Krasniqi: Çmimi për vlerat është bërë si në shitoret “gjithçka me një euro”

Opinione

Krasniqi: Çmimi për vlerat është bërë si në shitoret “gjithçka me një euro”

Më: 1 mars 2015 Në ora: 13:11

Jakup Krasniqi thotë se natyrshmëria për të mos vlerësuar drejt,vazhdon të rishfaqet edhe sot dhe jo vetëm me listat e veteranëve e të invalidëve të LUFTËS ÇLIRIMTARE.

Por sipas tij, edhe aty ku vlerat do të duhej të mateshin si me peshoren e farmacisë të institucioneve më të larta shtetërore e arsimore.

Sipas tij, tek ne çmimi për vlerat ka rënë shumë, si në shitoret ku shiten “gjithçka me një euro”.

Madje ai pyet se ç’vlera kanë dekorimet dhe çmimet te shqiptarët?

Ja shkrimi i tij i plotë:

Qe një kohë ajo, kur vërtet mendoja se çmimet e ndryshme ndërkombëtare a“kombëtare” të ish-federatës apo ato të mëvonshmet serbe, ishin një reflektim i vlerave të matshme për një sukses apo arritje në fushat e shkencave humanitare, duke mos llogaritur me këtë rast sukseset dhe të arriturat në shkencat ekzakte dhe mjekësi, suksesi i të cilave gjithnjë është i matshëm. Besoja atëbotë se edhe çmimet nga ai për dëshmorin apo heroin e gjallë apo të rënë për lirinë dhe të drejtat e trumbetuara ishte më shumë se i verifikueshëm.

Por sot nuk besoj më! Thjesht, nuk besoj më, se është përzier ca si shumë shapi me sheqerin. Apo siç thoshte Fallmerayer-inë vitet 1857/60, se “tradhtia te shqiptarët ishte si një nga mëkatet më të natyrshme...”. Kjo do të thotë se në Evropën e kohës, tradhtia ishte një vepër e rëndë ndaj shtetit e kombit. Sigurisht që natyrshmëria për te mos vlerësuar drejt,vazhdon të rishfaqet edhe sot dhe jo vetëm me listat e veteranëve e të invalidëve të LUFTËS ÇLIRIMTARE, por edhe aty ku vlerat do të duhej të mateshin si me peshoren e farmacisë të institucioneve më të larta shtetërore e arsimore. Tek ne çmimi për vlerat ka rënë shumë, si në shitoret ku shiten “gjithçka me një euro”.

Që në vitet ’90 kam pas vërejtur se në shumë çmime e sidomos ato të disidentëve(të instancave europiane) të ndryshëm politikë e letrarë e veçmas disa çmime për “suksese” në fushat politike e humanitare, pas tyre shihej qartë “mashtrimi i madh”. Në fakt ato ishin “vlerësime” tërësisht politike,të cilat në tërësinë e tyre kishin edhe një lloj lajthitjeje, herë me hir e herë pahir.

Edhe pse një kohë, që para viteve ’90, politikanëve dhe shkencëtarëve “tanë” u jepeshin çmime të ndryshme siç ishin ai i AVNOJ-it dhe ai i 7.JUL-it (7 korrikut), për vepër politike apo shkencore.

Natyrisht që këto çmime u jepeshin atyre që ishin zgjedhur nga zotërinjtë e Beogradit dhe zakonisht u jepeshin atyre shqiptarëve që ishin shkëputur shumë nga interesat e qytetarëve që i përfaqësonin.

Gjithsesi, duhet theksuar se, as atëherë nuk jepeshin me lehtësinë që sot janë bërë një rutinë e përditshme që askush se merr më seriozisht. Ndërsa ata që meritonin ndonjë dekorim e çmim për veprime atdhetare ndiqeshin, izoloheshin, burgoseshin, por edhe vriteshin.

Madje edhe shumë nga njerëzit “tanë” ishin të gatshëm t’i “meritonin” të gjitha ato dekorataapo çmime “prestigjioze” për popullin dhe vendin e vet, sipas fabrikimit “kombe e kombësi”. Nuk ka dyshim se nga këta “njerëz”apo “personalitete” ishin me shumë dinjitet dhe integritet, të cilët i sfidonin vështirësitë dhe jo privilegjet e asnjë lloji të cilat sot e gjithë ditën i shohim të jetësohen.“Njerëzit” apo “personalitete” e dinjitetshme do të kenë besuar se do të vinte një ditë që do tëdekoroheshin nga pasardhësit e denjë dhe se dekoratat apo çmimet më të larta do të kishin bazament të meritueshëm sa edhe të besueshëm.

Së këndejmi shtrohen dy pyetje substanciale:

Përse nuk e kemi një komision të denjë vlerësimi, të përbërë nga njerëz të njohur e kredibilë?

Dhe

Përse do të ishte i rëndësishëm dekorimi i njerëzve derisa ata janë gjallë apo dekorimi dhe çmimet e ndryshme post mortum (pas vdekjes)?

Me një përgjigje të thjeshtë: për tanderuar një vepër a punë të mirë, një sakrificë a heroizëm të veçantë njerëzor!

Por, mirënjohjet kanë edhe qëllim parësor edukimin e brezave për punë e veprime të mira, për veprime të guximshme e heroizma të dobishëm për kombin e shtetin. Dhe kjo, për t’u treguar brezit të sotëm e atyre që do vijnë se për vepra të mira e të guximshme ekziston Institucioni i Mirënjohjes.

Atëherë, a po e shfrytëzojmë sot ne, shqiptarët e të dy anëve të Drinit të Lasgushit, Institucionin e Mirënjohjes? Institucionin e Mirënjohjes ku janë hipotetikisht dekorimet e presidentëve, të universiteteve (Honoris Causa) dhe komunave apo bashkive (Qytetar Nderi)! A përfshihen në këto dekorime apo çmime vlera të meritueshme të veprimit kombëtar apo vlera thjesht tregtare,“dhuratë që përbrenda kanë kamatë”? Nuk them se në mesin e të dekoruarve apo te çmimeve të tjera nuk ka të merituar! Por loja po bëhet si në politikë, kur luhet me gjysmë të vërteta. Kur përfshihen sa për t’u thënë një apo dy gjysmë të vërteta për t’i mbuluar shume mashtrime e gënjeshtra! Kjo lojë, me ndonjë përjashtim apo të vërtetë, sot e gjithë ditën po ndodh nga institucionet tona të mirënjohjes, institucione këto tejet të larta shtetërore, të cilat duhet ta kristalizonin e qëronin deri në perfeksion e respekt Institucionin e Mirënjohjes.

Duke e parë papërgjegjësinë publike të presidentëve (dhe jo vetëm të tyre), për përgjegjësinë e madhe publike që kanë, si të parët e kombit, do ta shfrytëzoj mundësinë e vetme, si një shtetas më përgjegjësi, të mendoj e të deklaroj me zë: Mjerë ai apo ajo që merr përgjegjësinë e të parit apo të parës së vendit e të kombit dhe nuk e ka ndjesinë e përgjegjësisë publike për të matur e çmatur mbi bazën e këshillave mirë të verifikueshme, nga njerëz e organe te besueshme!

Ju lutem, mos mashtroni bile e dekorime!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat