Reflekset e kushtëzuara që bllokojnë integrimin Europian

Opinione

Reflekset e kushtëzuara që bllokojnë integrimin Europian

Nga: Nga Lavdrim Lita Më: 1 mars 2015 Në ora: 22:04

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, z. Davide Sasoli, ka bërë një shkrim dje për Huffington Post në lidhje me integrimin europian të vendeve të Ballkanit. Si një ish-gazetar italian z. Sasoli i njeh mirë efektet e fuqishme të fjalës, posaçërisht asaj të shkruar dhe kjo duket në titullin e shkrimit të tij, “E dashur Serbi, për të hyrë në Europë lidhja me Rusinë nuk është një opsion...”.
Ai thotë në këtë analizë se me bashkimin e vendeve të rajonit me Europën politike do të ishte bashkimi i politikës me gjeografinë, duke pasur një Europë më të bashkuar, me resurse e tregje të reja, si dhe me një popullatë që do të përfundojë një cikël historik. Një cikël historik që do të shohë bashkë vende dhe kombe që kurrë më parë nuk ka qenë bashkë. Sipas tij, një vëmendje të veçantë ndaj integrimit po e tregon Gjermania, ndërsa Italia vuan, sipas tij, nga mos interesimi, çka është e pakuptueshme për atraksionin që kanë vendet e përtej atlantikut për të.
Pas antarësimit të Sllovenisë në 2004 dhe Kroacisë në 2013, rruga është e hapur për shumë vende të rajonit. Në këtë pikë zëvendës presidenti Europian, z. Davide Sasoli ndalet për secilin vend. Sipas tij, Shqipëria duhet të përmbushë akoma plotësisht 12 pikat e vendosura në 2010 për të bërë negociata serioze për anëtarësim në BE. Kujtojmë se 12 kushtet e BE-së ishin janë arritur në letër ndërsa zbatimit praktik i reformave mbetet një lojë arbitrare e qeverisjes dhe jo një angazhim serioz. Zëvendëspresidenti i PE në analizën e tij shprehet se shtetet e rajonit nuk duhet vetëm të bëjmë “detyrat e shtëpisë”.
Sipas tij më shumë ka të bëjë me çlirimin e reflekseve të së shkuarës që rilidhjen fije të vjetra historike, kulturore e fetare. Ai këtu merr shembullin e Serbisë, që sipas tij, hyrja e këtij vendi në BE është strategjike në skakierën gjeopolitike të Ballkanit. Për parlamentin europian negociatat po sjellin efekte pozitive për qeverinë e Beogradit, e cila “ka bërë hapa të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”. Kujtoj këtu se Rusia i jep një mbështetje të pakushtëzuar Serbisë kundër Kosovës në ambientet e organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sipas zëvendëspresidentit të PE z. Sasoli, BE-ja ka shprehur keqardhje që Serbia nuk iu është bashkuar vendeve perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë, edhe pse asaj i ishte kërkuar ta bënte këtë gjë. Kjo sjellje e Serbisë konsiderohet në Bruksel si një refleks i kushtëzuar që ndërlikon marrëdhëniet e anëtarësimit dhe pa zgjidhjen e kësaj nyje është e pamundur ecja përpara. Një rezolutë për këtë gjë do të votohet në mars në një sesion plenar të Parlamentit Europian.
Sipas zëvendëspresidentit Europian të rreshtohesh me vendet e marra demokratikisht nga organizmat komunitarë, edhe pse Serbia ka mbajtur pozicionet e mbrojtur interesat e saj, nuk është më një opsion. Mesazhi që jep politikani i lartë i BE është se loja me dy porta e liderëve të rajonit nuk është më e lejueshme. Në themel të kësaj, qëndron fakti që do të ishte e vështirë të mbrohej kërkesa për anëtarësim nëse nuk sqarohen vendimmarrja politike e strategjike. Paqartësia strategjike që kanë shumë vende të Ballkanit vjen kryesisht si pasojë e paqartësisë që kanë shumë liderë të vendeve të rajonit për lojën demokratike.
Nëse shikojmë në Shqipëri, qeverisja e kryeministrit z. Edi Rama është larg e të qënit europiane dhe loja politike është më shumë bizantine sesa perëndimore. Në Maqedoni kanë shpërthyer ujërat e zeza të politikës së basifondeve ku mijëra orë përgjime dëshmojnë për shantazhe, emërime pa parime dhe mos respektim bazik të të drejtave të njeriut. Në Kosovë, qeverisja e re LDK-së po reflekton tiparet karakteriale të z. Isa Mustafa dhe hijen mbytëse të z. Hashim Thacit. Në Serbi, z. Vucic përveç ekonomisë së dobët dhe dhimbjeve të kokës që i japin negociatat me Kosovë, një lajm jo fortë i mirë për Serbinë është zgjedhja e Kolinda Grabar-Kitarovic presidente e Kroacisë. Presidentja kroate Grabar-Kitarovic, ish-ambasadore në SHBA në 2008-2011, është një euroatlantiste e përbetuar.
Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian do të kërkojë një vullnet të qartë jo vetëm të popujve që e banojnë, por edhe elitave politike që veprojnë përditë në këtë negocim të gjatë e të lodhshëm, por gjithsesi arritja e këtij objektivi do të jetë një përfundim dhe një nisje më e mirë sesa sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat