Evropa, pro shovinizmit serbo-madh

Opinione

Evropa, pro shovinizmit serbo-madh

Nga: Nga Ylli MEÇE Më: 24 shkurt 2015 Në ora: 16:21

Mundet që ky shkrim të ngjallë reagime dhe të shtrojë pyetjen retorike: Si është e mundur që Evropa, e cila po bën përpjekje të ndihmojë shqiptarët të integrohen në BE, të jetë pro shovinizmit?!
Natyrisht pyetja do të ishte logjike, nëse nuk do të shikonim përtej fasadës së politikave me ngjyrë rozë e rezultateve blozë të kancelarive që ndër shekuj e kanë karakterizuar kontinentin e vjetër, sidomos për çështjen shqiptare. Fundshekulli i XX-të dhe fillimi i shekullit të ri e gjeti rruzullin në pështjellime të mëdha, me luftëra agresive në rajone të ndryshme, me lakmi të reja e të vjetra nacionaliste, me luftëra për çlirim kombëtar dhe me luftëra për vetëvendosje. Në aspektin gjeostrategjik, fuqitë e mëdha imperialiste, edhe pse janë vetë burim dhe shkaktarë luftërash, nuk duan që këto luftëra, sidomos ato me karakter nacional-çlirimtar dhe të vetëvendosjes të marrin zhvillim. Cila është arsyeja?
Nga pikëpamjet dialektike dihet se luftërat me karakter nacional-çlirimtar dhe ato për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar janë një hap i madh përpara drejt zgjimit të popujve për të qenë të lirë; janë një hap i madh drejt zgjimit të ndërgjegjes kombëtare. Luftërat me karakter kombëtar për liri e pavarësi jo vetëm realizojnë aspiratat e popullit, por japin edhe një mesazh të qartë dhe të kuptueshëm se: “Ai popull që merr në dorë fatet veta, ai popull që nuk duron shtypje e shfrytëzim dhe që lufton për të fituar, mundet dhe është në gjendje të realizojë misionin e vet historik”. Pikërisht kësaj i trembet imperializmi, ai nuk i duron këto lloj luftërash, ose kur janë të pashmangshme, kërkon t’i dirigjojë për qëllimet e veta.
Le të kthehemi pak në kohë, jo më shumë se 15-16 vjet më parë. Gjithkujt i kujtohen thirrjet e “shqetësuara” të Evropës dhe Amerikës, apo dhe të Rusisë për çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Na kujtohen fare mirë këshillat e tyre për vetëpërmbajtje, që “Ballkanin të mos e kthenim në fuçi baroti”; na kritikonin për “irredentizëm e separatizëm”; u bënin thirrje autoriteteve serbe që të na jepnin më shumë të drejta; madje pati edhe nga radhët tona (të shqiptarëve) që deklaronin: “Jo bre, duhet me ba rezistencë aktive, por jo luftë për liri sepse kjo luftë ka për me na shkatërrua krejt”! Këta të fundit, këta shqipfolësit, pavarësisht se hidhnin slogane për lirinë e Kosovës, propozonin teorinë e “luftës paqësore” të indianit Ghandi të një shekulli më parë. Pati dhe nga ata që shfaqnin hapur frikën se mos kjo luftë udhëhiqej nga lëvizja marksiste – Leniniste e Kosovës!! Çuditërisht këtij kori ju bashkëngjitën edhe zyrtarët dhe hierarkitë më të lartë të Tiranës zyrtare. A thua se Serbia do ia falte Kosovën vullnetarisht Shqipërisë!!
Në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja këputën zinxhirët e shovinizmit serbomadh që dominonte në ish Republikën Federative të Jugosllavisë dhe dolën shtete më vete. Kjo gjë nuk u bë paqësisht por me luftë. A nuk kishin të drejtë edhe shqiptarët të vepronin po kështu si kroatët, sllovenët e boshnjakët? Aq më tepër kur dihet se shqiptarët përpjekjet për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar i kanë filluar përpara tyre?! Pse për të parët nuk pati shqetësime të euroatllantikasve dhe i pranuan si shtete me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, ndërsa shqiptarët ende pas 15 viteve çlirim, jo?!! Pse u dashka që për të njëjtin element të kemi dy standarde të ndryshme? Çfarë u është fshehur popujve të këtij rajoni e sidomos popullit tonë pas kuintave dhe kancelarive europiane? Mos vallë Evropa nuk donte të zemëronte Serbinë dhe aleatin e saj historik Rusinë? Apo nuk i leverdiste forcimi i Shqipërisë. Mos janë të dyja këto së bashku?!! Kuptohet, në kuadrin e dominimit të zonave të influencës, Evropa doemos dëshiron ta ketë “nën sqetull” Shqipërinë, por imperialistët, edhe pse luftojnë me njëri-tjetrin, dinë edhe të binë në marrëveshje për ndarjen e gjahut të tyre!
Por populli shqiptar i krahinës së Kosovës me djemtë e vet nuk pyeti Evropën, as Amerikën, as Serbinë e as vetë Tiranën zyrtare, e cila mundohej të bënte “politikë të madhe”, duke qëndruar indiferente për t’i lënë opinionit ndërkombëtar përshtypjen se këto lëvizje me karakter çlirimtar, këto formacione luftarake që po përhapeshin dhe këto aksione kundër forcave militare e paramilitare serbe, nuk udhëhiqeshin nga Shqipëria dhe se ajo (Shqipëria) nuk kishte fare gisht në kësi punësh!! E bukur politikë! Tradhti e hapur, që i linte vëllezërit tanë të një gjaku, të një trungu e të një tërësie territoriale të vetëm në luftën e tyre. Veçse jo populli! Populli shqiptar i gjithi ishte pro e në mbështetje të luftës së vëllezërve të vet. Lufta e sapo filluar i tronditi tashmë të gjithë. Ajo përfshiu në vorbullën e saj progresistët dhe reaksionarët, atdhetarët dhe tradhtarët, përfshiu vendet mike që na shikonin me simpati por edhe armiqtë që kurrë nuk na kanë munguar. Ne ecëm përpara me pushkë në dorë për lirinë e ëndërruar në shekuj. Nuk pyetëm Evropën as Amerikën dhe as ata që na shtireshin si miq dhe na ofronin këshilla djallëzore.
Por ironia e historisë qëndronte në faktin se ata që deri dje na këshillonin të ruanim gjakftohtësinë, të mos luanim me zjarrin, të mos bëheshim shkaktarë të një lufte tjetër ballkanike etj. etj... papritur na u gjendën çuditërisht pranë si “aleatë”! Si ishte e mundur kjo, kur deri dje këta “aleatë” na sugjeronin e këshillonin ndryshe, tani që filluam luftën çlirimtare na u gjendën në krah?!!!
Natyrisht edhe kjo ka shpjegimin e vet. Deri dje këta “këshilltarë” nuk arrinin të kuptonin (në fakt nuk kishin dëshirën të kuptonin) fenomenin shoqëror, nuk arrinin të kuptonin se nuk ishin tre-katër formacione luftarake, apo dhe disa pushkë të hedhura aty këtu, por ishte një popull i tërë, një rini heroike e tërë që nuk mund të duronte më tej zgjedhën e pushtuesve serbo-mëdhenj. Pra lufta kishte filluar, ndërkohë Evropa vendosi të dilte tashmë nga dilema e udhëkryqit, dhe nga një frenuese e procesit u bë “mbështetëse e luftës” së popullit shqiptar të Kosovës. Kjo Evropë që deri dje ishte po aq reaksionare ndaj nesh, mos vallë tani po i dhimbsej çështja shqiptare. Apo e kishte hallin gjetkë?!
Për të ekuilibruar disi politikat gjeostrategjike, u thirr me urgjencë “Konferenca e Rambujesë”, e cila dështoi. Dështoi për faktin se aty kërkohej paqja dhe autonomia e Kosovës dhe kjo gjë u kërkohej si serbëve dhe shqiptarëve. Por edhe në kohën e Titos, Kosova thirrej “Krahinë autonome”. Mos vallë kjo e pengonte Titon ta mbante Kosovën të nënshtruar? Edhe nën qeverisjen e Milosheviçit përsëri Kosova konsiderohej “autonome”, por në fakt i mungonte edhe ajo që vetë serbët kishin firmosur në letër. Çështja në Rambuje nuk duhej të ecte sipas paketës Ahtisari, por sipas kërkesave të popullit shqiptar për të shpallur pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia, për të shporrur gjithë administratën serbe aty, për të tërhequr tërësisht trupat pushtuese dhe gjithë repartet e militare e paramilitare, duke i vënë sanksione Serbisë. Këto nuk u bënë, ndaj Konferenca në fjalë dështoi. Me të drejtë, një nga frymëzuesit e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e braktisi konferencën e Rambujesë dhe nuk u pajtua me qëndrimet gjysmake e nguruese të Evropës.
Por kur mbarojnë dhe nuk kanë më efekt fjalët, efektin e luajnë bombat. Tashmë hiqet dorë nga deklaratat ultimative sepse Milosheviçi nuk e përfillte më as komunitetin ndërkombëtar.
Faktori ushtarak në Kosovë duhet theksuar se ka luajtur rolin kryesor që detyroi jo vetëm ushtrinë serbe por edhe Evropën dhe vetë Amerikën që problemin ta shihnin seriozisht. Në këtë rast ata menduan se meqenëse dështuan në zgjidhjen paqësore, të paktën të merrnin rolin e “çlirimtarit”, rolin e “luftëtarit të paqes”. Dhe menjëherë i dolën në krah edhe ushtarakisht formacioneve luftarake të UÇK-së, duke mobilizuar NATO-n dhe forcat e tjera të koalicionit. Padyshim për ta ishte e rëndësishme që “liberatorë” të dilnin euroatllantikasit dhe jo Ushtria jonë Çlirimtare, jo heronjtë dhe dëshmorët tanë.
Kosova u çlirua, u shpall dhe pavarësia. Por kjo ishte një fitore e pjesshme, një fitore “si e Pirros”, sepse përsëri Kosova nuk mundi që si tërësi territoriale t’i bashkangjitej trungut mëmë, Shqipërisë. Madje mbeti dhe pa flamur! Pa flamurin për të cilin vëllezërit tanë kishin derdhur gjakun. Nga ana tjetër, Amerika dhe Evropa vendosën të mbanin në Kosovë forca paqeruajtëse. Po pse në Kosovë, kur këto trupa duhej të vendoseshin në Serbi, që ishte shkaktarja e luftës dhe ku shovinizmi i saj duhej të mbahej nën kontroll?! Nëse do të pranonim për një moment nevojën e trupave paqeruajtëse, ku duhet të vendosen ato, tek ata që janë për paqen apo tek agresorët?!
Fakti i hidhur që republika e Kosovës e ka të sanksionuar në Kushtetutë, mos bashkimin me ndonjë shtet tjetër, tregon fare qartë dhe nxjerr në dritë të diellit kulisat e luajtura mbi shpinën e saj. Si është e mundur vallë që klasa politike si andej edhe këtej kufirit artificial shqiptar-shqiptar ta ketë pranuar këtë statukuo-konstituive?!! Të jetë vallë se nuk e kuptuan këtë gjë, se bashkimi me Shqipërinë është një hap i madh në shërbim të çështjes kombëtare?!! Kush e tradhtoi Betimin e Luftëtarëve të UÇK-së, i cili thoshte qartë se: “Si luftëtar i Lirisë do të luftoj për çlirimin e Kosovës, për Lirinë e pavarësinë e saj dhe për bashkimin me Shqipërinë”?! Përse paragrafi i Kushtetutës e ndalon bashkimin me Shqipërinë dhe përse u shkel Betimi? Kush i bëri pazarllëqet mbi kurrizin e shqiptarëve? Europa Londineze tashmë u transformua në Berlineze,... apo Euro-Atllantike?!
Po shqiptarët, sidomos ata që dolën me armë në dorë dhe ata që entuziazmoheshin për fitoret e arritura duke i soditur nga Tirana, përse pranuan kushtet e Europës e të Amerikës? Mos ne u morëm leje kur filluam luftën për çlirim?! Më tregoni një popull dhe një rast të vetëm qoftë, të ndodhur në histori ku popujt marrin leje për të filluar luftën kundër skllavërisë së tij. Përse kjo Europë dhe kjo Amerikë, kur e dinë fort mirë se Dardania është shqiptare dhe shqiptarët e sotëm vazhdimësi të saj në kulturë, doke, zakone, gjuhë e territor, i pengon për tu bashkuar me Shqipërinë? Për më keq akoma e lë peng dhe të pazgjidhur akoma çështjen e tërësisë tokësore edhe brenda përbrenda Kosovës, sikurse është Mitrovica, Lugina e Preshevës, Bujanovc dhe Medveda?!! A nuk e kuptojnë se kjo nuk është zgjidhje, por padrejtësi dhe pabesi?! Është e qartë. Europa përkëdhel serbët duke u thënë: “Ja, e shikoni, edhe ne nuk e njohim Kosovën – Shqipëri”. Me këtë veprim e qëndrim u rijapin përsëri shpresë serbëve por njëherësh qetësojnë edhe rusët.
Siç shihet, fajtor për mos zgjidhjen si duhet të çështjes tonë kombëtare nuk janë vetëm ndërkombëtarët por edhe vetë shqiptarët. Ose më saktë elita politike e shtetare e tyre. Në momentin kur u deklarua mëvetësia e Kosovës dhe pavarësia e saj, pa pyetur askënd duhej të ishte bërë bashkimi me Shqipërinë. Dhe vetë Shqipëria të mbronte me flakë e zjarr këtë çështje madhore. Por elita politike e shtetare e Shqipërisë heshti. Heshti sepse pret ta “udhëzojë” Europa dhe Amerika. Kjo është një nga tradhëtitë më të mëdha që nuk do ta falë historia. Sot politikanët shqiptarë rendin nëpër botë për të bërë të njohur Kosovën shtet. Unë, si qytetar shqiptar nuk do ta njoh Kosovën shtet, sepse njoh Kosovën – Shqipëri! Me situatën e sotme, direkt apo indirekt lihet të kuptohet se Kosova dhe kosovarët janë një vend e një popull tjetër, një popull tjetër që na paska afërsi me shqiptarët, por që nuk janë shqiptarë. O tempo, o mores! Ç’na dëgjojnë veshët e ç’na shohin sytë! Brezat që do të vijnë, për këtë çështje do të thonë: Paska edhe raste kur humbet vetëdija politike dhe kombëtare! A nuk ka ardhur koha të bashkohemi Nën një Komb, Nën një Gjuhë, Nën një Flamur të përbashkët?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat