Rëndësia gjeostrategjike e Luginës së Preshevës për Shqiptarët dhe rajonin

Opinione

Rëndësia gjeostrategjike e Luginës së Preshevës për Shqiptarët dhe rajonin

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 1 mars 2015 Në ora: 19:46

Gjendja e pashpresë e Luginës së Preshevës ka marrë përmasa alarmamante!
Kjo pjesë e Shqiptarisë shtrihet në pjesën vitale gjeopolitike të Ballkanit, nëpër të cilën kalon Korridori 10, që përfshinë Autostradën E-17 dhe Hekurudhën që lidhë Europën me Ballkanin dhe Azinë.


Kurse, në Shkup gërshetohet Korridori 10, që vazhdon nëpër Maqedoni, drejtë Selanikut dhe Athinës në Greqi.


Ndërkaq, Korridori 8 lidhë Stambollin dhe Azinë, nëpërmes Sofies e Shkupit me Shqipërinë dhe Durrësin në Adriatik.


Pra, pozita gjeostrategjike e gjeopolitike e Luginës së Preshevës, dmth të kësaj pjese të trungut kombëtar shqiptar, është tejet e madhe, madje kolosale. Jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin e Ballkanit dhe Europën.


Pikërisht për këtë arsye edhe në këtë trevë gjatë historisë janë zhvilluar shumë luftëra të përgjakëshme për ta dominuar këtë territor strategjik.


Historianët thonë se edhe Sulltan Murati këtu ka hasur në rrezistencë gjatë rrugëtimit të ushtrisë së tij në pranverën e vitit 1389 për Betejën e Kosovës.


Kjo rrezistencë kishte qenë e ashpër dhe arrinë që për disa ditë ta vonojë shkuarjen e tyre në fushëbetejën e Kosovës.


Pas shpatrtallimit të kësaj rrezistence të armatosur në Preshevë, sulltan Murati e kishte ndarë ushtrinë e vet në dy pjesë: njërën pjesë që do ta vazhdoj rrugën përmes Karadakut të Preshevës dhe pjesën tjetër nëpërmes Grykës së Konçulit, drejtë Gjilanit.


Se rëndësia gjeostrategjike e fushëgropës apo Luginës së Preshevës është kolosale, këtë e dëshmojnë edhe planet dhe projektet e ndryshme që planifikon Serbia, shpeshëherë e sugjeruar edhe nga vendet e Europës, madje edhe të Amerikës e Azisë, siç është rasti i Kanalit Danub-Vardar-Egje, për daljen e Serbisë në Detin Egje, që fillimisht ishte sugjeruar nga Austria, për ta bërë Serbinë të heq dorë nga pretendimet e saja për Durrësin në Shqipëri dhe daljen e Serbisë në Adriatik.


Ky pretendim i Serbisë, në fillimshekullin XX, e pengonte Austro-Hungarinë, meqë kishte përfitime të mëdha nga eksporti i mallrave të Serbisë, kryesisht produkteve bujqësore e blegtorale, që për shkak të pamundësisë së daljes së Serbisë në Adriatik, ato bëheshin nga Austro-Hungaria dhe realizonin fitime të mëdha, duke e vënë Serbinë në pozitë të varësisë ekonomike e politike.


Dalja eventuale e Serbisë në Adriatik nga Austra shikohej edhe si rrezik potencial nga marrëveshjeve e mundëshme të Serbisë me Italinë, që pastaj do mund t'i rrezikonin interesat Austriake në Adriatik.


Prandaj edhe ajo kishte propozuar mundësinë e daljes së Serbisë në Egje me anë të Kanalit të përmendur, për të cilin edhe Amerikanët kishin bërë një Projekt ideor në prag të Luftës së Parë Botërore, lidhur me te.


Rëndësia e këtij Kanali do të ishte e madhe edhe për Europën, meqë nëpërmes Danubit do mundësohej lundrimi deri në Egje dhe në detin Mesdhe, pa u detyruar për ta bërë rrugëtimin e gjatë reth e rrotull nga Baltiku e deri tek Gryka e Gjibraltarit, Mesdheu e deri në Egje dhe në Detin e Zi.


Pra, pa kurrëfarë dyshimi dhe dileme mund të konstatojmë se pozita gjeostrategjike e gjeopolitike e Luginës së Preshevës është jashtëzakonisht e rëndësishme, si për Serbinë, Ballkanin e Europën, ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi, dmth për Kosovën dhe Shqipërinë!


Prandaj edhe Rruga e Kombit, e ndërtuar nga Qeveria e Sali Berishës, si dhe Autostrada "Ibrahim Rugova", si vazhdim i saj nëpër Kosovë, synojnë lidhjen me Serbinë, për të siguruar daljen në Korridorin 10 dhe nëpërmes tij lidhjen me Europën e Azinë.


Por, pikërisht këtu edhe qëndron problemi kryesor!


Kosova ka paraparë që të lidhet me Korridorin 10 në Merdare, që është larg 90 km, nga Autostrada dhe paraqet një terren të papërshtatshëm në Serbi, që do i duheshin shumë investime Serbisë për ta shndërruar atë rrugë lokale në Autostradë moderne.


Serbia nuk ka vullnet politik që ta bëjë këtë, për t'ia bërë një shërbim të këtillë Shqipërisë dhe Kosovës, për t'i lidhur me Europën.


Prandaj, është e pritëshme që ajo do të kushtëzoj me të gjitha mundësitë dhe mjetet që i ka në dispozicion vazhdimin në terrenin e vet 90 km deri në Autostradë. Se si e me çka do e kushtëzoj këtë, kjo mbetet të shihet.


Por, problem tjetër që e karakterizon këtë rrugë është fakti se në anën e Serbisë, pëveç terrenit tejet të thyer e të papërshtatshëm, është edhe dakti se në anën e Serbisë në këtë pjesë nuk ka fare shqiptarë.


Madje, nuk ka asnjë shtëpi shqiptare në këtë pjesë të Serbisë!


Prandaj, edhe shtrohet pyetja e interesit të munguar kombëtar të shqiptarve, që do realizohej me këtë Autostradë.


Kurse, për dallim nga kjo pjesë, sikur të realizohej Autostrada nëpërmes Gjilanit dhe Bujanocit, atëherë do të kishim një situatë krejtësisht ndryshe dhe shumë më të favorëshme për shqiptarët.


Sepse, nga pika kufitare me Serbinë tek Dheu i Bardhë deri në Korridorin 10 janë gjithsej 9 km, dmth dhjetë herë më pak se sa nga Merdarja.


Pastaj, në anën e Serbisë, përgjatë rrugës deri në Autostradë, jetojnë shqiptarët, reth 90%, për dallim nga pjesa e Merdares ku nuk ka asnjë shqiptar.


Përparësia e lidhjes së Shqipërisë dhe Kosovës me këtë Autostradë që dron në faktin se ajo realisht do e lidhte Luginën e Preshevës me kombin shqiptar, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Kunanovën, Shkupin e Tetovën, duke krijuar një lidhmëri edhe më të fuqishme territoriale brenda kombit shqiptar në Ballkan.


Sigurisht se ky fakt nuk duhet neglizhuar!


Dy qeveritë, e Shqipërisë dhe e Kosovës kanë paralajmëruar mbledhjen e përbashkët më 23 mars në Tiranë.


Në agjendën e tyre doemos duhet të shtrohet si prioritet çështja e Luginës së Preshevës!


Kjo për faktin se zhagitja e realizimit të premtimit të dy qeverive në mbledhjen e përbashkët paraprake në Prizren për financimin e repartit të Maternitetit në Preshevë, përveç që kishte karakter të simbolikës poshtruese, duke marrë parasfysh shumën minimale deri në absurd e joserizotet të atyre, kurse zhagitja e dhënies së atyre mjeteve vërtetë ka kaluar çdo kufi dhe në vend që të ndihmonim diçka, ata vetëm sa irrituan edhe më tepër shqiptarët e Luginës.


Prandaj, në mbledhjen e 23 marsit 2015 në Prizren, ato duhet t'i korrigjojnë gabimet dhe neglizhencën e së kaluarës dhe t'i qasen me seriozitet e sinqeritet vëllazëror kësaj çështjeje, duke ndarë një fond domethënës për zhvillimin ekonomik të Luginës.

Gjithësesi, dy qeveritë duhet të marrin vendim unanim për hapjen e Konsullatës shqiptare dhe Zyres së Kosovës në Luginë, si dhe për përfshierjen e çështjes së Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, si të barabartë me çështjen e serbëve të Kosovës.

Urojmë që kësaj radhe të ndryshoj radikalisht qasja e dy qeverive shqiptare ndaj Luginës, që kjo pjesë vitale e Shqiptarisë të mos shikohet si barrë dhe obligim shtesë e tyre, por të shikohet si aset dhe pasuri e madhe gjeostrategjike e gjeopolitike, që ka rëndësi jetike për shqiptarët në Ballkan.

Andaj, ruajtja e bërthamës kombëtare shqiptare në këto troje të tyre stërgjyshore duhet shikuar e trajtuar si ruajtje të interesave kombëtare të shqiptarve në përgjithësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat