intelektual të profileve të ndryshme dhe të orientimeve ideologjike të tërë spektrit politik: nga e djathta ekstreme e deri te e majta ekstreme.
Për ata që janë te interesuar të dinë më shumë rreth kësaj çështje ju sugjeroj veprën e politologut Bardhyl Mahmuti «Mashtrimi i madh». Në këtë vepër do të shihni se si për shkak të verbërimit ideologjik me «antiamerikanizëm» njerëz të njohur si përfaqësues të së majtës si Regis Debreay-ja, Serge Halimi, Jean-Luc Mélenchon-i, Jürgen Elsässer-i ndodhen në një tabor me Jean-Marie Le Pen-in, Xavier Raufer-in, Dick Marty-in, Christophe Blocher-in dhe përfaqësues tjerë të ekstremit të djathtë.

Nuk duhet të habitemi nga përsëritjet aq të shpeshta të deklaratave të tilla. Në teknikat e manipulimit me opinionin publik është e njohur thënia e ministrit të Edukimit të Popullit dhe të Propagandës së regjimit nazist, Joseph Goebbels-i, se “sa më e madhe është gënjeshtra, aq më lehtë kalon! Sa më shpesh të përsëritet, aq më shumë i beson populli!”

Të gjithë atyre që janë verbëruar nga ideologjia e «antiamerikanizmit» u themi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, që stabilizoi këtë pjesë të Ballkanit. Qofshin të ideologjisë së djathtë, qofshin të asaj të majtë të gjithë politikanët dhe intelektualët që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës janë duke punuar në interes të atyre forcave që nuk e duan paqen dhe stabilitetin në Evropë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat