Pacolli sipas një të riu të Shqipërisë

Opinione

Pacolli sipas një të riu të Shqipërisë

Nga: Nga Oriola Musa Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 13:21

Ndërsa pamjet e shqiptarëve nga Kosova që ikin nga vendi janë bërë pamje botërore, si e specializuar për ekonomi dhe marrëdhënie publike-pra si njohëse e psikologjisë së turmave, unë pyes: pse populli i Kosovës nuk votoi fuqimisht ndërmarrësin më të madh shqiptar në botë, Behgjet Pacollin?

Pacolli këto ditë do dekorohet nga Shqipëria, e cila i ka dhënë shumë nderime të ndryshme, përfshirë titullin honoris causa të UET-it, ku unë bëj pjesë që nga themelimi. E ndjek facebookun ku ai është shumë aktiv, madje duke i dhënë përgjigje thuajse çdo kritiku të angazhimit të vet politik. Si unë, miq të tij janë shumë të rinj nga Shqipëria që i shprehin vazhdimisht adhurimin e tyre shqiptarit, që ka ditur të pajtojë punën e madhe, me studimin serioz, ndërmarrësinë gjeniale dhe filantropinë prekëse. Në njërin prej fjalimeve të mbajtura në një ceremoni në Tiranë, ai si dhe në disa raste të tjera ju referua një shprehje latine që më bëri përshtypje: nema propheta in patria sua. Askush s’të bën profet (apo udhëheqës) në fshatin tënd. Në këtë shprehje ka alibi për rezultatin e tij të dobët politik, por jo vetëm. Ka keqardhje që Kosova, vendlindja e tij nuk i ka dhënë nderime të ngjashme si në Shqipëri, vendi amë. Por, brenda kësaj shprehje ndihet besimi se ky është fati që rëndom në histori - që nga koha kur shprehja latine ka filluar të përdoret-popujt e papjekur i rezervojnë individëve të shquar si ai.

Pacolli ofroi pikërisht atë që i mungon atyre që ikin: punën!

Shprehja latine megjithatë është memece. Ajo nuk i jep përgjigje pyetjes me të cilën unë nisa shkrimin tim. Behgjet Pacolli siç thotë vetë shpesh, është politikan atipik, d.m.th. i është afruar politikës pasi ka parë se oferta e tij jo thjesht ideore për zhvillimin e vendit nuk është marrë në konsideratë nga politikanët tipikë, nga media tipike që bën si shumë e zgjuar në viset tona. Ka pretenduar si thoshte në një reagim në facebook-un e tij të udhëhiqte karvanin apo trenin politik, por nuk ka mundur ta udhëheqë dot si prijës. Pacolli i tregonte dikujt në facebook që i kërkonte llogari pse nuk bëri asgjë si zëvendëskryeministër, fabulën e karvanit. Me modesti pa i përmendur emrat e kafshëve bartëse të mallrave, kalin me gomarin - për të mos i fyer kolegët e vet politikanë-, Pacolli ofronte versionin e tij të marrëdhënieve me elitën ekzistuese qeverisëse. Sipas fabulës, në një karvan që transportonte mallra dhe njerëz diku në fund të shekullit të 19-të, i zoti i kafshëve i kishte hipur një kali, të dytin në radhë pas një gomari që i printe të gjithëve. I zoti donte të mbërrinte shpejt në destinacion ndaj i grahte kalit fort: ecë, ecë! Dikur kali i lodhur nga mamuzet e të zotit, i tha njeriut sikur të kishte gojë: nëse do të ecësh shpejt, atëherë më vendos mua në krye të karvanit dhe jo gomarin!

Mendoj që brenda kësaj fabule shprehet e vërteta e dështimit të personazhit Pacolli, një figurë jashtëzakonisht e adhuruar prej brezit të ri në Shqipëri dhe Kosovë, megjithëse jo të gjithë i kuptojnë arsyet e suksesit të tij. Sot në Kosovë qeverisë koalicioni i dy partive kryesore të elitës politike që ka qeverisur Kosovën në 16 vitet e lirisë dhe logjikisht qeveria e tyre do të duhet të kishte besim maksimal popullor. Por, jo, njerëzit ikin si në një amok nga sytë këmbët! Familje të tëra shkulen nga rrënjët e tyre, duke i besuar rrenave, manipulimit të mafias rajonale për t’u ngulur diku në perëndim. Ikin pa besuar në premtimet e kësaj qeverie që në letra kontrollon mbi 70% të votës së tyre. Oferta e Pacollit nuk u votua mjaftueshëm dhe nëse votat u numëruan drejt, ai nuk kaloi dot pragun prej 5%.

A ishte problemi tek oferta e tij, apo ku?

Sipas meje, sipas një ekonomisti që njeh rrjedhat kryesore të zhvillimit ekonomik botëror, apo të rajoneve të veçanta të globit, oferta politike e Pacollit ishte më e mira. Pacolli honoris causa i universitetit ku unë “jetoj” prej themelimit të UET-së, ofron zona të lira ekonomike apo financiare. Nuk janë ide në tym, por të vetmet që krijojnë mundësi punësimi masiv, ajo që i mungon Kosovës dhe që shtyjnë fatkeqët e ikur me autobusët e mafies. Zonat e lira sigurojnë, falë pozicionit transit të Kosovës dhe viseve shqiptare, shpërngulje masive kapitalesh dhe knoë hoë prej vendeve më të pasura. Edhe platformat agroushqimore që ai ka propozuar janë instrumente funksionale të tregut jo vetëm për Kosovën, por dhe për Shqipërinë me traditë të shkëlqyer të bujqësisë dhe blegtorisë në mbijetesën tonë kombëtare. Edhe platformat e tij krijojnë punësim masiv për rajonet e varfra të Kosovës. Programi për kompleksin e Trepçës brenda zgjidhjes graduale për administrimin publik të minierave dhe pasurive të tjera nëpërmjet Agjencisë së Participimeve nuk janë shpikje të Pacollit. Ato janë forma të kapitalizmit shtetëror që vende të caktuara europiane e kanë kaluar prej kohësh.

Dua të përqendrohem pak tek platforma e tij e bashkimit kombëtar që nis nga ekonomia dhe që u shpall së bashku me Universitetin Europian të Tiranës. Në një studim të paraqitur në konferencën e organizuar nga Pacolli së bashku me UET, rezultonte se viset shqiptare para copëtimit të vitit 1912, i kishin të gjithë potencialet ekonomike për t’u begatuar: pozitën transite me portet dhe luginat ku kalonin rrugët e kryqëzatave; minierat, bujqësinë e fushës së Kosovës, blegtorinë e shëndetshme. Sot, këto potenciale kanë mundësi të rikrijohen dhe ribashkohen sipas idesë së patriotizmit modern të Pacollit pavarësisht ekzistencës së kufijve formalë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në Kosovë sot është në fuqi e njëjta elitë që ka qeverisur në 15 vjetët e fundit. Kjo elitë pa traditë, mjerisht pa kapacitete menaxheriale dhe administrative për shkak të aparteidit serb, me universitetet e dobëta të ditëve të sotme që prodhojnë dështakë, i ka të gjitha karakteristikat e regjimeve që arrijnë të kontrollojnë votën e qytetarëve. Qytetarët të kushtëzuar nga vendet e punës në administratën publike, në polici, në arsim, etj, të mashtruar nga premtimet gjigande të elitës tipike politike të Kosovës, nuk votuan njeriun e dëshmuar në biznes. Ata nuk i besuan zotit të punës, por njerëzve që e përqeshin punën dhe njerëzit e saj, atyre që vinin prej luftës dhe që do duhej të kishin ikur në shtëpi pas përfundimit të saj.

Arsye jo thjesht për krenari, por dhe për t’i besuar votën

Si dikush që kam studiuar në perëndim, më kanë pëlqyer sfidat e Pacollit. Ai gjeti në jetën e vet që ai ma tregoi aq bukur me shembullin e gurit që bie në një sipërfaqe uji, masën e duhur midis punës së madhe, studimit dhe ndërmarrësisë, rrathët bashkëqendrorë të jetës së tij. Sa mëshumë punoi, aq më shumë fat prodhoi. Nga Kosova shkoi në Gjermani, studioi atje dhe më në fund bëri biznes nga perëndimi në lindje. Jam i bindur se nëse shkoj në vendet ku ai ka punuar kam shumë arsye për t’u mburrur se i përkas të njëjtit komb me Behgjet Pacollin. Ka themeluar kryeqytetin e Kazakistanit, ka restauruar Kremlinin në Rusi, por dhe mjedise në Shtëpinë e Bardhë në Uashington! Ka rindërtuar teatrin la Fenice të Venecias, ka ndërtuar aeroporte në Peru apo gjetkë. A nuk janë këto arsye që emri shqiptar botërisht i përfolur për keq, të veshë kostumin e lavdisë prej Behgjet Pacollit? Pra, a nuk janë këto arsye të mjafta që unë dhe moshatarët e mi të ndihemi krenarë si bashkëkombës dhe bashkëkohës të tij?

Pse bashkëmoshatarët e mi nuk e votuan Pacollin? Me siguri pse ja kanë vjedhur votën ose blerë atë. Me siguri pse ata e kanë ndjerë shumë lart dhe shumë larg për shkak të madhështisë së tij. Ndoshta dhe pse fushata e tij e parë ka qenë e konceptuar gabim duke krijuar pritshmëri të madhe. Pacolli nuk mund të ngrinte fabrika në çdo fshat me paratë e veta si besonin kosovarët sot mbase të zhgënjyer prej tij. Nuk ka asnjë shtet në botë ku një njeri i vetëm investon kudo. Ai shtet do të ishte shtet privat dhe s’do të mjaftonte për të ngritur këto fabrika as buxheti i një shteti të mesëm. Pacolli mund të sillte botën në Kosovë, duke krijuar mundësi për zhvillim. Pacolli është njeriu i ndërmarrësisë që matet me rezultatin. Jepjani mundësinë që të prijë karvanin dhe atëherë ta vlerësojmë. Përndryshe ngjashëm me popujt e Afrikës që flenë mbi ar, edhe populli i Kosovës do të lëngojë në një krizë si ajo e sotmja.

Është një krizë që fajëson elitën politike kosovare njëlloj si elitat e korruptuara të vendeve afrikane. Kjo krizë i jep argumente Serbisë që t’i thotë sot çlirimtarëve perëndimorë të Kosovës: a nuk ju thamë se shqiptarët nuk mund të vetëqeverisen?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat